“Valsi i lumturisë” i Ylljet Aliçkës, debat në Paris

Sep 20, 2019 | 9:07
SHPËRNDAJE

Historia e Familjes Popa, të parët që thyen ambasadat, vazhdon të ngjallë debat. Romani “Valsi i lumturisë” i shkrimtarit Ylljet Aliçka është vënë në qendër të debatit “Emigracioni politik në Europë”, të zhvilluar në Paris, ku u diskutua mbi temën e ndjeshme të emigracionit europian dhe rastit shqiptar.

valse

Në kuadrin e ciklit të konferencave “Lexime europiane”, Shtëpia e Europës në Paris, drejtuar nga ishSekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Europës dhe njëkohësisht ishministre e Kulturës së Francës, Katerinë Lalymiere, zhvilloi një takimdebat, marrë shkas nga botimi në Francë i romanit “Valsi i lumturisë” i shkrimtarit Ylljet Aliçka, me temë “Emigracioni politik në Europë”. Katerinë Lalymierë, Ylljet Aliçka dhe profesori i universitetit “SciencePo”, filozofi Yannick Prost, debatuan në prani të mediave dhe të ftuarve nga mjediset akademike franceze. Lulymiere bëri një analizë të romanit, duke evokuar me këtë rast sfidat e emigracionit në Francë dhe bëri një historik të shkurtër të Shqipërisë, mbështetur në kujtimet e vizitave të saj në Shqipëri si Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Europës.

Sipas Yanick Prost, këshilltar pranë Kryeministrit francez dhe profesori i universitetit “SciencePo”, Franca dhe Europa kanë nevojë të rimendojnë aksionin e tyre e sidomos kontratën e tyre sociale, pasi kriza e madhe e emigracionit dhe demagogjitë politike ekstremiste rrezikojnë demokracinë dhe përgatisin terrenin për ardhjen e “Mbretërisë së Atilës”, fenomene këto mjaft mirë të trajtuara në romanin e Aliçkës. Këshilltari i Kryeministrit francez theksoi se artistikisht ky roman ka zbuluar edhe thelbin e emigracionit.

Sipas tij, emigrantët ndiejnë mungesë të dyfishtë si në vendin e pritjes, dhe në atë të origjinës. Për këtë ai mori shembullin e familjes Popa tek romani. Shkrimtari dhe ish-diplomati Aliçka, në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, tha se “ky moment ishte ngjarje me rëndësi dhe nuk qe thjesht promovimi te lexuesi, por ajo çka provokoi. Pra, romani im u bë shkas për ngritjen e një debati në instancat e larta që merren me problemin aktual të emigracionit.

Botimi në Francë i këtij romani mbi aspektet shpirtërore e psikologjike të emigracionit u mor si model analize për të provokuar një debat më të gjerë mbi sfidat e emigracionit në përgjithësi”. Me nostalgji, Katerinë Lalymierë risolli në vëmendje tri vizita në momentet kyçe në historinë e Shqipërisë. Ajo kujtoi vizitat në 1991, 1997 dhe 1999. Ajo e cilësoi “Valsin e Lumturisë” një roman politik nga më të spikaturit, i cili, sipas saj, u bë burim i këtij debati. Aktiviteti u ndoq live nga kanali kryesor “Franceinfo”, kanal i parë i radios në shtetin francez.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura