Valter Gjoni: Fatet e 40 kryebashkiakëve të Tiranës

Jul 3, 2015 | 13:43
SHPËRNDAJE

Herë u quajtën kryetar bashkie, herë kryetar këshillash apo komitetesh ekzekutive… pavar- ësisht emrit, ishin ata administratorët e qytetit. Disa e patën atë post qysh në kohën e Perandorisë Osmane, të tjerët që pasuan kaluan nëpër sisteme të ndryshme, që nga Zogu, te pushtimi fashist, diktatura e demokracia.

Valter Gjoni

Dikush hodhi themelet e ndërtesës së bashkisë, një tjetër, vite më vonë, do ta hidhte atë në erë… Kjo është historia e 40 kryebashkiakëve të Tiranës, që studiuesi Valter Gjoni e sjell përmes një ekspozite në Muzeun Historik Kombëtar. Janë fotografitë e 40 kryetarëve të bashkisë së kryeqytetit në periudha të ndryshme.

Në dukje është një ekspozitë portretesh, por pas çdonjërit prej tyre fshihet një histori sa personale, aq edhe e lidhur me historinë e Tiranës. Disa prej tyre, duke qenë se drejtuan në periudha të konsideruara si të “errëta” nga diktatura komuniste, vuajtën internime e burgje.

Shohim se vazhdimisht ka ndryshuar emërtimi i kryebashkiakëve e bashkë me të edhe mënyra e zgjedhjes. Si janë zgjedhur kryetarët e parë?
Në gjysmën e shek. XVIII filloi riorganizimi në vetë Perandorinë Osmane dhe vetë ajo e ka vendosur për herë të parë kryetarin e Stambollit në këtë periudhë. Pastaj filloi edhe te ne. Fuat bej Toptani ka qenë kryetar bashkie edhe gjatë sundimit otoman. Gjatë historisë, kemi procedura të ndryshme të ardhjes në detyrë. Fillimisht ka funksionuar pleqësia e qytetit, që nuk ishte e zgjedhur, por përbëhej nga burrat që respektonte më shumë qyteti, ata më me autoritet, që kishin firmosur kartën e Pavarësisë, që kishin pritur Qeverinë e Lushnjës. Kjo ishte Pleqësia e Tiranës dhe kryetari i parë i zgjedhur prej saj është Zyber Hallulli. Kryetari i dytë vjen nga qeveria pranë Princ Vidit. Kryetari i tretë prapë nga Pleqësia dhe me Ali Bakiun fillon zbatimi i ligjit për zgjedhjet. Ky ligj kishte si specifikë që kryetari i bashkisë nuk zgjidhej me votim të përgjithshëm, por dilte nga grupi i këshilltarëve dhe ishte ai që merrte më shumë vota. Kështu ka vazhduar edhe më pas. Edhe pse ka pasur ndryshime të herëpashershme në ligj, më shumë ndryshime ka pasur në mënyrën e funksionimit të Këshillit Bashkiak, sesa për kryetarin dhe ka funksionuar deri në vitin 1939, në pushtimin italian.

Ç’ndodhi me pushtimin italian?
Pas pushtimit italian, deri në gusht të vitit 1939, Mëkëmbësi i Mbretit, Jakomoni, i shkarkoi të gjithë këshillat. Kemi edhe aktin e shkarkimit të Këshillit të Tiranës në korrik të 1939- s dhe filloi emërimi i kryetarëve të rinj. Kemi edhe vendimin për emërimin e Ali Erebarës nga Viktor Emanueli, Francesco Jacomoni dhe Shefqet Vërlaci. Këtu kemi një ngjarje historike të veçantë. Jacomoni emëroi kryetarë të bashkive të Shqipërisë, të trevave shqiptare në Maqedoni dhe Kosovë. Në korrik të vitit 1941, Ali Erebara ka mbajtur një fjalim në ballkonin e Bashkisë së atëhershme për Shqipërinë e madhe, Shqipërinë etnike.

Me vendosjen e diktaturës kjo strukturë u përmbys, apo jo?
Kryetari i parë ishte Llazar Treska në vitin 1945, që u quajt kryetar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të qytetit. Pas Konferencës së Pezës, këshillat luanin rolin e prapavijës së administrimit të qyteteve në atë periudhë. Më pas e mori Ali Bakiu. Në qytete votohej për këshillat popullorë të qyteteve dhe ato zgjidhnin një organizëm ekzekutiv dhe kryetari quhej i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit. Komiteti Ekzekutiv zbatonte vendimet e Këshillit Popullor. Por vota mori kuptim vetëm pas ndërrimit të sistemeve… Pas ndërrimit të sistemeve, në fazën e parë me krijimin e partive të ndryshme u krijua një strukturë që quhej komitet ekzekutiv pluralist, deri në vitin 1992. Tomor Malasi u zgjodh kryetar nga partitë. Të zgjedhur me votë kemi Sali Kelmendin, Albert Brojkën, Edi Ramën, Lulzim Bashën dhe së fundi Erjon Veliajn.

Cili është fati i kryebashkiakëve të Tiranës?
Kjo është një pikë shumë interesante, së cilës po i kushtoj edhe një libër: “Rrugëtim nëpër mandatet e kryebashkiakëve të Tiranës”, falë institutit “Iliricum Sacrum” që drejtohet nga Stefan Pinguli. Secili ka lënë gjurmën e vet në kryeqytet. Por shumë prej ish-kryebashkiakëve kanë vuajtur dënimin me burg. Një nga administratorët më të vjetër të qytetit, 25 vjet prefekt e kryetar, Abedin Nepravishta, dy herë kryetar i Tiranës, personi që ka organizuar ceremoninë e varrimit të Ismail Qemalit, të Naim Frashërit, kaloi vite në internim dhe në burg. Qazim Mulleti u largua… Por, fat tragjik pësuan jo vetëm ata që qeverisën në periudhën e Zogut, por edhe gjatë diktaturës. Kemi Abdyl Këllezin, zv.kryeministër, i pushkatuar… Si dhe fatet e tyre. Të gjithë të shkolluar, si të periudhës së Zogut dhe më vonë. Të gjithë janë të një niveli të lartë.

Kryebashkiakët e dënuar nga komunizmi
Ndonëse administratorë të qytetit për vite me radhë, shumë edhe me kontribute që kanë mbetur në histori, sistemi i vendosur pas vitit 1944, jo vetëm ua shënoi me zero, por edhe i degdisi internimeve e burgjeve. Shumë prej kryetarëve të Bashkisë së Tiranës që drejtuan para vitit 1944 u larguan nga Shqipëria. Ata që mbetën u dënuan. Këtë fat pati Izet Dibra (1927 – 1928). Pas Luftës së Dytë Botërore, ai dhe familja e tij u internuan në qytetin e Shkodrës dhe pasuria e tij u grabit. U konsiderua si bashkëpunëtor i qeverisë së Ahmet Zogut, dhe për këtë u përjashtua nga jeta sociale dhe politike e vendit.

Ndërroi jetë në Shkodër më 11 shkurt 1964. Rexhep Jella (1930 – 1933) burgoset dy herë që nga viti 1945 deri në 1952, viti kur u lirua nga Burgu i Burrelit. Të njëjtin fat pati dhe i biri, Jusufi, ndërroi jetë në mjerim në një barakë në periferi të Kavajës në 1974. Abedin Nepravishta (1933-1935; 1937-1939) u internua në Itali pas 7 prillit 1939, si kundërshtar i regjimit fashist. Por më i egër do të ishte burgimi dhe internimi komunist. Do të ishte ndër të paktët nga të burgosurit e Burrelit që do të kryente të plota 20 vjet në burg, aq sa ishte dënuar. Por pati edhe nga ata që ndonëse i shërbyen sistemit komunist, u dënuan gjithsesi. Ali Bakiu (1945 – 1947) pas çlirimit caktohet kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, por në këtë periudhë konstaton se vendi po shkonte drejt aneksimit nga jugosllavët, dhe se po vendosej diktatura.

Nuk pranoi të bëhej komunist dhe në qershor 1946 dha dorëheqjen. Ka qenë kundërshtar ndaj regjimit, gjë që i kushtoi shtrenjtë. Për bindjet e tij politike burgoset 25 vjet. Vdiq më 10 maj, në moshën 70-vjeçare. Isuf Keçi (1950-1951) u arrestua pasi u akuzua si pjesëmarrës në aktivitete kundër Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe mbështetës së rrugës “antiparti” të të vëllait Hamit Keçi(pas vdekjes veteran i nderuar). Sabri Pilkatin (1951-1951, 1961-1962, 1965-1966) për bindje të ndryshme me vijën e Partisë në vitin 1975 e largojnë nga Tirana. Në 1980 dënohet dhe një nga akuzat e dënimit ishte se i kishte mbajtur rezerva Partisë, duke mos pranuar më detyrën e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës PPSH.

Peço Kagjini (1951- 1952) në Konferencën e Partisë për Tiranën, në prill të vitit 1956, denoncoi favoret e jetës në Bllok, rrogat e larta, privilegje të paligjshme të Bllokut. Këtu filloi persekutimi, i cili vazhdoi përgjatë 35 viteve në burgjet dhe në internim në Belsh të Elbasanit. I njohur rasti i Abdyl Këllezit (1967-1969), i cili pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën, do të akuzohej dhe ekzekutohej me pushkatim në vitin 1976 si “puçist”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura