Vdekja e gruas së futbollistit të Partizanit, ja dëshmia e nënës së viktimës në gjyq

Mar 1, 2016 | 9:31
SHPËRNDAJE

Hamide Haka dëshmoi dje në gjykatë për vdekjen e vajzës së saj 25-vjeçare, Dorjana Haka, e cila humbi jetën pak ditë pasi lindi një fëmijë me operacion.

Alban-Hoxha-Dorjana-HakaDëshmitarja ishte dje në gjykatë në procesin gjyqësor ndaj dy mjekëve të vënë në përgjegjësi penale për këtë ngjarje. E ndjera, bashkëshorte e futbollistit të “Partizanit”, Alban Hoxha, humbi jetën në nëntor të vitit 2014, pasi lindi fëmijën.

Në një gjendje tejet të rënduar emocionale, gruaja e veshur me të zeza rrëfeu për ditët kur humbi vajzën e saj. Herë pas here kryesuesi i seancës, gjyqtari Altin Abdiu, i sugjeroi dëshmitares të pushonte nëse nuk ishte në gjendje fizike të pamundur për të vijuar dhënien e dëshmisë. Hamide Haka tha se vajza e saj kishte qëndruar vetëm një ditë në maternitet para operacionit dhe asaj i ishte bërë vetëm një konsultë.

Ajo tha se kishte parë dosjen klinike të vajzës së saj që përbëhej vetëm nga dy faqe dhe hodhi akuza për stafin mjekësor se e kanë mbushur pas vdekjes së vajzës së saj. Të pandehurit e kësaj dosjeje, kirurgu P.Rexhepi dhe anestezistja E.Burba akuzohen nga prokuroria për “mjekim të pakujdesshëm”.

Sipas Prokurorisë, vdekja e nënës së re ka ardhur si pasojë e neglizhencës së mjekëve dhe moskryerjes prej tyre të analizave të nevojshme para dhe pas operacionit.

DESHMIA E NENES

Dëshmitarja Hamide Haka tha se vajza e saj gjatë shtatzënisë kishte ndjekur konsultat mjekësore në një klinike private në kryeqytet, por për operacionin e lindjes ishte zgjedhur materniteti “Koço Gliozheni”.

“Vendimi për t’u operuar te ‘Koço Gliozheni’ ishte i Albanit dhe i Dorjanës. Shkuan atje për më tepër siguri, pasi Albani njihte Elonën. Dorjana shkoi një ditë para operacionit në maternitet. Të nesërmen u operua”, tha dëshmitarja. Pyetjes së prokurorit nëse para hyrjes në operacion u ishte kërkuar ndonjë gjë, dëshmitarja iu përgjigj negativisht.

“Vajza shkoi me dosjen e analizave të klinikës private me vete. Para hyrjes në operacion, neve nuk na kanë kërkuar asnjë gjë. Informacion në lidhje me analizat më kanë kërkuar kur vajza kaloi te neurokirurgjia”, u shpreh dëshmitarja. Sipas saj, pas operacionit të lindjes stafi mjekësor i kishte thënë se gjithçka kishte shkuar mirë.

“Më telefonoi vjehrra e saj dhe më tha që Dorit i dhemb koka. Unë kisha shkuar në shtëpi vetëm për të pushuar pak. Kur shkova në spital e gjeta vajzën në reanimacion”, vijoi Haka.

Dëshmitarja tha se dosja mjekësore e klinikës private për ndjekjen e shtatzënisë së vajzës së saj i ishte kërkuar nga e pandehura disa ditë pas operacionit. Dori ditën që shkoi për konsultë, shkoi me dosjen.  Ditën që u fut në operacion, dosja ishte në shtëpinë e Albanit. Shkoi vajza tjetër që e mori dhe ia dha Elonës kur ajo e kërkoi”, tha dëshmitarja. Sipas dëshmitares, pas vdekjes së vajzës së saj nuk kishte pasur ndonjë kërkesë për kryerje autopsie. Pas një ndërprerjeje pakminutëshe, dëshmitarja shtoi dhe një deklaratë të fundit.

“Isha te spitali dhe kam parë kartelën e vajzës. Kishte vetëm dy fletë. Fatkeqësia ime që s’e mora atë ditë. E kanë mbushur dhe kanë bërë çfarë kanë dashur pastaj me dosjen e vajzës”, tha dëshmitarja.

Po dje gjykata dëgjoi dëshmitaren Mine Losha, mami që bën pranimet e pacientëve në maternitetin “Koço Gliozheni”. Para gjykatës, Losha tha se në rastin e të ndjerës Haka është zbatuar me rigorizitet procedura e shtrimit.

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura