Vallja e fundit e Rexhep Çelikut, homazhe për mjeshtrin e madh

Jan 13, 2018 | 10:17
SHPËRNDAJE

Homazhe per nder te mjeshtrit te valles shqiptre, solisti i pare i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, i etiketuar edhe si valletari fluturues ne Muzeun Historik Kombetar. Kurora lulesh, lot por edhe shume krenari ne kete ceremoni lamtumire per te madhin e valles shqiptare.

celiku

“Valltari fluturues”, “shqipja e valles shqiptare”, kështu e kanë konsideruar Rexhep Çelikun, valltarin, që dje në mëngjes “fluturoi”, për të mos qenë më i kësaj bote.

celiku

Rexhep Çeliku – “Nderi i Kombit”, u nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë në moshën 64-vjeçare. Ndonëse i sëmurë, solisti dhe koreografi i Ansamblit Popullor të Këngëve dhe Valleve, nuk i mungoi për asnjë moment skenës së valles shqiptare, emblemë e së cilës ai ishte.

Mjeshtri u shua në shtëpinë e tij në Tiranë, rreth orës 03:30 të mëngjesit të së premtes dhe do të përcillet sot për në banesën e fundit, pas një ceremonie mortore, që do të zhvillohet në Muzeun Historik Kombëtar, nga ora 11:00-13:00.

NEKROLOGJI

Rexhep Çeliku, biri i një gjirokastriti, mjeshtër në nxjerrjen dhe gdhendjen e gurit e më vonë si restaurator i kishave dhe xhamive në Tiranën e paraçlirimit, vazhdoi traditën shqiptare në gdhendjen e valles popullore në tempullin e kulturës – Ansamblin e Shtetit si “Valltari fluturues”, sikundër e ka karakterizuar kritika artistike shqiptare dhe e huaj. Rexhep Çeliku u lind më 19 korrik të vitit 1954 në Tiranë.

Emërohet solist në Ansamblin Popullor të Këngëve dhe Valleve më 21 shkurt të vitit 1971 dhe rruga artistike e tij do të ishte gjithnjë në rritje. Është shquar me interpretimin e tij në “Vallja e shqipeve”, “Luftëtarët e lirisë”, “Valle me motive të Dibrës”, “Vallen e Çamërisë”. Vallet me motive korçare, të Tropojës, “Djemtë e fshatit” apo vallen gorarçe, valle me motive të Kukësit, “Dueti i shqipeve”, “Dashuri e zjarrtë cigane”, “Maratonomaku”, “Bilbilenjtë”, “Dasmë tiranase”, etj.

Në 17 qershor 2001, Rexhep Çeliku shkëlqeu në maratonën koreografike, “Kërcimtari fluturues”, me koreografi të Agron Aliaj. Ai punoi prej 47 vjetësh në skenë me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, duke krijuar një repertor shumë të pasur artistik dhe duke marrë vlerësime të shumta.

 

meta dekorime 2

Figura e tij ka frymëzuar valltarët e të gjitha krahinave, duke u kthyer figurë- simbol i shqiponjës, atë të kuksianit, të çamit, të rugovarit, dibranit e të labit, të tropojanit, matjanit e myzeqarit, të tiranasit etj. Ka punuar si pedagog në Akademinë e Dancit Shqiptar dhe prej shumë vjetësh drejtoi trupën e Ansamblit Shtetëror.

Rexhep Çeliku krijoi me mjeshtëri një repertor të gjerë vallesh dhe tablosh koreografike si: “Bilbilejtë”, “Vaj e mall për Çamërinë”, “Bëni ç`thotë ustai”, “Valle me motive të Shqipërisë së Mesme”.

Për aktivitetin e tij artistik dhe atë çfarë ai ka dhënë në skenë, është vlerësuar me dekorata, medalje e tituj nderi si: “Urdhri Naim Frashëri i Klasit të Dytë”; “Urdhri Naim Frashëri i Klasit të Parë”; “Nderi i Qarkut të Tiranës”; “Qytetar Nderi i Gjirokastrës”; Akademik Nderi i Shkencave sociale”, dhënë nga Akademia Ndërkombëtare e Shkencave sociale Florida USA; “Çmimi Nënë Tereza” në Ravena Itali; “Medalje Ari”, si valltar i parë në Itali; “Simbol i Paqes dhe lirisë”, “Ambasador i Paqes”; “Mjeshtër i Madh”, Urdhri “Nderi i Kombit”, dhënë nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

meta dekorime 1

VALLJA E FUNDIT

Rexhep Çeliku mund të thuhet pa frikë se vdiq duke vallëzuar. Edhe pse në një gjendje shëndetësore të rënduar, ai vazhdoi të punonte.

Në muajin nëntor, me rastin e 60-vjetorit të themelimit të Ansamblit dhe Këngëve dhe Valleve Popullore, ai jo vetëm ishte një ndër organizatorët e koncertit festiv që u zhvillua me këtë rast, hartues i programit të larmishëm, por edhe interpretues.

Ai nuk do t’i ndaj trupës së valltarëve, e do të kërcente vallen e famshme “Luftëtarët e lirisë”. Pak ditë më parë ai do të nderohej nga Presidenti i republikës, Ilir Meta me urdhrin “Nderi i Kombit”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura