Vata: Grima ka 27 vite që degjenerohet, i kam thënë të bëhet trajner portierësh se s’ka kapacitet

Nov 14, 2017 | 20:31
SHPËRNDAJE

Ish-trajneri i Vllaznisë, Rudi Vata, nuk e ka pri tur aspak mirë replikën e Armir Grimës, i cili është shprehur se ai ka degraduar. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Vata është shprehur: “Unë nuk kam folur se si është Armir Grima si njeri, pasi, po të kisha dhënë përshtypjet e mia për të si njeri, do kisha folur ashtu si e njoh unë.

Rudi-Vata

Por, unë jam pyetur dhe kam folur për problemet te Vllaznia. Kam dhënë një përgjigje duke u bazuar te faktet dhe jo të fjalët. Unë e kam gjykuar Grimën nga ana profesionale duke u bazuar tek eksperienca që kam pasur te Vllaznia. Unë nuk e kam quajtur, burrë i pashëm, ose i shëmtuar. Nuk është mirë që një burrë të shajë një tjetër, pasi nuk jemi dhe në moshë.

E kemi kaluar moshën e adoleshencës. Por, ai më paska quajtur emigrant i degraduar. Më vjen mirë që kam qenë një refugjat dhe kam kërkuar në fillimet e mia të emigrimit të jem një refugjat politik dhe jam krenar për atë veprim që kam bërë. Kam kërkuar të largohem nga Shqipëria dhe të marr një zhvillim si njeri dhe nga ana profesionale, duke ndërtuar një botë të civilizuar dhe kulturuar. Këtë e kam shfrytëzuar që të bëhem një person i suksesshëm në profesionin tim, me punën, seriozitetin dhe sakrificat e mëdha të viteve ’90, ku shkalla e vështirësisë ka qenë  e madhe.

Rudi-Vata

Zakonisht mëshirohen ata njerëz që presin diçka nga emigrantët jashtë. Ata njerëz që kanë mbetur të paformuar dhe degradojnë deri në atë pikë saqë nuk njohin asnjë vlerë morale. Rudi Vata nuk është ndër ata që ka shkuar jashtë dhe i ka nxirë faqen vendit të tij. Rudi Vata e ka arritur gjithçka me djersë kudo. Por në Shqipëri, po të kishte sistem vlerash, Grima nuk do të punonte kurrë te Vllaznia. Në një klub aq të madh si Vllaznia. Kurrë!

Rudi Vata Rubrika Sportive

Por kjo është Shqipëria, ku edhe futbolli ka degraduar deri në atë pikë saqë një njeri si Grima mund të përfundonte drejtor në një klub aq të madh. Mëshirë për Armir Grimën, jo për ata njerëz që emrin dhe karrierën e tyre e kanë ndërtuar me sakrifica dhe dinjitet. Personalisht jam pranuar në këto shoqëri të civilizuara dhe kam dalë nga ambienti ku Grima ka 27 vite që është baltosur, është përzierë, është degjeneruar dhe ka shkatërruar mendjen jo vetëm për faj të tij, pasi edhe ambienti e ka përdorur”, ka thënë Vata.

KËSHILLA

Vata, ndër të tjera, flet edhe për një këshillë që, sipas tij, i ka dhënë Grimës në kohën kur ishte te Vllaznia. “Fjala degradim është e kundërta e fjalës zhvillim. Pra, do të thotë se Rudi Vata është një njeri i shkatërruar, endacak, pijanec i palarë etj. Por, mua nuk më rezulton që pozicioni ku jam sot si qytetar britanik, nuk po më duket se jam unë i degraduar. Kështu që Grima po më duket ashtu siç e kam paraqitur në Shkodër.

grima

Njerëzit që nuk kanë vlera qytetare, që nuk kanë vlera profesionale, që janë të përdorur nga politika, duke u bazuar tek eksperienca ime këta njerëz i kanë shërbyer Vllaznisë jo në mënyrën më të mirë. Nuk i ka sjellë askush situatat jo të mira te Vllaznia se i solli dikush prej malit. Ata njerëz që kanë qenë në stafin teknik kanë pasur në dorë ta bëjnë skuadrën të suksesshme.

Rezultatet tregojnë se këta njerëz kanë qenë njerëz me vlera të dobëta profesionale, pa integritet dhe pa vizionin e duhur që Vllaznia të mbërrijë në ato nivele. Unë mendoj se degradim më të madh se të jesh trajner i ekipit kombëtar dhe të pësosh nga katër pesë gola në çdo ndeshje, nuk ka. Ekipi kombëtar i femrave i drejtuar nga Grima u degradua me rezultatin 3-0 nga Skocia. Ekipi i Vllaznisë së Shkodrës u degradua në drejtimin e Armir Grimës, si drejtor teknik.

Armir Grima Kombetarja e femrave

Pasi Vllaznia u degradua. E vërtetë është se, në momentin që unë kam filluar punë te Vllaznia, jam propozuar nga Armir Grima te kryetari i bashkisë. Në të njëjtën kohë, mund të kem bërë rreth 2 orë bisedë personalisht me kryebashkiakun e Shkodrës në atë kohë, që ai të bindet që unë e marr Vllazninë. Dhe gjatë asaj kohe, Grimës ia kam bërë një këshillë shoqërore sepse e kam menduar shok. Kur u bëra trajner te Vllaznia i kam thënë që pozicioni i tij dhe kapacitet e tua nuk janë për të qenë drejtor teknik i Vllaznisë.

Rudi-vata

Ajo që ti mund të bësh mirë edhe në aspektin profesional, është se ti mund të jesh trajner i portierëve të Vllaznisë dhe ndoshta mund të rritesh në karrierë. Dhe duke qenë trajner portierësh do të kishte mundësi të ishte më aktiv dhe të vazhdonte gjatë në këtë profesion. Sa i takon drejtorit teknik nuk të shkon, pasi nuk e plotëson profilin”, ka përfunduar Vata në deklaratën e tij për “Panorama Sport”.

ARMAND HALILI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura