Vatikan-Shqipëri: 30 vjet miqësi e rigjetur

Sep 8, 2021 | 19:28
SHPËRNDAJE

GJERGJ META 

dom gjergj metaNunci i fundit, i cili qe dëbuar nga Shqipëria të nesërmen e Luftës së Dytë Botërore, qe Shkëlqesia e tij Mons. Nigris dhe në vendin e tij qe emëruar delegat apostolik Mons. Frano Gjini, Abati i Oroshit, i cili vdiq martir duke u pushkatuar në 1948-tën, menjëherë pasi i pati shkruar një letër diktatorit Hoxha mbi të drejtat e katolikëve në Shqipëri.

Në atë kohë, komunikimi midis Vatikanit dhe Shqipërisë mori fund. Ipeshkvijtë shqiptarë, asokohe të burgosur, nuk e patën të mundur të merrnin pjesë as në Koncilin II të Vatikanit. Shën Gjoni XXIII i pati përmendur Ipeshkvijtë përtej perdes së hekurt në fjalimin e tij përurues në hapjen e Koncilit: “E rrëfejmë se sot na mundon një dhembje e madhe sepse në mesin tuaj mungojnë shumë Barinj të Kishës, që i kemi shumë për zemër, të cilët për shkak të Fesë së Krishtit mbahen në hekura ose u zihet rruga nga pengesa të tjera dhe kujtimi i tyre na shtyn të ngremë para Hyjit lutje tejet të zjarrta për ta…”.

Shqipëria nuk qe as pjesë e proceseve të rëndësishme Ostpolitike, të cilat bënë që Vatikani të qaste marrëdhënie të caktuara me vendet e kampit komunist. Mbyllja qe totale.

Ishte e nevojshme të pritej deri më 7 shtator 1991, pas një korrespondence të ngjeshur mes qeverisë së atëhershme shqiptare dhe Selisë së Shenjtë, për të qenë në gjendje të rimëkëmbeshin marrëdhëniet diplomatike. Nunci i parë qe Shkëlqesia e tij Mons. Ivan Diaz, i cili më vonë u krijua edhe Kardinal. Ndërsa nga ana e Shqipërisë qe intelektuali shkodran Prof. Willy Kamsi.

Në këto vite të marrëdhënieve diplomatike, është dalluar një mirësjellje dhe interesim i madh. Dy papë kanë vizituar Shqipërinë, shën Gjon Pali II në vitin 1993 dhe Papa Françesku në 2014-tën. Ndërkohë, është nënshkruar edhe një marrëveshje mes Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë me firmën e Sekretarit të Shtetit, Lartësisë së tij Kard. Angelo Sodano. Kjo e fundit është pasuar nga marrëveshje të tjera të natyrës ekonomike.

Mirëpo, është falë angazhimit të Kishës Katolike, të Ipeshkvijve, të misionarëve/eve dhe shumë besimtarëve/eve që këto marrëdhënie janë bërë të dukshme. Angazhimi i të krishterëve katolikë në shumë sektorë të jetës shoqërore dhe shpirtërore të vendit, i dha dukshmëri angazhimit të Kishës Katolike në vend. Ndihma për të varfrit, shkollat ​​katolike nga kopshti deri te Universiteti, kanë dhënë një kontribut të madh në demokratizimin e vendit dhe në rritjen e tij.

Kemi ende rrugë të gjatë për të bërë dhe këto marrëdhënie të ndërsjella kanë ende shumë për të përmirësuar. Ndërkohë, megjithëse në mes të kaq shumë vështirësive lokale dhe universale, Kisha po rritet dhe po bën më të mirën e saj për jetën e vendit dhe të çdo personi.

Shkëmbimet diplomatike janë të rëndësishme si për lirinë e kultit dhe të besimit të katolikëve, ashtu edhe për aspiratat e Shqipërisë drejt integrimit europian. Tradita katolike e vendit tonë ka qenë një urë lidhëse e rëndësishme e Shqipërisë me Europën, kontinentit të cilit ajo i përket jo vetëm gjeografikisht.

Sigurisht që mund të thuhet shumë më tepër dhe ndoshta mund të vihen në dukje edhe gjëra të cilat duhen përmirësuar, por le të mbeten për një herë tjetër. Ky është momenti për të kremtuar një marrëdhënie të përzemërt dhe shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe për katolikët shqiptarë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura