Vdekja e 16-vjeçares në taksi me të dashurin e mamasë, i ati: Eksperti i gjeti narkozë, vdekja jo natyrale

Apr 20, 2015 | 21:42
SHPËRNDAJE

Edhe pse dyshimi e ka sfilitur shumë shpirtërisht, Jorgo Anagnosti nuk është tërhequr nga kërkesa e tij për të gjetur shkakun e vdekjes së të bijës, 16-vjeçares Kostandina Anagnosti, e cila në 15 nëntorin e kaluar shkoi e pajetë në spitalin e Sarandës.

Në foto i ati dhe 16-vjeçarja

Ndërsa ekspertiza për vajzën u bë nga një mjek i ardhur nga Instituti i Mjekësisë Ligjore nga Tirana në Sarandë, një tjetër ekspertizë u kërkua nga babai i adoleshentes, duke u kryer në Janinë. Kjo për faktin se, përveçse në Sarandë, një tjetër hetim për këtë çështje kryhet edhe në qytetin grek.

Përgjigjja e analizës mjekoligjore e Tiranës thotë se vdekja e vajzës ka qenë natyrale, ndërkohë që tjetër përgjigje jep mjeku ligjor në Greqi, i cili përcakton se në trup i është gjetur narkozë. Në një intervistë, Jorgo Anagnosti, babai i 16- vjeçares Kostandina, këmbëngul në zbardhjen e shkaqeve të vdekjes.

A keni marrë ndonjë përgjigje se cili ka qenë shkaku i vdekjes së vajzës suaj?
Përgjigje nga Saranda ende jo, por gojarisht kemi mësuar se sipas përgjigjes së analizave të Tiranës “vdekja e vajzës ka qenë natyrale”.

Atëherë, a bindeni për këtë përgjigje analize nëse është e vërtetë apo jo? Çfarë tjetër kërkoni? Jo, kam dyshime në përgjigjen e Tiranës. Do t’i shkoj deri në fund derisa të gjej të vërtetën.

Ju keni thënë se paralelisht me hetimin në Sarandë, një tjetër hetim me kërkesë tuajën kryhet edhe në Janinë, vazhdon kjo?
Po, po hetimi kryhet edhe në Janinë. E madje, dua të them se përgjigjja e analizës mjekoligjore, që hedh dyshime për vdekjen e vajzës, është depozituar në dosjen e hapur për këtë çështje pranë Prokurorisë së Janinës, kjo sipas avokates sime, Vasiliki Kanlidhu. Ndërkohë nga hetimet në Janinë kam të dhëna se S.Papa nga Shtëpia e Fëmijës ku jetonte vajza ime, Kostandina 6 vitet e fundit, deri ditën që humbi jetën, ka marrë edhe vajza të tjera të mitura pa deklaruar dhe drejtohej me to drejt qytetit të Sarandës, fakt ky që e ka deklaruar vetë drejtori i Shtëpisë së Fëmijës tek avokatja ime.

Cila është përgjigjja?
Megjithëse me kërkesë të Prokurorisë së Janinës ka kohë që kërkohen organet e vajzës, ende nuk është bërë e mundur një gjë e tillë. Pak ditë më parë mjeku ligjor i Janinës, Theodhori Vugiuklaki, profesor në Spitalin Universitar të Janinës, i cili ribëri vetë autopsinë e vajzës me kërkesë tonën (autopsia u bë në datën 17 nëntor 2014, ditë kjo kur ishte vendosur të bëhej dhe varrimi në orën 3:00 pasdite), na tha se në trupin e vajzës nga analizat histologjike-toksikologjike ka gjetur dozë nga narkoza, që vërteton që mbi trup të vajzës është kryer ndërhyrje mjekësore kur vajza ka qenë ende gjallë dhe se ka humbur jetën nga hemorragjia difuze. Ndërkohë që mjeku ligjor i Janinës dha ekspertizën përfundimtare, në një takim me prokuroren e çështjes në Janinë i është kërkuar atij gjithashtu të bëjë dhe një plotësim të ekspertizës të organeve të vajzës, që pritet nga dita në ditë të dërgohen nga Tirana në Janinë. Kjo për të vërtetuar se në çfarë organi të trupit është bërë ndërhyrja mjekësore, edhe pse mjeku ligjor ka dhënë shpjegimin se për çfarë ndërhyrjeje përdoret ajo lloj narkoze që është gjetur në trupin e vajzës. Me këtë përgjigje të mjekut ligjor të Janinës tanimë jo dyshoj, por bindem se vdekja e vajzës sime nuk ka ndodhur gjatë segmentit rrugor Metoq- Pllakë. Po jo vetëm kaq, unë dyshoj shumë edhe në ekspertizën mjekoligjore të kryer në Tiranë, ndërsa dyshoj edhe tek Prokuroria e Sarandës, që do të mbyllë një çështje që është kriminale. Për mua këtu fshihet një krim dhe ai fshihet nga organe që e kanë për detyrë të gjejnë të vërtetën. Nisim nga fakti se Papa (bashkëjetues me ish-gruan time) ka kaluar vajzën në kufi dhe pse nuk kishte prokurorë nga e ëma, e po ashtu nga ora 12:30 që kanë lënë Sarandën, në spital vajza ka mbërritur në 15:30. Ndërsa jam i zhgënjyer nga hetimi atje në Shqipëri, shoh hetim serioz nga organet kompetente këtu në Greqi dhe se shumë shpejt do të verë para ligjit personat përgjegjës të vdekjes së bijës sime, Kostandina.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura