Vdekja e foshnjës/ “E dërguam me urgjencë, por s’mbijetoi dot”

Oct 3, 2016 | 16:27
SHPËRNDAJE

Pas nisjes së procedimit penal për mjekun pediatër, vënë në akuzë për vdekjen e një foshnje dy ditë pas lindjes në maternitetin e Pogradecit, reagon shefi i pavijonit, Ilir Gusho.

Policia-korce-640x340

Sipas tij, foshnja lindi me operacion dhe ishte një lindje pa probleme. “Pas 12 orësh foshnja shfaqi shenja infesioni në lëkurë, shenja të cilat i vazhduan”- tha ai.

Ai tregon se pas shenjave të infeksionit, foshnja nisi të nxihej. “Foshnja po nxihej dhe ne vendosëm ta dërgonim me urgjencë drejt Tiranës, por ai humbi jetën gjatë rrugës”- tha mjeku, duke shprehur keqëardhje për atë që ndodhi.

Një mjek pediatër pranë maternitetit të Pogradecit po porcedohet penalisht pas vdekjes së një foshnje vetëm dy ditë pas lindjes në maternitetin ku ai punonte. Shkak është bërë denoncimi i babait, që bën fajtor mjekun për vdekjen e djalit të sapolindur.

Policia e Korcës ka njoftuar se specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Pogradec, filluan procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit N.E, 52 vjeç, banues në Pogradec (me detyrë mjek pediatër për fëmijët e porsalindur).

“Procedimi ndaj tij filloi pasi, dje në Maternitetin e Pogradecit, ka ndërruar jetë një foshnjë dy ditëshe (gjinia mashkull) babai i të cilit shtetasi A.H, 33 vjeç, banues në fshatin Buzaishte-Pogradec, pretendon se vdekja e tij, ka ardhur si pasojë e mjekimit të pakujdesshëm nga ana e mjekut”- njofton policia.

Nga këqyrja e jashtme e kufomës nuk dallohen shenja ose probleme, ndërkohë pritet kryerja e autopsisë ditën e sotme, nga ekspertë të Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë.

Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale: “Mjekimi i pakujdesshëm” parashikuar nga neni 96 i Kodit Penal.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura