Vasilika Duli, pianistja e verbër, koncert recital në Universitetin e Arteve

Jun 1, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Një koncert recital në piano, organizuar në sallën e koncerteve të Universitetit të Arteve, nga e sapodiplomuara, Vasilika Duli nga Elbasani, ka surprizuar auditorin, stafin pedagogjik të këtij universiteti, por më së shumti familjarët e saj. Nuk është hera e parë që kjo sallë ka pritur qindra e mijëra artdashës, por ky recital ishte ndryshe, pasi Vasilika nuk luante në piano, duke lexuar në partitura, por me sytë e shpirtit.

vasilika duli

Që kur erdhi në jetë, ajo nuk do të mund të shihte. E verbër, por me një kurajë të fortë në vete, sigurisht edhe me mbështetjen e familjes së saj, Vasilika do të realizonte ëndrrën e saj të madhe, të bëhej pianiste. Fati i buzëqeshi, ndoshta një herë të vetme në jetë.

“Kam lindur e verbër, por shpresa asnjëherë nuk më ka munguar që të vazhdoj të realizoj ëndrrën time: Të bëhem pianiste. Është instrumenti që dashuroj më shumë, pas familjes sime. Nuk mund ta konceptoj dot ditën, po nuk luajta në piano. Më qetëson, kur luaj në piano, më duket se unë shikoj më shumë se ato që shohin me të vërtetë”, thotë Vasilika.

Dy ditë më parë, salla e koncerteve të Universitetit të Arteve ishte mbushur plot, shumë miq, pedagogë, studentë, madje edhe kureshtarë, ndoqën përreth dy orë recitalin e saj. Sonata Nr.30 e Bethovenit dhe pjesët e tjera të përzgjedhura në program, tingëlluan lehtë dhe bukur, dhe u ndoq me mjaft interes nga publiku. Mes të pranishmëve ishte edhe rektori i Universitetit të Arteve, Petrit Malaj.

 

vasilika duli.jpg3

“Në këtë sallë janë organizuar shumë recitale, koncerte, e shumë e shumë aktivitete, por nuk do të mund të mungoja në recitalin e studentes Vasilika Duli. Një studente e shkëlqyer, ndaj edhe jam sot këtu të them dy fjalë për të”, tha rektori Malaj.

Duke vlerësuar guximin e Vasilikës, besimin e saj në vetvete, Malaj falënderoi ish- studenten e tij për këtë recital, duke i premtuar se ajo do të jetë e pranishme edhe në evente të tjera që ky universitet do të ndërmarrë në të ardhmen. Recitali i saj është shoqëruar nga trupa e baletit të Universitetit të Arteve nën drejtimin e koreografes Kozeta Bakiu, ndërsa gjatë gjithë koncertit, aktorja Rozi Kostani ka recituar vargje të autorëve të ndryshëm, duke i dhënë këtij recitali një tjetër dimension.

“Që në vogëli, kur mësova të njoh njerëzit nëpërmjet instinkteve, të njoh tastierën nëpërmjet mollëzave të gishtave, nuk kam reshtur së menduari se: nëse do, ëndrra bëhet realitet, e rëndësishme është që të kesh dëshirën dhe kurajën”, thotë pianistja. PUNËSIMI Mbas recitalit, shumë buqeta me lule do t’i mbushnin krahët. Ajo nuk mund t’i shohë, por i dallon, i ndjen.

“Jam shumë e lumtur, por ëndrra ime nuk përfundon këtu. Kam studiuar më shumë se një vit vetëm për këtë natë. Por do të vazhdoj të studioj, dua të ndjek profesionin tim, të bëhem pianiste, të mësoj brezat e ardhshëm, pasi nëse ke dëshirën, gjithçka mund ta arrish”, thotë ajo.

Ajo studioi 3 vjet në sistemin bachelor për Piano, më pas kreu edhe masterin në Universitetin e Arteve, dhe tashmë po kryen stazhin në shkollën e muzikës “Onufri” në Elbasan, me shpresën se pasi të kryejë edhe këtë, me ndihëm edhe të Bashkisë dhe Drejtorisë Arsimore të qytetit të Elbasanit ku edhe jeton, të nisë një punë në profesionin e saj si pianiste.

“Kushedi, ndoshta fati do të jetë me mua këtej e tutje, ndoshta kryetari i Bashkisë, apo Drejtoria Arsimore do të bëjnë të mundur që unë të punësohem në qytetin tim, të kem edhe unë të ardhurat e mia, me qëllim që të mos mundoj më familjen, më së shumti nënën time, e cila më ka qëndruar gjithmonë pranë, për shkak edhe të verbërisë sime. Ka ardhur koha që unë tashmë të eci vetë në jetë”, thotë Vasilika.

Vasilika Duli ndoqi mësimet e shkollës fillore dhe 8-vjeçare në Institutin e të Verbërve në Tiranë, atje arriti rezultate të shkëlqyera dhe pikërisht në këtë shkollë ajo kuptoi se dhuntia dhe pasioni e çonin te pianoja. “Më pëlqente të luaja në piano ‘Për Elizën’, ndërsa kompozitori më i dashur për mua është Bach. Më pas vendosa të konkurroj në shkollën artistike ‘Onufri’ në Elbasan, fitova, por e kam ndier veten të fyer. Stafi i shkollës nuk donte që unë të studioja atje, pasi isha e verbër”, shton Vasilika.

Gjithsesi, ajo mundi të përfundojë shkollën e mesme, sërish me rezultate të larta dhe ëndrra e saj u realizua, kur arriti të fitojë për Piano në Universitetin e Lartë të Arteve. “Një ëndërr që Zoti ma plotësoi… M’u duk sikur më dhanë sy, kur më thanë se kisha fituar. Nuk kërkoja më asgjë, vetëm të nisja studimet, dhe tashmë ia arrita”, thotë Vasilika, me shpresën se do të mundet ta ushtrojë pasionin e saj edhe si profesion.

MIRANDA SADIKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura