Valeri i “Big Brother”: Do jem anëtar jurie, por aspiroj moderimin

Feb 23, 2015 | 11:00
SHPËRNDAJE

Ish-lojtari i “BB7” do të jetë përballë VIP-ave në “E Diell” për t’i vënë ata në siklet  

Pasi është identifikuar si personi që s’ka drojë për të folur hapur në ekran, Valer Kolnikajt i është bërë ofertë nga autorja e programit “E diell”, punë që do e fillojë nesër sipas një kontrate që ka lidhur me “Top Channel”. Roli i tij në këtë format familjar do të jetë ai i opinionistit përballë paneleve me të ftuar VIP, të cilëve do ua plasë në fytyrë thashethemet që di për ta. Valeri tregon për këtë eksperiencë të re televizive.  
Sapo ke dalë nga një garë televizive si “Dancing with the Stars”, por pa fitoren që prisje. S’do ndalësh së provuari në televizion?
Sigurisht. Madje, mund të zbuloj për ju se do të jem opinionist te programi “E Diell”, në varësi të temave që do të diskutohen dhe të ftuarve në panel. Detyra ime është t’i ngacmoj, diçka që e kam provuar më parë e që di ta bëj mirë. Në një farë mënyrë do bëj thashetheme përballë personazheve publikë, jo pas krahëve.
Kush ta bëri propozimin?
Autorja e “E diell”, Belioza Çoku, ma bëri ftesën. I kisha bëra përshtypje kudo që më kishte ndjekur dhe i pëlqente tek unë fakti që jam i drejtpërdrejtë, spontan dhe kam guximin t’i them gjërat troç.
Je i informuar, di gjithçka për gjithkënd?
Unë jam shumë i informuar për të gjithë VIP-at, jam informuar për detaje, që publiku nuk i di për ta. Do të jetë shumë interesant momenti kur do i kem përballë, pasi është mjeshtëri e imja t’ua them gjërat duke i parë në sy. Do të kem të vërteta, me të cilat do i vë me shpatulla pas murit.
Pra, ke marrë përsipër t’u zbulosh fytyrën e vërtetë?
Po, sepse është një ngatërresë e madhe në këtë mes. Shumica e personazheve publikë shqiptarë vuajnë nga deliri i madhështisë dhe duan të quhen diva, mbretëresha etj., edhe pse ndoshta po të ecin në rrugë s’i njeh njeri. Diçka që vihet re qartë, është se në intervistat e emisioneve ku janë të ftuar, kanë tendencën për ta kufizuar gazetarin me pyetjet. Pra, duan të jenë vetë intervistues dhe të intervistuar. Prandaj kam dëshirë t’i ul pak me këmbë në tokë e ta provojnë këtë ndjesi sa për të thyer monotoninë ku janë futur.
 Është kjo një mënyrë për të punuar gjithmonë në këtë televizion, e sheh veten edhe moderator një ditë?
E shoh si eksperiencë që dua ta provoj dhe që besoj se do ia dal me sukses. Unë e dua punën në “Top Channel” dhe jam i lumtur që të mbetem në këtë logo. “Big Brother” ishte trampolinë shumë e mirë për t’u bërë pjesë e botës së medies. Prezantimin apo moderimin po e ruaj si as nën mëngë, kështu që do kem kohë ta tregoj shkëlqimin tim edhe në atë pozicion.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura