Vdekja e kryekomisarit në Durrës, godina ishte dëmtuar në tërmetin e 21 shtatorit. Çfarë konstatuan katër inxhinierë

Dec 8, 2019 | 8:35
SHPËRNDAJE

Në tërmetin e 26 nëntorit, ku humbën jetën 51 persona, në pallate e banesa private që u dëmtuan nga lëkundjet e forta sizmike, mes viktimave ishte edhe kryekomisari Bajram Hajdarmataj.

kavashilenca

Ndryshe nga 24 viktimat e Durrësit, 25 viktimat e Thumanës dhe vajza 20-vjeçare nga Tirana, që ndodheshin në shtëpitë e tyre kur ra tërmeti, Hajdarmataj ndodhej në një godinë shtetërore, në varësi të Ministrisë së Brendshme.

Profesori i Akademisë së Sigurisë ndodhej konkretisht në godinën nr. 4 të Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme, në Durrës, e njohur si Kavalishenca. E bashkë me të, në këtë godinë qëndronin edhe 120 studentë të Akademisë së Policisë, që po zhvillonin një kurs trajnimi, të cilët fatmirësisht arritën të shpëtojnë.

Godina shtetërore rezulton se kishte pësuar dëmtime që në tërmetin e 21 shtatorit, fakt që pranohet edhe nga Bashkia e Durrësit, ndonëse nga zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda, e mohoi pak ditë më parë, duke thënë se godina nuk ishte dëmtuar nga tërmeti 5.8 i shkallës rihter që ndodhi në shtator.

Megjithatë, ajo tha se do të viheshin para drejtësisë edhe ata persona që e kishin ndërtuar atë godinë. Nga ana tjetër, burime nga Bashkia e Durrësit konfirmuan se godina 4-katëshe ku ndodhej kryekomisari Bajram Hajdarmataj ishte dëmtuar. Ndërkohë, edhe në një dokument të firmosur nga 4 inxhinierë të grupit të inspektimit, në konkluzionet përfundimtare thuhet se godina nuk ka pësuar dëmtime në konstruksionin mbajtës të saj, por aktualisht është e pashfrytëzueshme.

INSPEKTIMI NE SHTATOR

Një nga viktimat e 26 nëntorit është edhe kryekomisari Bajram Hajdarmataj, i cili gjeti vdekjen në rrënojat e Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme në Durrës, në godinën nr. 4. Hajdarmataj, 54 vjeç, ndodhej në Durrës për trajnimin e 120 studentëve të Akademisë së Sigurisë.

“Ora News” publikoi dje një dokument të firmosur nga grupi i inspektimit prej 4 inxhinierësh, në të cilin thuhet se: “Hoteli i ri i Shtëpisë së Pushimeve në Durrës (referuar godinës numër 4), nuk paraqet dëmtime në konstruksionin mbajtës të tij, por ai aktualisht është i pashfrytëzueshëm pasi copat e tullave dhe të suvave mund të shkëputen dhe të shkaktojnë aksidente në njerëz”.

Sipas këtij dokumenti, pas tërmetit të 21 shtatorit, objekti kishte nevojë për rikonstruksion të muraturës dhe ky alarm i ishte komunikuar edhe drejtorit të këtij institucioni. Në përfundim, në shënimin për masat e marra provizore, inxhinierët shkruajnë: “I është komunikuar drejtorit të këtij institucioni për të mos qëndruar në këto ambiente”.

Fatkeqësisht, shqetësimi i grupit të inspektimit, që nuk u mor parasysh në kohë, i mori jetën kryekomisarit, pasi një pjesë e godinës u shemb, për shkak të tërmetit të dytë në 26 nëntor. Por, në godinën numër 5, natën e 26 nëntorit kanë qenë edhe studentë të Akademisë së Sigurisë dhe trajnerë të tjerë, që fatmirësisht nuk kanë pësuar dëmtime. Për shkak të kësaj situatë dhe pikëpyetjeve të ngritura për këtë rast, PD-ja i ka kërkuar informacion zyrtar qeverisë shqiptare, lidhur me verifikimet e kryera në godinën nr. 4 të Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme në Kavalishencën e Durrësit, e cila u shkatërrua në tërmetin e datës 26 nëntor, ku humbi jetën kryekomisari Bajram Hajdarmetaj.

I pyetur për rastin e profesorit të Akademisë së Sigurisë, që humbi jetën te Kavalishenca, Ardi Veliu tha të premten gjatë një deklarate për shtyp se po hetohet, ashtu siç edhe për të gjitha rastet e tjera

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura