Vazhdojnë risitë, Elbasani me not drejt… Superiores

Aug 18, 2018 | 22:54
SHPËRNDAJE

Pas biçikletave i vjen radha pishinës. Nëse pak ditë më parë, përgatitësi atletik i skuadrës së Elbasanit, Blendi Hoxholli, kërkoi “ndihmën” e biçikletës për të stërvitur lojtarët, kësaj here i është drejtuar pishinës.

elbasani

Për afro një orë, në një nga pishinat e qytetit të Elbasanit, duke përfituar edhe nga vapa e madhe, verdheblutë kanë notuar, duke vënë kështu në lëvizje të gjithë muskujt e trupit. Hoxholli kërkon që lojtarët të arrijnë në kushtet optimale fizike deri në startimin e kampionatit dhe po përdor çdo mundësi të mundshme për t’ia arritur këtij qëllimi, sigurisht duke mos e kthyer as në monotone stërvitjen.

Përpos notit, pasi nuk ishte ky qëllimi i vetëm i kësaj seance stërvitore, lojtarët kanë bërë ecje në ujë, si edhe kanë zhvilluar lojëra të ndryshme me top. Me sa duket, pak e nga pak po kthehet në një ritual të zakonshëm një seancë stërvitore ndryshe në klubin e Elbasanit, me qëllimin e vetëm që ushtrimet e forcës të bëhen edhe duke u argëtuar. Në ditët në vijim mësohet se do të ketë të tjera risi të kësaj natyre. Mbetet vetëm për t’u parë se cila do të jetë surpriza e radhës për verdheblutë.

elbasani

PËRGATITJA FIZIKE – Futbolli shqiptar nuk njihet për talente të mëdhenj dhe zakonisht, skuadra që ka një përgatitje të mirë fizike ia del të fitojë dhe të jetë sa më rezultative në kampionat. Për më tepër që në Kategorinë e Parë, kjo është akoma më shumë e theksuar, për shkak të futbollit të ashpër që luhet aty.

Këtë gjë e dinë mjaft mirë në Elbasan dhe në këtë periudhë përgatitoreje po i kushtojnë shumë rëndësi këtij aspekti, në mënyrë që mangësitë teknike të lojtarëve në fushë, të kompensohen me ato fizike. Edhe doza e ushtrimeve fizike në stërvitje ka ardhur duke u rritur nga dita në ditë, pasi këto ditë skuadra ka bërë edhe cirkuite force, që kërkojnë përgatitje të lartë fizike për t’u realizuar.

Duke qenë se për momentin skuadra po dështon në afrimin e lojtarëve cilësorë, aktualisht kjo gjë është kompensuar me anën fizike. Kjo është parë në miqësoret e zhvilluara deri më tani, ku elbasanasit kanë bërë paraqitje të mira dhe shpresohet që deri në startimin e kampionatit të jenë në “top-formë”. E megjithatë, vëmendja mbetet në merkato, ku priten afrimet cilësore nga elita.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura