Vasil Tole: Votimi me zarfe traditë, është krejt normale

May 26, 2016 | 19:00
SHPËRNDAJE

Dy ditë më parë, Akademia e Shkencave mblodhi Asamblenë për të votuar për 5 akademikë të rinj të rregullt. Vetëm dy syresh arritën të merrnin votat e duhura, ndërsa për tre të tjerët Asambleja do të rimblidhet.

vaso_tole-ok

Për shkak të akuzave që janë bërë karshi Akademisë së Shkencave në lidhje me procesin zgjedhor nga ana e disa akademikëve, por edhe Partisë Demokratike, Sekretari i Përgjithshëm i ASH, akademik Vasil Tole, tregon mbi votimin e 23 majit: sa anëtarë kanë marrë pjesë në votim dhe sa ishin të pranishëm në sallë.

Tole sqaron edhe mbi procedurën e votimit me “zarfe” të akademikëve që për një arsye apo një tjetër nuk ndodhen në Shqipëri dhe sa e parashikon statuti këtë mënyrë.

Sipas Toles, ky lloj votimi, tashmë është “traditë” në Akademinë e Shkencave. Sa i përket “thirrjes së hapur”, Tole thotë se kjo procedurë nuk ishte e vlefshme për rastin në fjalë.

Dy ditë më parë u mblodh Asambleja e Akademisë së Shkencave për të zgjedhur akademikët e rinj të rregullt në 5 fusha të miratuara, si u zhvillua procesi?

Mbi bazën e ligjit dhe statutit për Akademinë e Shkencave dhe neneve përkatëse për zgjedhjet, u zhvillua në datën 23 maj, Asambleja e zakonshme e ASH, e cila me rend dite votoi kandidaturat e paraqitura për anëtarë të rregullt të Akademisë. Ishin hapur 5 fusha të lira, ku konkurronin 8 akademikë të asociuar. Mbledhja u zhvillua konform statutit dhe me këtë kam parasysh miratimin e rendit të ditës, pasi ishte kryesia që propozoi organizimin e mbledhjes dhe Asambleja e pa me vend këtë propozim.

Si u votua?

E gjithë procedura zhvillohet me votim të fshehtë. Pas plotësimit të kuorumit me 3 të katërtat, pa të cilin nuk mund të vazhdojë mbledhja, u procedua sipas statutit me ngritjen e komisionit të votimit. Pasi u bë prezenca në votim, nga 34 anëtarë të ASH, te të cilët hyjnë akademikë të rregullt dhe të asociuar, votuan 32 akademikë të pranishëm fizikisht ose përmes votës së mbyllur në zarf. Vetëm dy fusha u plotësuan, ajo e hidroenergjetikës, me akademik Edmond Pingulin dhe ajo e Historisë, që u fitua nga kandidati Marenglen Verli. Tri fushat e tjera që konkurruan nga dy kandidatë, nuk përmbushën numrin e votave, pasi duhen 50 plus 1 për qind.

Sa anëtarë ishin prezentë në sallë dhe sa të tjerë votuan me zarf?

Nga 32 anëtarë, prezentë ishin 25 dhe 7 të tjerë kanë votuar me zarf, pasi nuk ndodheshin në Shqipëri. Dy anëtarë nuk ishin as të pranishëm dhe nuk votuan përmes zarfit. Bëhet fjalë për akademikët Doja dhe Fuga.

A e lejon statuti votimin përmes zarfit?

Po, e parashikon dhe është një traditë tashmë që akademikët që nuk ndodhen të pranishëm fizikisht, kanë të drejtë të shprehin vullnetin e tyre përmes votës së fshehtë, të dërguar me zarf. Është diçka krejt normale. Këtë e përligj e drejta e anëtarëve për të marrë pjesë në votim (neni 3 i statutit). Vota administrohet nga komisioni përkatës. Ajo është e mbyllur dhe kur thirret emri, komisioni hap zarfin dhe fletën e pahapur e fut në kutinë e votimit, bashkë me votat e atyre që janë të pranishëm.

A janë konsultuar ata më parë me dosjet e kandidatëve?

Patjetër. Të gjithë anëtarët e Akademisë kanë pasur mundësi të konsultohen me dosjet e kandidatëve si në variant fizik, ashtu edhe elektronik.

Një nga akuzat që janë hedhur kundrejt Akademisë, në lidhje me zgjedhjen e akademikëve është thirrja e hapur, a ishte e nevojshme në këtë rast?

Jo, sepse nuk bëhet fjalë për zgjedhje të anëtarëve të rinj, por kalimin nga një stad në një tjetër, pra, nga akademik i asociuar në akademik të rregullt. Pra, për anëtarë që janë brenda Asamblesë dhe jo jashtë saj. Nëse do të votohej për anëtarë të rinj, do të zbatohej neni 6, sipas të cilit do të thitheshin mendime nga vetë akademikët, senatet e universiteteve, këshillat e pedagogëve etj. Pra, një procedurë komplet tjetër.

Ç’do të ndodhë me tri fushat e paplotësuara?

Kjo është procedurë që do të rihapet në një moment të dytë. Do t’i propozohet sërish Asamblesë, pasi kryesia nuk ka më të drejtën e vendimmarrjes, siç pretendojnë disa dhe duan të shtrembërojnë procesin.

Përse nuk votojnë akademikët Skënder Gjinushi dhe Rexhep Meidani?

Ata e gëzojnë statusin e akademikut, fituar falë punës së tyre, por nuk marrin pjesë në procesin zgjedhor, pasi ende mbajnë pozicione politike.

Angjeli voton, Meidani dhe Gjinushi të përjashtuar

Edhe pse Akademia e Shkencave ka 36 anëtarë, vetëm 34 syresh kanë të drejtë vote. Akademikët Skënder Gjinushi dhe Rexhep Meidani janë përjashtuar nga kjo e drejtë, për shkak të posteve të tyre partiake. “Ata e gëzojnë statusin e akademikut, fituar falë punës së tyre, por nuk marrin pjesë në procesin zgjedhor, pasi ende mbajnë pozicione politike”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i ASH, Vasil Tole.

Por, nga sa mësohet, i pranishëm në këtë proces, me të drejtë vote, ka qenë akademik Anastas Angjeli, edhe pse ky i fundit është deputet i Partisë Socialiste. Ndërkaq Meidani nuk ka ndonjë funksion partiak. Sipas Toles, për Meidanin dhe Gjinushin ka një vendim të mëparshëm, ndërsa për Angjelin nuk ka një vendim, pasi ai është zgjedhur deputet i Parlamentit Shqiptar.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura