Vdekja e gruas së Alban Hoxhës, familja përplaset me mjekët

Oct 7, 2015 | 15:01
SHPËRNDAJE

Seanca e parë e gjyqit ndaj dy mjekëve të dyshuar si përgjegjës për vdekjen e bashkëshortes së portierit të ekipit Partizani, Alban Hoxha, u shoqërua dje me tension të pazakontë. Familjarët e të ndjerës, që janë palë e dëmtuar në këtë proces, shpërthyen në sharje ndaj dy mjekëve të pandehurve që akuzohen në sallën e gjyqit.

Alban-Hoxha-Dorjana-Haka
Në korridorin e gjykatës ata u përplasën fizikisht me familjarin e një prej mjekëve të maternitetit “Koço Gliozheni”. Ndërhyrja e menjëhershme e punonjësve të policisë shmangu precipitimin e konfliktit. Familjarët e të ndjerës Dorjana Haka, 25- vjeçares që ndërroi jetë si pasojë e komplikacioneve shëndetësore pas lindjes së fëmijës, u shoqëruan nga punonjësit e policisë deri jashtë ambienteve të gjykatës.

Nga ana tjetër, për të shmangur një përplasje të dytë, të pandehurit në proces, mjekët Elona Burba dhe Petrit Rexhepi, të cilët gjykohen në gjendje të lirë, u larguan nga një dalje tjetër e godinës së gjykatës. Seanca e djeshme u mbyll vetëm me një kërkesë të avokatëve mbrojtës të të pandehurve për përsëritjen e një akt-ekspertimi të kryer pas vdekjes së 25-vjeçares, çka duket se tensionoi familjarët. 

Tensione në gjyqin ndaj dy mjekëve të “Koço Gllozhenit”
Tensione në gjyqin ndaj dy mjekëve të “Koço Gllozhenit”

SEANCA
Procesi gjyqësor ndaj anestezistes Elona Burba dhe kirurgut Petrit Rexhepi nisi dje në një sallë të tejmbushur me familjarë të të ndjerës Haka. Për të shmangur ndonjë incident, për shkak se dhe të pandehurit gjykohen në gjendje të lirë, edhe numri i punonjësve të policisë në sallë ishte i konsiderueshëm. Pasi legjitimoi palët, kryesuesi i seancës, gjyqtari Altin Abdiu, konfirmoi gjeneralitetet e të pandehurve. Në momentin që e pandehura Burba pohoi se kishte si profesion mjekësinë, nga salla foli me zë jo të lartë e ëma e të ndjerës. “Çfarë mjekeje je ti?!”, tha e moshuara në ngashërim.

Kryesuesi i seancës i bëri me dije se nuk mund të fliste dhe nëse nuk mund të qëndronte, të largohej nga salla. “Mund të qëndroj”, tha ajo, ndërsa nuk e ndaloi të qarën gjatë gjithë seancës. Në vijim avokatët e të pandehurës Burba i kërkuan gjykatës deklarimin e pavlefshëm të akt-ekspertimit mjekoligjor të zhvilluar gjatë hetimeve. Sipas avokatit Edmond Dëma, organi i prokurorisë nuk kishte zbatuar dispozitat ligjore të kërkuara nga ligji për kryerjen e akt-ekspertimit. “Asnjë nga tre mjekët që kanë bërë akt-ekspertimin nuk janë të fushës së anestezisë dhe të kirurgjisë obstetrike”, ishte një nga argumentet e avokatit.

Duke pretenduar parregullsi, përveç shpalljes së pavlefshme të akt-ekspertimit, avokatët kërkuan përsëritjen e tij. “Gjykata të urdhërojë përsëritjen e akt-ekspertimit”, tha avokati. Për t’i dhënë kohë prokurorit të çështjes për të dhënë qëndrimin e tij në lidhje me kërkesën e avokatëve, kryesuesi Abdiu ndërpreu seancën dhe e shtyu për në 21 tetor 2015.

KONFLIKTI
Sapo të pranishmit u ngritën në këmbë për t’u larguar nga salla, e ëma e të ndjerës Haka iu drejtua të pandehurës duke i thënë: “Më vrave vajzën, moj Lona”. Punonjësit e policisë i këshilluan të pranishmit të dilnin nga salla, por një tjetër familjar shpërtheu në fyerje ndaj mjekëve të pandehur.

Tensioni u rrit në korridorin e gjykatës, ku një prej familjarëve të Dorjana Hakës u përplas fizikisht me një të afërm të të pandehurve. Për të neutralizuar sherrin, u desh ndërhyrja e punonjësve të policisë, të cilët i shoqëruan familjarët jashtë gjykatës. Përpjekjet e policëve tensionuan së tepërmi të ëmën e së ndjerës. “Ma lër djalin se më vranë gocën!”, iu hakërrye ajo punonjësve të policisë.

“Më vranë vajzën. Më vranë vajzën”. Me sy të përlotur dhe me këto fjalë ndër buzë Hamide Haka doli dje nga salla e gjyqit ku u zhvillua seanca e parë ndaj dy mjekëve të dyshuar si përgjegjës për vdekjen e vajzës së saj. Thirrjet e saj dhe e qara me ngashërim u shtua kur pa punonjësit e policisë duke nxjerrë jashtë gjykatës djalin e saj, të tensionuar jo më pak. “Ma lër djalin se më vranë gocën”, ulëriu gruaja e veshur me të zeza. Jashtë gjykatës, ajo tha se pretendimet e mjekëve ishin të pavërteta.

Hamide Haka: Më vranë vajzën, e operuan pa i bërë analiza

“O zemra e mamit. Ishte 25 vjeçe. Sa bëri ditëlindjen. Nuk ka qenë sëmurë asnjëherë. E kupton ç’do të thotë, të shkosh në spital për t’u gëzuar dhe të dalësh me arkivol. Të gjitha ato që thonë ata janë kot. Gocën ma kanë futur pa analiza, pa kontroll. Goca mund të lindte shumë mirë vetë. Pse duhej ta operonte? Vetëm pse e kishte fëmijën mbrapsht. Ta linte t’i vinin dhimbjet nëse fëmija nuk kthehej”, tha në lot e ëma jashtë sallës së gjyqit. Ajo tha se kishte besim te drejtësia.

“Kam shumë besim, pasi ka vdekur një vajzë e re që nuk e meritonte. Ajo nuk ka qenë sëmurë asnjëherë. Po të ishte, edhe unë do të isha përgatitur”, vijoi ajo. Bashkëshorti i saj, Enver Haka, e konsideroi kërkesën e avokatëve për rikryerjen e akt-ekspertimit si manovër për të shfajësuar nga akuza dy mjekët e pandehur. “Ato prapaskenat e këtyre. U acaruam për këtë çështje. Kërkojnë ekspertim tjetër, kur ata janë shteti vetë”, tha Enver Haka.

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura