Vdekja e gruas së Alban Hoxhës, mjekët ankimojnë dënimin me gjobë

Jan 22, 2017 | 16:06
SHPËRNDAJE

TIRANE – Zhvendoset në Gjykatën e Apelit Tiranë përballja gjyqësore mes Prokurorisë dhe dy mjekëve të maternitetit “Koço Gliozheni”, të akuzuar për “mjekim të pakujdesshëm” me pasojë vdekjen e Dorjana Hakës.

Familjare jashte salles se gjyqit, duke mbajtur nenen e Dorjanes
Familjare jashte salles se gjyqit, duke mbajtur nenen e Dorjanes

Nëna 25-vjeçare, bashkëshorte e portierit të Partizanit, Alban Hoxha, humbi jetën pas një komplikacioni shëndetësor disa ditë pasi kishte kryer një lindje me operacion.

Vendimi i Shkallës së Parë të Gjykatës së Tiranës, që i shpalli fajtorë mjekët, por i dënoi me nga 400 mijë lekë gjobë, është ankimuar në Apel.

Sipas burimeve zyrtare, dy të pandehurit, Petrit Rexhepi dhe Elona Burba, kanë depozituar ankim në lidhje me vendimin.

Sipas burimeve, mjekët kërkojnë prishjen e vendimit të Shkallës së Parë dhe pushimin e çështjes në ngarkim të tyre.

Nga ana tjetër, ankim për vendimin që dënoi me gjobë dy mjekët kanë depozituar edhe përfaqësuesit e Prokurorisë.

Burimet pohuan se Prokuroria pretendon në ankim se Gjykata e Shkallës së Parë ka gabuar kur dënoi vetëm me gjobë mjekët e akuzuar.

dorjana

Prokuroria këmbëngul në dënimin e tyre me nga 5 vjet heqje lirie, si fajtorë për akuzën e “mjekimit të pakujdesshëm”.

Tri ankimet në fjalë janë depozituar në Apel më 27, 28 dhe 30 dhjetor të vitit të kaluar.

Mësohet se ende nuk është përcaktuar data e seancës së parë të këtij shqyrtimi në Gjykatën e Apelit Tiranë.

Gjykimi i mjekëve Rexhepi dhe Burba në Shkallën e Parë përfundoi më 21 dhjetor 2016. Ata u gjobitëm me nga 400 mijë lekë gjobë, nga 5 vjet burg që kërkoi Prokuroria në konkluzionet përfundimtare.

“Marrja përsipër dhe futja ne operacion e pacientes pa këto analiza, nga mjeku anesteziolog, e pandehura Elona Burba dhe ai obstetër, i pandehuri Petrit Rexhepi, përbëjnë neglizhencë të të pandehurve në ushtrimin e detyrës”, arsyetonte Gjykata e Shkallës së Parë në vendim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura