Vatrat e reja të virusit në shkolla/ Tiranë, shkon në 20 numri i mësuesve të infektuar

Sep 18, 2020 | 10:23
SHPËRNDAJE

Edhe Shqipëria duket se nuk po bën përjashtim nga trendi i rritjes së infektimeve me hapjen e të vetmeve institucione që nuk i çelën dyert pas karantinës, shkollat.shkolle5

Listës së të prekurve me koronavirus, çdo ditë i shtohen edhe mësues në të gjitha qytetet e vendit e në të gjitha ciklet e shkollimit, nga çerdhet deri në gjimnaze.

RASTET NË TIRANË

Nga 12 mësues të infektuar që rezultonin në ditën e parë të shkollës, më 14 shtator, numri i mësuesve të prekur me koronavirus mësohet të ketë arritur në 20.shkolle dyndje

Ata i përkasin shtatë institucioneve arsimore, 9-vjeçare e gjimnaze. “Jeronim de Rada” ishte e para shkollë dhe më problematikja, pasi ka një numër relativisht të madh mësuesish të infektuar, midis tyre edhe drejtoresha e shkollës.

Deri në rikthimin e saj, të gjitha përgjegjësitë e menaxhimit të një situate të pazakontë i ka marrë përsipër Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, e cila mësohet të ketë stacionuar një specialiste pranë ambienteve të kësaj shkolle. Të infektuar me virusin e ri janë edhe dy mësues në gjimnazin “Partizani” dhe “Asim Vokshi”.

Në periferi të Tiranës figurojnë të prekur në shkollën 9-vjeçare të Qesarakës dy mësues, ndërsa janë raportuar infektime edhe në “Institutin e nxënësve që nuk shikojnë” dhe në shkollën “17 shkurti”. Pjesë e listës janë edhe arsimtarë të izoluar pas rasteve të afërta familjare. Fatmirësisht, ato janë identifikuar përpara 14 shtatorit dhe nxënësit nuk kanë pasur asnjë përballje me mësuesit e infektuar. Deri më tani, Drejtoria e Shëndetit Publik në Tiranë ka raportuar për vetëm tre nxënës të prekur nga infeksioni.

SITUATA NË RRETHE

Deri në ditën e parë të shkollës nuk kishte asnjë të dhënë mbi depërtimin e COVID në institucione arsimore, ndonëse puna për mësuesit nisi që në 20 gusht.

Rinisja e mësimit regjistroi mungesën e disa prej tyre, duke nxjerrë zbuluar zyrat vendore që u detyruan të raportonin tek-tuk rastet e infektuara apo ato që ishin në pritje të tamponit, pasi kishin të afërm me COVID. Vetëm në qytetin e vogël të Kolonjës u izoluan 12 arsimtarë, duke pezulluar për disa ditë mësimin në disa klasa të fillores.

Raste të tjera janë regjistruar edhe në Fier, Delvinë e Gramsh. Një gjë e tillë ka shtuar frikën te prindërit, të cilët duket se nuk po i bindin as studimet mbi transmetueshmërinë e ulët të virusit midis fëmijëve. Me situatën aktuale nuk mund të flasim për mbyllje klase, e aq më pak shkolle.

Shifrat janë zbuluar përpara se të nisë puna në shkolla dhe situata është nën kontroll. Vendimi për mbylljen e një klase apo shkolle merret nga Ministria e Shëndetësisë dhe ISHP-ja, të cilat kanë deklaruar disa herë se nuk mjafton një apo dy raste për të pezulluar mësimin.

Sidoqoftë, plani “B” i Ministrisë së Arsimit ka parashikuar që në këto raste të vijojë mësimi online nga shtëpia përmes platformës dhe “RTSH shkolla”.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura