Vdekja e Karelit, lihen të lirë 6 gardianët grekë të akuzuar për vrasje. Gjobë 3.000 euro secilit

Mar 26, 2015 | 17:43
SHPËRNDAJE

Plot një vit nga ngjarja e rëndë, kur në një burg grek u torturua për vdekje shqiptari Ilia Kareli, Gjykata e Selanikut merr vendim për të falur burgun e gardianëve të akuzuar.

Ilia Kareli i kapur nga kamerat e burgut grek 

Vetëm 6 persona kishin mbetur në qeli për krimin ndaj 40-vjeçarit me origjinë nga Fieri, alias Ilia Kareli. Por dje, Gjykata e Selanikut i la të lirë gardianët e akuzuar për vrasjen e të burgosurit shqiptar Ilia Kareli, në burgun Nigrita Serres. Gjykata greke ka pranuar kërkesën e prokurorit të çështjes, pas 12 muajsh paraburgim të 6 gardianëve. Ata janë lënë nën masën “detyrim paraqitje” në komisariatin e vendbanimit, por me kusht që mos të dalin jashtë territorit të Greqisë, si dhe janë dënuar me gjobë 3000 euro secili. Sipas vendimit të Gjykatës, “gjashtë gardianët nuk iu shmangën hetimit duke mos bërë asnjë përpjekje për t’u larguar, ata nuk rezultojnë të dënuar më parë si dhe janë familjarë me nevoja për t’i shërbyer familjes”.

Këta gardianë janë dërguar një muaj më parë për gjykim bashkë me 7 të tjerët që ndiqen në gjendje të lirë, për torturimin me pasojë vdekjen e shqiptarit Ilia Kareli. Veç tyre do të gjykohet edhe ishdrejtori i burgut Nigrita Serres, i akuzuar për “përkrahje të autorit të krimit”. Tashmë gjyqi ndaj 13 të akuzuarve për ngjarjen e rëndë do të vijojë në gjendje të lirë. 40-vjeçari shqiptar, Ilia Kareli, ose i njohur në Fier si Kudret Kume, ndërroi jetë pas torturave çnjerë- zore, mbrëmjen vonë të 27 marsit 2014 në burgun Nigrita Serres. Kareli u transferua aty pasi kishte vrarë me thikë gardianin e burgut të Malandrinos, Jorgo Cironi, 45 vjeç.

Ky i fundit u akuzua nga shqiptari se i kishte marrë disa herë shuma parash që i siguronte nga familja apo punë në ambientet e burgut. Ndërsa priste që të lirohej nga burgu dhe të kthehej në Shqipëri, Kareli mësoi se ndaj tij kishte nisur një tjetër proces, me akuzën e shpërndarjes së lëndëve narkotike në burg. Në gjaknxehtësi e sipër i burgosuri shqiptar e goditi gardianin me një thikë të sajuar, duke i shkaktuar vdekjen. Kareli u transferua për në një burg tjetër për të mos rënë pre e hakmarrjes së kolegëve të viktimës, por në të vërtetë vdekja i erdhi në burgun e ri ku e transferuan. I burgosuri shqiptar, i lidhur duar e këmbë me zinxhirë u torturua pa mëshirë, duke dhënë shpirt pas pak orësh.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura