Vasilika Petrela: Kujtimet e tim eti, Sotir Papakristo. Si e njihte im atë Enverin dhe Nexhmijen

Oct 1, 2012 | 15:29
SHPËRNDAJE
Vasilika Petrela, dalë në ambientin e shtëpisë së saj. Foto: Vlasov Sulaj

E bija e helenistit Sotir Papakristo tregon për veprimtarinë e të atit në arsimin shqiptar, rolin si përkthyes dhe drejtues në nivele të larta pedagogjike. Si u caktua drejtor i Liceut Francez të Korçës, ku ishte nxënës Enver Hoxha. Marrëdhënia me djaloshin e urtë gjirokastrit, i cili vite më vonë do të bëhej figura më e përfolur dhe funksionari më i lartë i shtetit komunist shqiptar. Pse u detyrua të pranonte urdhrin direkt të ministrit të Arsimit, Mirash Ivanaj, për të drejtuar institutin femëror “Nëna Mbretëreshë” në vitin 1933, ku mësonin Nexhmije Xhuglini, Fiqirete Shehu, Vito Kapo etj. Vasilika Petrela, ish-nxënësja e pianistes Lola Gjoka, rrëfen kujtimet e gjashtë viteve të jetesës në ambientet e këtij instituti femëror…

Kur ishim fëmijë Eskili, Euripidi apo Sofokliu nuk mund të mos na mahnisnin me labirintin e perëndive kapricioze e heronjtë e çartur, që u dilnin ballazi dhe hyjnive. Fillimisht i përpimë të përshtatura në vargje, kur mendja jonë ishte e gatshme të hynte në pyllin e simboleve mitike, edhe në vargje. Por kjo magji që na vinte nga Greqia e lashtë nuk mund të kuptohet pa shqipëruesin e tyre, Sotir Papakristo. E bija, Vasilika Petrela, e cila ka trashëguar përkthimet e tij, ndihet krenare për punën e të atit, ndërsa e vlerëson faktin që breza të tërë nxënësish dhe studentësh kanë mësuar mbi letërsinë greke përmes librave që mbajnë vulën e tij të përkthimit. Por, Sotiri u njoh edhe për kontributin në arsimin shqiptar, duke përfshirë metodika të reja mësimore dhe metoda didaktike. Gjatë viteve që punoi si drejtor në Liceun Francez të Korçës dhe tetë vite më pas në institutin femëror “Nëna Mbretëreshë”, kaloi ndër duar të rinj e të reja, që më pas do të ktheheshin në figurat kryesore të politikës shqiptare, që nga ish-diktatori Enver Hoxha te Nexhmija, Fiqirete Shehu e Vito Kapo. Vetë Vasilika Petrela, pianistja e dalë nga duart e së famshmes Lola Gjoka, nuk ndalet vetëm në aktivitetin pedagogjik të të atit. Ajo flet edhe për vitet e veçanta të jetesës në institutin “Nëna Mbretëreshë”, mësimet e pianos me Lola Gjokën e Jorgjie Trujën, deri te brezat e tërë të artistëve që ajo ka mësuar, e që sot zhvillojnë aktivitetet e tyre artistike të shpërndarë nëpër botë.  

Këtë vit, çdo aktivitet mban “vulën” e 100-vjetorit. Është kujtuar ndokush për babain tuaj, përkthyesin dhe arsimtarin Sotir Papakristo?

Vasilika me të shoqin, violinistin Islam Petrela

Nuk më kishte shkuar ndër mend që do të kishte një rivlerësim të figurës së tim eti, edhe pse gjurmët e punës së tij dhe zhvillimet rrënjësore që i solli gjuhësisë dhe arsimit shqiptar, tashmë janë të dokumentuara. Para pak ditësh, shkrimtarja Meri Lalaj erdhi të më takonte në shtëpi, duke më shprehur se do të botohet një libër për institutin femëror “Nëna Mbretëreshë”. Si drejtues për tetë vite i këtij instituti, babai pati një rol të madh në kontributin e tij me përfshirjen e disiplinave të reja, të metodikave mësimore dhe materialeve didaktike që solli në këtë shkollë. Pa harruar përvojën e pazëvendësueshme në krye të këtij instituti, famëmadh edhe për praninë e emrave që do të bëheshin të njohura vite më vonë, si Nexhmije Xhuglini, Vito Kapo, Fiqirete Shehu apo artistet Lola Gjoka, Jorgjie Truja etj.
Para se të bëhej drejtor i institutit “Nëna Mbretëreshë”, babai juaj ka drejtuar edhe Liceun Francez të Korçës dhe për gati një vit gjithë arsimin shqiptar…
Përpara se të emërohej drejtor administrativ i këtij Liceu, i cili kishte edhe një tjetër drejtor teknik, por francez, babai vinte në këtë detyrë, menjëherë pasi dha dorëheqjen nga posti i ministrit të Arsimit në vitin 1925. Kjo detyrë zgjati jo më shumë se një vit, edhe pse kur mori postin im atë më tregonte shpesh se kish gjetur një kaos të mirëfilltë në arsimin shqiptar. Nuk kishte struktura të nevojshme që punonin për konceptet, për metodikat e mësimdhënies, ndaj iu desh të

Vasilika Petrela, duke dhënë mësime pianoje

punonte fort. Por, atij iu vështirësua mjaft roli si ministër, sepse shihte grupazhet e individëve që punonin kundër tij, që e sulmonin duke i thënë se punonte shumë, vetëm që të mos e quanin grekoman. Përpos favoreve të ndryshme që njerëz të afërt pranë Mbretit Zog vinin për t’i kërkuar në zyrë: bursa të pamerituara për fëmijët e tyre, trajtime të veçanta nëpër shkolla etj. Babai ishte i ndershëm dhe nuk i duronte dot këto padrejtësi, ndaj i shkoi në zyrë kryeministrit të kohës Koço Kotes, për t’i kërkuar dorëheqjen. Dhe një prej arsyeve të forta në këtë vendim, ishte dhe dëshira e madhe e tij për t’u rikthyer në Korçë, ku kishte pasur më herët një përvojë pune si kryeinspektor i Arsimit dhe drejtor i gjimnazit grek. Në detyrën e re të drejtorit administrativ të Liceut Francez të Korçës, atij i duhej të merrej me gjithçka ndodhte brenda në shkollë. Ka qëndruar për tetë vite në këtë detyrë, e cila s’ka qenë e lehtë për ngarkesën dhe përgjegjësinë që kishte.
Ky lice u bë edhe më i famshëm, për shkak se atje studioi e më pas dha mësim Enver Hoxha, ç’ju ka treguar babai për të, çfarë nxënësi ishte?
Babai më fliste shpesh për vitet e drejtimit të këtij liceu, edhe pse ruante kujtime të këqija për këtë periudhë. Ndodhi që kur u mbyll gjimnazi i Gjirokastrës, një grup i konsiderueshëm nxënësish erdhën për të studiuar në Liceun Francez të Korçës, mes tyre edhe Enver Hoxha. Ky grup nxënësish i kishte prishur tërësisht disiplinën liceut, sepse ishin individë të pabindur dhe kryesisht të zhurmshëm. Duhet të shkonte babai darkave nëpër dhomat ku flinin që të vinte rregull dhe qetësi, se ndryshe situata dilte jashtë kontrollit. Çuditërisht më i urti nga të gjithë këta nxënës, ishte Enver Hoxha.
Shumë thonë se ai nuk shkëlqente në shkollë…

Sotir Papakristo në ambientet e institutit femëror “Nëna Mbretëreshë”, përkrah tij, Lola Gjoka dhe Jorgjie Truja

Për tim atë, tetë vitet e drejtimit të Liceut Francez të Korçës kanë qenë një nga sfidat më të rëndësishme në aspektin arsimor në vend. Por, kur i referohej kastës së nxënësve të njohur aty, për rezultatet apo arritjet që kishin, Enver Hoxha nuk bënte pjesë në këtë listë. Thënë ndryshe, nuk ka qenë nga ata nxënësit që kanë spikatur, ashtu siç do të ndodhte më të më vonë, kur u bë udhëheqësi më i lartë i shtetit komunist. Por një episod që im atë e tregonte shpesh, ka qenë një fragment i ndodhur mes Enver Hoxhës dhe mësuesit francez të historisë në lice. Gjatë zhvillimit të një ore mësimi historie, Enveri me këtë profesorin francez kishin debatuar dhe konkluduar në argumente historike aq gjatë, sa kur kishte përfunduar ora e mësimit, profesori kishte shkuar menjëherë në zyrën e babait dhe i thotë: “Z. Papakristo, se ç’është një farë Enver Hoxha aty në klasë. Mbaje mend nga mua, një ditë do t’ia dëgjoni zërin atij djali!” Dhe ashtu ndodhi.  Zëri iu dëgjua, por jo për mirë, fatkeqësisht.
A ruajti raporte njohjeje babai juaj me Enver Hoxhën?
Enveri e kujtonte gjithmonë si profesorin dhe drejtorin e rreptë të liceut. Aq sa, në vitin 1961, në një konferencë të linguistikës të zhvilluar në Tiranë, ku i ftuar ishte edhe im atë si personalitet i gjuhësisë dhe përkthimit, ata të dy ishin takuar dhe babai i kishte bërë vërejtje Enverit për konsumin e tepërt të duhanit dhe ai me të qeshur ia kishte pritur se “Ti Sotir, vazhdon të mbetesh ai drejtori i dikurshëm i rreptë i liceut…”.
Pas Liceut Francez të Korçës, me urdhër direkt të ministrit të Arsimit, Mirash Ivanaj, emërohet drejtor i institutit femëror “Nëna Mbretëreshë”. Ç’i karakterizonte këto vite?

Sotiri si drejtues i Insitutit “Nëna Mbretëreshë”, gjatë një momenti pune me sekretaren e shkollës

Kjo ndodhi në vitin 1933, kohë kur u vendos hapja e liceut për femra “Nëna Mbretëreshë”. Ekzistonin femrat me ferexhe dhe fanatizmi në shoqëri ishte në nivele të larta, ndaj babai do e kishte të vështirë… Ishte ministri i Arsimit që këmbënguli, duke njohur virtytet dhe ndershmërinë e babait, që instituti do të hapej vetëm nëse drejtor vendosej Sotir Papakristo. Ndaj, im atë u detyrua të jepte dorëheqjen nga drejtimi i liceut, për të marrë në dorëzim këtë institut femëror. Ai vendosi rregulla të rrepta. Përveçse asnjë këmbë burri nuk lejohej të futej aty, të gjitha femrat duhet të ishin të veshura me përparëse të zeza dhe çorape të bardha. Gjithashtu, ai u njoh për përfshirjen e disiplinave të reja studimore. Futi sportin dhe artet në këtë institut, sepse ishte me parimin që ushtrimet sportive të ushqejnë trupin, ndërsa arti ushqen shpirtin.
Ju keni jetuar për tetë vite në këtë Institut. A kishte diçka që ju bënte përshtypje, femrat që mësonin aty?
Duke jetuar në këtë institut, bashkë me familjen time, për shkak të punës së babait, ruaj kujtime shumë të bukura nga qëndrimi aty. Përveç faktit që muzika m’u fut në gjak, dhe unë rrija orë të tëra e mbyllur në dhomë duke qarë, vetëm sepse doja që të studioja piano, mbaj mend që shumë gra që më vonë do të bëheshin të njohura, mësonin aty. Ishin të zellshme në lëndët e përgjithshme mësimore, ndërsa tek artet nuk përfshiheshin fare. Mbaj mend që Nexhmije Xhuglini ishte shoqe e ngushtë me time motër Merin, dhe vinte shpesh në dhomën ku qëndronim ne. Spikasnin prirjet ndryshe dhe pikërisht për shkak të ideologjive të kundërta me time motër, më vonë e prishën marrëdhënien e tyre miqësore.
Thatë se veç politikaneve të ardhshme, atje studionin edhe artiste, si i kujtoni ato?
Asokohe spikaste Lola Gjoka, Marie Kraja, Jorgjie Truja. Mësuesja ime e parë e pianos ishte Lola, dhe të them të drejtën ndihem me fat që kam mundur të mësoj me të. Duke parë të dhënat e mia dhe vullnetin për të mësuar pianon, ajo nuk e kurseu ndihmesën profesionale kundrejt meje, sidomos gjatë viteve që unë jetova në institut. Si mësuese ishte mjaft tolerante, dhe më vjen inat që ajo nuk mundi të më hiqte drojën që edhe sot ekziston tek unë. Kjo bëri që të jepesha më shumë në realizimin tim në pedagogji, sesa si një artiste e skenës e afirmuar nëpër aktivitete artistike. Kjo ka qenë një nga të metat e Lolës, sepse kam kuptuar që asnjë fëmijë nuk do që të mësojë instrument muzikor, dhe në fillim gjithçka ndodh me ndrydhje të madhe. Është detyra e mësuesit që të punojë mbi dhuntitë dhe karakterin e nxënësit për të nxjerrë maksimumin prej tij. Lola ishte më tepër se tolerante në këtë drejtim, edhe pse unë ndihem me fat që jam fryt i punës së saj në fillimet e mia në fushën e muzikës.
Edhe sot në moshën 85-vjeçare, ju jeni po kaq aktive në pedagogji. Jeni mësuesja e shumë prej fëmijëve me prindër të njohur…
Unë nuk bëj dot pa mësimdhënien dhe falë Zotit që kam ende fuqi t’u jap mësim brezave të rinj. Kur u martova me Islam Petrelën, edhe ai një violinist i njohur, vendosëm të punonim të dy dhe investonim njësoj në arritjet profesionale të njëri-tjetrit, duke u fokusuar më shumë në pedagogji. Ndër vite, nga duart e mia kanë dal breza të tërë pianistësh të njohur, mes tyre Rudina Ciko e shoqja e Zhani Cikos, djali i Agim Krajkës, i biri i Rifat Teqes, Gerti Kapo nip i Hysni Kapos, vajza e Ermir Krantjas, e shumë emra të tjerë që sot zhvillojnë aktivitetet e tyre artistike jashtë vendit. Aktualisht u jap mësime private dy fëmijëve të Gjergj Bojaxhiut. Edhe pse jam 85 vjeçe, ndihem ende e gatshme për të dhënë shumë nga vetja.

ERMIRA ISUFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura