Varri në Tiranë, vullneti i mbramë i Ibrahim Kodrës

Feb 9, 2016 | 11:18
SHPËRNDAJE

Behxhet Pacolli

BEHGJET PACOLLI

Pak ditë më parë në Milano, shtëpia e Ibrahim Kodrës, piktorit, poetit dhe humanistit të madh pati shumë mysafirë. U mblodhëm ne miqtë e tij, nga Shqipëria, Kosova, Italia etj., për ta përkujtuar në dhjetëvjetorin e vdekjes së tij, figurën poliedrike të bashkëkombësit tonë, me të cilin krenohemi edhe sot.

Me ne ishte arbëreshi Demetrio Patitucci, miku i tij i të gjitha kohërave. Ishte Maria, bashkëshortja ime, e cila prej shumë vitesh organizon aktivitete me fëmijë, të rinj të talentuar, nga vise të ndryshme shqiptare, që përjetësojnë emrin e Maestro Kodrës. Ishte Fatosi dhe miq të tjerë.

Ishte një emocion i jashtëzakonshëm për të gjithë ne të pranishmit, marrja e lajmit se më në fund, qeveria shqiptare e kishte pranuar kërkesën e dy fondacioneve me emrin e tij, në cilësinë e ekzekutorëve testamentarë, që Ibrahim Kodra të prehej në Tiranë, atje ku ishte vullneti i tij i mbramë.

Qeveria e mori vendimin e saj pikërisht në përkujtim të 10- vjetorit të vdekjes së tij, 7 shkurtit 2006. Për më shumë, qeveria ka zgjedhur si vendprehjen e tij të fundit, një lëndinë të bukur, afër Panteonit të burrave të mëdhenj të kombit, vëllezërve Frashëri, Faik Konicës etj.

Ne, miqtë e Ibrahimit, mësuam me njëlloj trishtimi, por dhe me mirëkuptim, njëlloj rezistence të disa banorëve të Ishmit, vendlindjes së tij, për të mos lejuar zhvendosjen e eshtrave të bashkëfshatarit të tyre të shquar. Mua më nderon fakti se të gjithë ata kanë pritur nga goja ime ta dëgjonin se cili ishte vërtet vullneti i mbramë i Ibrahim Kodrës.

Unë e kuptoj plotësisht dëshirën e tyre për më shumë vëmendje qeveritare për zonën e tyre, frustrimin e tyre për probleme të caktuara etj., etj. E mirëkuptoj edhe se, ndoshta, mund të jetë bërë ndonjë gabim me mënyrën e zhvarrimit. E kuptoj ndërkaq dhe reagimin publik të mikut tim, Presidentit Berisha, një vlerësuesi të madh të Ibrahim Kodrës, burrështetasit që i dha piktorit të shquar titullin e lartë “Nder i Kombit”, krahas vetëm pak emrave të tjerë.

AMANETI I KODRËS ISHTE TË VARROSEJ NË TIRANË

E unë sot po e pohoj solemnisht, me zë të lartë, para banorëve të Ishmit, para gjithë bashkëkombësve tanë: Ibrahim Kodra, ky ishmak i madh, ky shqiptar i madh, ky humanist i madh europian, e kishte shprehur dëshirën e tij të fundme të varrosej në Tiranë.

Ibrahimi, që kaloi shumë vite në hotelin tim në Lugano, më kishte rrëfyer shumëçka për jetën e tij, për kujtimet nga fëmijëria, për marrëdhëniet me të afërmit, për adhurimin që kishte për natyrën e vendlindjes së tij.

Më kishte treguar shpesh jetën e vështirë në fëmijërinë e tij në Ishëm dhe dëshirën e flaktë që të prehej në Tiranë, e pse jo, edhe në Prishtinë ku kishte shumë miq, nëse do ishte e pamundur në kryeqytet. Kjo dëshirë e Maestros konfirmohet ligjërisht dhe nuk ishte e mundur të demonstrohej për arsye të kuptueshme që në ditën e varrimit.

Qeveria e kohës ka besuar se vullneti i tij ishte të varrosej në vendlindje dhe këtu nuk ka ndonjë gabim të madh, sa kohë që ky vullnet i tij i mbramë, nuk ishte zbuluar ende ligjërisht. Ne miqtë e tij, që iu gjendëm afër deri në sekondat e fundit, pra edhe në varrim, nuk donim që ta shndërronim në moment ndarjeje, në moment debati këtë çështje, duke pritur me durim një moment tjetër më të qetë për ta përmbushur amanetin e tij.

Kjo provohet nga korrespondenca të shumta me autoritetet dhe ka premtime nga qeveritarë të lartë të të dy krahëve se ky amanet do të përmbushej. Përmbushja e amanetit është diçka sublime: është diçka fetare, është diçka kombëtare, është diçka njerëzore.

Për ne shqiptarët që kemi legjenda me amanetin, kjo është shumë e qartë, si drita e diellit. Ne, miqtë e Maestros, duam thjesht të përjetësojmë amanetin e tij, duke i dhënë kryeqytetit, ashtu si dhe Ishmit, gjurmë të ekzistencës së tij, pika referimi për vizitorët e huaj. Ne duam që edhe Ishmi të vizitohet dhe të kujtohet përjetësisht si vendlindja e Maestros, ndaj do të donim që qeveria së bashku me komunitetin e Ishmit të shqyrtojë mundësi të tjera për ta bërë këtë.

Duke përjetësuar amanetin e Kodrës, ne jemi të vetëdijshëm se Europa dhe bota nuk ofron shembuj të njëjtë varrosjeje të personazheve të mëdhenj të artit, si përkujtonte edhe Doktor Berisha. E tash në dhjetëvjetorin e vdekjes së bashkëkombësit tonë të shquar, unë do të doja që eshtrat e tij të nderoheshin nga të gjithë, nga politika e të dy krahëve.

Do të doja që emri i Ibrahim Kodrës, kujtimi i tij, të mos ndante, por të bashkonte. Ibrahimi ishte si e mbajnë mend të gjithë, një burrë i qetë, i urtë. Politika jonë të ndahet për çështje të tjera dhe jo për amanetin e Kodrës. Do të doja që të vija vetë të premten në Ishëm, ku në monumentin e tij të vendosja një pllakë përkujtimore për veprën e tij.

Do të doja që veprën e Piktorit dhe Poetit tonë ta përjetësonim dhe duke ua kaluar mjeshtëritë e tij krijuese brezave të rinj në Tiranë, në Prishtinë, në qendra kulturore me emrin Kodra, ashtu si ishte vullneti i tij i mbramë. Do të doja që në këto ceremoni të ishin bashkë Sali Berisha, Edi Rama, Ilir Meta, Lulëzim Basha etj., do të doja të ishin përfaqësues të Ishmit, të Kosovës.

Emri i Maestro Kodrës është një emër që bashkon, sepse është emri i krenarisë sonë kombëtare, që duhet t’u kujtojë vizitorëve të ndryshëm nga bota, brezave të rinj, sesa shumë talente ka rritur kombi jonë!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura