Vasilika Tafa: “Kjo shtëpi nuk është hotel”

Dec 8, 2014 | 15:11
SHPËRNDAJE

Si mund ta lexosh këtë libër me një kënge në sfond

Çdo libër që botoj apo lexoj më jep shumë emocion. Por… kësaj radhe, me librin që sapo kam botuar dhe rilexuar, kam përjetuar ndjesi krejt ndryshe. Libri që më ka bëre të mendohem gjatë, por edhe ta vlerësoj si një këshillues të mirë është një bashkëbisedues për prindërit dhe adoleshentët.
“Kjo shtëpi nuk është hotel”, kështu titullohet ky libër që ka ardhur pas shumë emisionesh të suksesshme në Itali, për adoleshentët, drejtuar nga Alberto Pellai. Përvojat e komunikimit me prindër, por edhe me adoleshentë janë përmbledhur nën këtë titull, që na “burgos” në mendime të thella, sidomos prindërit që i kanë fëmijët e tyre në pragun e adoleshencës. Shumë çifte,  përballë fëmijëve që u rriten para syve, shpesh janë të pafuqishëm që të kuptojnë komunikimin e tyre, sjelljet e rebeluara, heshtjet e gjata a mbylljet në vetvete, duke mos gjetur asnjë dritare bashkëbisedimi me ta. Këto përvoja e shumë befasi të kësaj moshe komplekse, rrethanat e komplikuara në të cilat adoleshentët shpesh e vendosin vetveten, i ndesh të trajtuara me detaje në brendësi të këtij libri. Bashkëbisedimi i gjatë i Alberto Pellai-t me “miqtë” e tij prindër dhe adoleshentë, detajet e përvojave të tyre emocionuese, janë thirrje për reflektim.
“Çfarëdo gjëje që të bësh, unë të kuptoj dhe të fal”, kjo është fjalia shpesh edhe “justifikuese” që prindërit artikulojnë kur gjenden para një problemi serioz me fëmijën e tyre adoleshentë. Por a mjafton kjo? A është kjo zgjidhja apo ajo për të cilën kanë nevojë fëmijët tanë në probleme kritike? Në të vërtetë ne prindërit fillimisht duhet t’ia themi vetes me zë të lartë, që edhe unë kam faj. Nuk është zgjidhja e problemit kur ulërijmë për atë se çfarë ka ndodhur, apo kur ndodhemi para faktit pa kthim. Shpeshherë, prindërit e pakënaqur, kritizerë, sidomos ata që kanë probleme serioze mes tyre, artikulojnë shprehje që për adoleshentët, në situata kritike janë mjaft të dëmshme.
“Nuk më pëlqen më asgjë nga ato që ti bën, mënyra se si sillesh dhe vepron, kështu që tanimë duhet të na bindesh”. Kjo është një nga shprehjet tipike, që në çaste nervozizmi e kemi më të thjeshtë për të treguar se mes nesh ka humbur besimi. Pikërisht në këtë rast, kemi goditur atë që ata vetë po mundohen të ndreqin, marrëdhënien e besimit me veten dhe të tjerët. Parë nga një këndvështrimi më i gjerë, besimi te vetja është ajo ndjenjë që i bën adoleshentët “më të rritur”, më luftarakë, më ëndërrimtarë, që i kontrollon emocionet, por edhe që të kërkojnë pa ndrojtje atë që meritojnë. Kjo është koha kur adoleshenti është duke braktisur periudhën e fëmijërisë. Kjo fazë kërkon vëmendje të veçantë sepse është koha kur ai gjendet i zbuluar në mes të një bote që nuk është aq “miqësore” me të dhe ai do ta eksplorojë për ta “zotëruar” atë. Në rastin kur vetë adoleshentët konstatojnë se edhe prindërit kanë humbur besimin tek ata, mund të gjendemi përballë pasojave, të cilat nuk mund t’i imagjinojmë. Këto janë disa faza të ndryshimeve të mëdha emocionale dhe fiziologjike, të cilat janë të pashmangshme në procesin e rritjes, një rrugë nëpër të cilën edhe ne prindërit kemi kaluar. Shpesh ky proces shkakton mundime komplekse. Kjo është koha e duhur që të administrojmë me kujdes situatën duke qenë më të përkushtuar dhe më të vëmendshëm ndaj “pakujdesive” që bëjnë adoleshentët. Por ne prindërit fillimisht duhet të kemi “qartësuar” situatat mes njëri-tjetrit. Duhet të jemi të mirëkuptueshëm dhe të kemi të njëjtin qëndrim përballë problematikave që lindin në këtë “stacion” të ri prindërimi, adoleshencën. A është e lehtë dhe e hijshme që të pranojmë “fajin” e adoleshentit tonë… Si zgjidhja më e lehtë, por edhe si një mundësi për të dalë nga situata në të cilën vendosemi “papritur”, na vjen vënia me shpatulla pas murit, shkarkimi me tone të larta dhe në fund “dënimi”. Pikërisht ky është ai çast që na nevojitet për të reflektuar dhe për ta bindur veten se ai nuk është i vetmi fajtor. Jemi edhe ne. Ne që e kemi braktisur dhe e kemi lënë të vetëm atë përballë një morie të madhe problemesh në këtë fazë ndryshimi të tij.
Por kush prej nesh ka guxuar dhe i ka thënë më fal për “braktisjen” në këtë rrugëtim të vetëm e të rrezikshëm? Po kur i kemi lënduar pa dashur ata në ndjenja apo në personalitet? Kush prej nesh i ka vlerësuar kur kanë ndërmarrë iniciativa të guximshme? Kjo situatë indiference, mosbesimi dhe vlerësimi, nga ana e prindërve, por edhe e shoqërisë, bashkangjitur ndjenjat ende të paqarta brenda vetes, shpesh i bën adoleshentët depresivë, agresivë, mosbesues, mospranues, të pashpresë. Veçse jemi ne prindërit, të rriturit që duhet të sjellim në vëmendje se vlerat njerëzore rriten me kujdes dhe janë investim i përbashkët i familjes dhe gjithë shoqërisë. Isha duke e përmbyllur mendimin tim për librin dhe krejt shkujdesur hoqa duart nga tastiera dhe nisa të artikuloj vargjet e një kënge të re të vëllezërve korçarë “Mamën ti mos e gënje/kur të kthehesh n’ora tre”.
M’u përzjenë emocionet me tingujt e këngës dhe konstatova e përjetova edhe një nga problematikat e adoleshentëve. Në fund të fundit, të gjithë prindërit dhe adoleshentët e botës kanë problematika të njëjta. Kështu shkruan edhe Alberto Pellai në librin e tij “Kjo shtëpi nuk është hotel”, të cilin këshilloj të lexohet edhe me këtë këngë në sfond.   

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura