Vdekja e historianit Kristaq Prifti, Sali Onuzi: Ai drejtoi në kohë të vështira

Dec 10, 2017 | 12:59
SHPËRNDAJE

Historiani dhe akademiku i njohur Kristaq Prifti ndërroi jetë në moshën 85-vjeçare. Prifti ishte anëtar i Akademisë së Shkencave, specialist i periudhës së Rilindjes Kombëtare, orientalist dhe kishte veprimtari drejtuese në institucionet akademike-universitare. Miku i tij Sali Onuzi i ka dedikuar një postim në rrjetet sociale ku ka ndarë me publikun “mbresat e mia nga njohja direkte me te”.

Statusi i plotë i Sali Onuzit:

Sot u nda nga jeta nje nga koloset e historiografise shqiptare , akademik Kristaq Prifti, historian i njohur, specialist i periudhës së Rilindjes Kombëtare, orientalist, nje prej profesoreve themelues te Universitetit te Tiranes.

Une dua te shkruaj mbresat e mia nga njohja direkte me te, si drejtues i katedres se Historise se Pergjithshme dhe si zv. dekan dhe dekan i Fakultetit tone te Historise e Filologjise.

24852513_875753402600007_8589055027292399432_n

Ai drejtoi ne kohe te veshtira, kur reformat e ashtuquajtura revolucionarizuese zyrtare po demtonin punen mesimore ne univesitet, por Prof. Kristaqi ishte padyshim nje nga mbrojtesit e shquar te nivelit akademik te fakultetit tone, ku ai me qendrimet e tij,shkurajonte sektaristet,kerkuesit e shkurtimeve mekanike te programeve mesimore.

Sa serioz ishte ne kete aspekt shkencor te punes ne Fakultet, po aq, ai ishte dhe nje mbrojtjes i ekulibruar e human i te drejtave te studenteve.Kish edhe jo pak propozime mendjelehta e shpirtngushta qe i shkonin atij ne tavolinen e punes nga organizatat e rinise dhe te partise, po mesa logjike e mencuri ai i kapercente pa rene ne nivelin e tyre.

Profesor Kristaqi kishte nje autoritet absolut dhe te merituar me gjykimet e tij te drejta, te sakta, njerezore,

Puna e tij ne Fakultet si pedagog e si drejtues e ka bere te njohur ne gjithe Shqiperine dhe arsimin tone kombetar Profesor Kristaq Priftin, i cili kujtohet kudo me shume respekt e dashuri.

Puna e tij si shkenctar , si drejtues i Institutit te Historise , si autor e redaktor i tekstit akademik shumevellimesh te Historise se Shqiperise nga 1984 deri me 2002, eshte nje model i shkenctarit dhe te patriotit te vertete, qe ka vendosur nivele te larta standardi ne historiografine shqiptare.

Biografine zyrtare te Kristaq Priftit mund ta lexoni me poshte.

24993568_875753549266659_6254157342320570472_n
I ndjeri Kristaq Prifti u lindi në Berat më 21 janar 1932, ku kreu edhe shkollën e mesme. Studimet e larta në fushën e historiografisë i përfundoi në Moskë. Pas kthimit në atdhe punoi si mësimdhënës në Universitetit të Tiranës. Ishte një prej profesorëve themelues të këtij Universiteti, ku kreu disa detyra, si përgjegjës i katedrës së historisë, zëvendësdekan dhe dekan. Që nga viti 1982 ka qenë kërkues shkencor në Institutin e Historisë dhe në vitet 1991-1993 drejtor i tij. Përveç mësimdhënies në UT, Kristaq Prifti ka mbajtur ligjërata edhe në Universitetin e Prishtinës.

Fushat kryesore të veprimtarisë shkencore të akad. Kristaq Priftit, në kuadër të historisë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare deri në themelimin e shtetit shqiptar, janë: Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Lidhja Shqiptare e Pejës, shqiptarët në periudhën e revolucionit xhonturk, lëvizja politike-kulturore në Shqipëri në prag të Pavarësisë, Kongresi i Manastirit dhe njësimi i alfabetit të shqipes, shpallja e Pavarësisë dhe Qeveria e Përkohshme e Vlorës. Në dekadat e fundme veprimtaria e Kristaq Priftit u shtri edhe në historinë e Kosovës në shek. XX, sidomos në zhvillimin demografik të saj. Kërkimet e tij në këto fusha janë përmbyllur me studime të plota monografike, disa prej të cilave, sipas rendit kronologjik, janë:

• Kongresi i Manastirit ngjarje me rëndësi në Lëvizjen Kombëtare (bashkautor, 1968, 1978, 2004);
• Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet osmane 1878-1881 (1978);
• Lidhja Shqiptare e Pejës; lëvizja Kombëtare 1896-1900 (1984, 2002;
• Historia e Shqipërisë, vëllimi II (drejtues shkencor, 1984);
• Dr. Ibrahim Temo: jeta dhe vepra (1987, 1993, 1996);
• La Ligue Albanaise de Prizren, vol. I (bashkëpërgatitës, 1988);
• Historia e popullit shqiptar, vëll. II (bashkautor e drejtues shkencor, 2002) dhe vëll. III (bashkautor e drejtues shkencor 2007);
• Popullsia e Kosovës (2014).

Akad. Kristaq Prifti ka dhe kontribute të tjera të vlerësuara nga bota e dijes si bashkëpërgatitës dhe bashkëredaktor i disa vëllimeve me dokumente e studime, si: Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit (1972); E vërteta mbi Kosovën dhe shqiptarët në Jugosllavi (shqip e anglisht, 1984); Sami Frashëri, vepra (vëll. I-II, 1988); Çështja e Kosovës një problem historik dhe aktual (shqip e anglisht, 1993, 1996); Himara në shekuj (2004).
Akad. Kristaq Prifti është autor i shumë artikujve studimorë, të botuar në revistat shkencore brenda dhe jashtë vendit. Ai është dekoruar me Urdhrin Flamuri i Kuq i Punës (klasi I) dhe ka marrë Çmimin e Republikës (klasi II).

Me vdekjen e tij Akademia e Shkencave humbi një anëtar me veprimtari të gjatë dhe cilësore në kërkim dhe një prej drejtuesve që kanë lënë gjurmë progresi në institucionet ku kanë punuar, një koleg e mik të nderuar; bota shkencore humbi një dijetar me përvojë dhe një njeri të suksesit shkencor; familja dhe të afërmit njeriun e dashur.
I shprehim ngushëllimet më të thella familjes, të afërmve, miqve e kolegëve dhe botës akademike shqiptare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura