Valer Kolnikaj rrëfehet pasi bëri vaksinën: Historia e jetës sime, një vepër me titull “Dashuri në kohërat e Covidit”

Feb 28, 2021 | 11:50
SHPËRNDAJE

Klotilda Harka/ Modeli dhe ish-lojtari i “Big Brother”, Valer Kolnikaj, ka hequr dorë për pak kohë në show në televizion, për t’iu përkushtuar me kohë të plotë profesionit të tij të mjekut në Malësi.

Pasi ka marrë dozën e parë të vaksinës “Pfizer” kundër Covid-19, në këtë intervistë për “Panorama Plus” ai rrëfen si ndihet tashmë dhe shumë detaje nga jeta e tij “në kohërat e Covidit”, dashurinë dhe si e parashikon daljen nga pandemia.

Para pak ditësh more dozën e parë të vaksinës “Pfizer” kundër Covid-19, si pjesë e stafit mjekësor. E kishe me frikë dhe cilat ishin efektet anësore që përjetove?

Valer Kolnikaj: Nuk e kisha aspak me frikë, pasi unë jam pro rregullave e protokolleve që ndikojnë në të mirë të shëndetit të njerëzve, e vaksinimi është një proces shumë i rëndësishëm për njerëzimin, jo vetëm Covaxina, por çdo vaksinë tjetër që njeriu merr që nga lindja. Aq më tepër që këto vaksinat janë “Pfizer”, prodhim i shumëdëshiruar nga e gjithë bota.

Ke pasur qoftë edhe në një moment atë hezitimin apo dilemën që ta bësh ose jo vaksinën?

Valer Kolnikaj: Unë dhe të gjithë kolegët e mi të bluzave të bardha që kemi qenë nga fillimi i kësaj pandemie në vijë të parë duke u kujdesur për njerëzit e infektuar, mezi e kemi pritur vaksinimin. Kishim pacientë nëpër banesat e tyre që na kërkonin vazhdimisht dhe pas çdo vizite nuk shpëtonim pa u ngarkuar sadopak dhe ne me Covid apo viralitet, dhe personalisht jam lodhur shumë. Kështu që vaksinimi do na ndihmojë të bëjmë më shumë për të gjithë. Por dhe sadisfaksioni që kam marrë apo fakti sa i dobishëm isha gjatë kohës duke u kujdesur për njerëzit në atë hall, më jepte vërtet shumë forcë. Unë e stafi im i punës kemi 12 mijë vetë në kujdes, dhe jemi munduar me mish e shpirt për banorët e zonës sonë.

Po me nismën e qeverisë që të vaksinohen të parët personalitetet mbi 80 vjeç, je dakord apo të duket i padrejtë?

Valer Kolnikaj: Të gjithëve do t’u vijë mundësia për t’u vaksinuar. Nuk është rasti të zihen se kush do ta bëjë i pari. Pastaj dhe personalitetet do të ndihen më të vlerësuar me këtë simbolikë, që dikush u kujdes për ta.

Si mjek sa i ndryshon Covid-19 njerëzit dhe a lë gjurmë në shëndet dhe gjendjen mendore pasi dikush e kalon?

Valer Kolnikaj: Pa diskutim që me fillimin e kësaj pandemie, asgjë nuk është si më parë, shenja e “Covid 19” është e dukshme dhe e padukshme në jetën e secilit nga ne, të infektuar apo jo. Ata që kane provuar format e mesme apo të rënda të Covidit, ata kanë pare vdekjen me sy dhe unë ua di hallin, pasi vetë e kam provuar gjendjen e të rënit shakull për 5 ditë. Më dukej se mezi ngopesha me ajër, sikur po më linte fryma, oreksi 0, kurrë më keq s’kam qenë. Por shyqyr që kaloi dhe tani me vaksinimin e kujdesin do Zoti të kalojë për të gjithë kjo situatë e tmerrshme.

Po në marrëdhënie mes njerëzve, me njëri-tjetrin, çfarë ndikimi ka hyrja në mes e Covidit?

Valer Kolnikaj: Besoj jemi bërë më mirënjohës për të mirat që kemi dhe që shëndeti është e mira më e madhe për të gjithë.

Që të jetosh sikur ky virus nuk ekziston, çfarë bën ti dhe këshilla që do jepje?

Valer Kolnikaj: Nuk mund të jetosh dot sikur ky virus nuk ekziston, por duhet kujdes sa më shumë derisa të jetë mundësia që e gjithë popullata të vaksinohet dhe të marrë fund ky virus. Ndërkohë, edhe pse në kohë të vështira shumë personazhe të famshëm po sjellin në jetë fëmijët e tyre.

Me ç’sy e sheh këtë trend, nëse e konsiderojmë të tillë?

Valer Kolnikaj: Jeta është një provë për të gjithë njerëzit. Personazhet e VIP-at që siç duket janë mësuar me jetën e lehtë e luksit kjo pandemi u ka kujtuar rëndësinë e gjërave të tjera që më parë nuk i shihnin mirë. Kjo është një gjë e mirë që në aspektin familjar të kenë kohë që të rriten e gëzohen. S’thonë kot, çdo e keqe e ka një të mirë të madhe dhe anasjelltas.

Duke iu referuar “Dashuria në kohërat e kolerës” të Gabriel García Márquez, nga kush autor do të doje të lexoje “Dashuria në kohërat e Covidit”, dhe si mund të ishte historia jote brenda atij libri?

Valer Kolnikaj: Të ishte ndonjë vepër nga Ismail Kadare, që më në fund të fitonte dhe çmimin “Nobel” për letërsinë. (Qesh) Historia ime e jetës do të ishte vepër më vete dhe që do ta fitonte pa diskutim atë çmim.

Ndërkohë, a të mungon televizioni dhe a po mendon të rikthehesh në ndonjë format?

Valer Kolnikaj: Që me fillimin e pandemisë nuk e kam ndjerë fare të jem pjesë e showbizit, medias apo të bëj zhurmë. Është vërtet specialiteti im dhe me argëton kjo gjë, por nuk kam aspak dëshirë, madje dhe kam refuzuar ftesa. Ndoshta për shkak të profesionit, kur shikoja njerëzit që kishin nevojë për kujdesin tim si doktor, nuk mund të shkoja në TV dhe të bëja show. Është shumë më e rëndësishme angazhimi për t’u kujdesur për njerëzit e zonës, që kishin më shumë së kurrë nevojë për doktor Valerin. E kam treguar veten në këtë pandemi.

Po si publik nga shtëpia, çfarë të pëlqen të ndjekësh me qejf tani në televizionet shqiptare dhe ç’të acaron?

Valer Kolnikaj: Duket sikur televizionet janë varfëruar me show, por ka akoma gjëra të bukura për t’u argëtuar. Reality-t kudo në botë janë nr.1. Ndaj do ishte bukur fillimi i “reality show-t” “Big Brother” apo “Isola dei famosi”, pasi formate të tilla e mbajnë publikun mbërthyer pas ekranit dhe për një kohë të gjatë. Ja një gjë e vogël si “Për’puthen” bën që të kalojmë bukur, duke e ndjekur dhe të ketë gjithë atë shikueshmëri.

E kur je vetëm dhe pak i trishtuar, cilat këngë apo këngëtarë shqiptarë i ndjek me qejf pasi të duket sikur të kthejnë në jetën e bukur e pa kufizime?

Valer Kolnikaj: Mjafton të jenë këngë me ritëm, të kërcyeshme e që të gjallërojnë.

/Panoramaplus.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura