Varrosen në fshehtësi në Bularat 100 ushtarët grekë. Familjarët: Nuk na ftuan…

Jul 17, 2018 | 22:27
SHPËRNDAJE

Në Bularat të Dropullit është zhvilluar ditën e premten në fshehtësi, ceremonia e varrimit të eshtrave të 100 ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës italo-greke, e zhvilluar në vitet 1940-1941.

bularat

Eshtrat e ushtarëve janë gjetur janarin e vitit 2017 gjatë kërkimeve në zonën e Dragotit në Qarkun e Gjirokastrës dhe në bazë të marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke janë rivarrosur me ceremoni në zonën e Bularatit.

Në ceremoni ishin të pranishëm përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme dhe të Jashtme, ambasadorja e Greqisë, Eleni Sourani, dhe kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Nga ana tjetër, kjo ceremoni e varrosjes së eshtrave të ushtarëve të vrarë është kundërshtuar nga familjarët e të rënëve gjatë luftës.

FAMILJARËT

Ndërkohë në mediat greke, familjarët e ushtarëve të vrarë gjatë luftës janë shprehur se janë ndjerë të ofenduar për këtë ceremoni të zhvilluar në fshehtësi. Jorgo Sourlas, kryetari i Shoqatës së të Afërmve të të Rënëve gjatë luftës italogreke, ka thënë për gazetën “Protothema” se të afërmit kanë pritur prej 78 vitesh që të organizohej një ceremoni e denjë për ushtarët e rënë.

“Në këtë ceremoni, e para që prej Marrëveshjes me Shqipërinë, e cila me këmbëngulje është pritur nga të afërmit për 78 vjet, ata jo vetëm nuk janë ftuar si të tjerët, por ministri i Jashtëm Nikos Kotzias nuk i përgjigjet një kërkese me shkrim të paraqitur nga Shoqata që të jenë të pranishëm të paktën anëtarë të Bordit të Shoqatës, fëmijët e ushtarëve të rënë”, ka thënë Sourlas.

Në ceremoninë e zhvilluar në Bularat, Metropoliti i Gjirokastrës, pas përfundimit të Liturgjisë Hyjnore, ka thënë se: “Ushtarët sakrifikuan gjithçka për të jetuar të gjithë ne sot. Jo vetëm si grekë, por edhe si popull i lirë, duke dëshiruar që helenizimi të mos humbasë kurrë nga Veriu i Epirit, meqë çdo cep është ‘ujitur” me gjak grek”.

Ndërkaq, nga Bularati ambasadorja e Greqisë, Eleni Surani, u bëri thirrje familjarëve të dorëzojnë ADN-në e tyre në mënyrë që të bëhet identifikimi i eshtrave. Kurse Ministria e Jashtme greke, në një deklaratë është shprehur se: “Mbi 100 heronj grekë të luftës greko-italiane janë përcjellë në një ceremoni të veçantë që u zhvillua në fshatin Bularat, Shqipëri.

Kjo ceremoni shënon faljen historike të të vdekurve grekë, shpirtrat e të cilëve më në fund mund të prehen në paqe. Zbatimi i marrëveshjes është një shenjë e rëndësishme e progresit në marrëdhëniet greko-shqiptare”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura