Valentina Leskaj: Festat, momentet e gëzuara që ndaj me nipërit

Dec 30, 2012 | 11:01
SHPËRNDAJE

Aty ku festat fillojnë shumë herët dhe shijohen deri në fund. Me bredh të zbukuruar dhe dekorime nëpër gjithë shtëpinë, me një tryezë tradicionale festash, me dhuratat poshtë bredhit dhe një atmosferë të zhurmshme fëmijësh. Shija e festave ndihet që në pragun e shtëpisë. Me kurorën e Krishtlindjeve ngjitur në derë, jastëkët me dekorime feste, zbukurimet e kuqe e sidomos bredhi në qoshe të sallonit, me dritat që lëshojnë një vezullim të butë. Kurse nga xhamat e dritareve figurat e babagjyshave dhe pleqve të borës duken si copa akulli. “Në shtëpinë time atmosfera e festave të fundvitit fillon shumë herët. Që në ditët e para të dhjetorit. Sepse duam që të zgjasë sa më shumë dhe ta shijojmë gjatë”, thotë Valentina Leskaj, që për shkak të punës së saj asnjëherë nuk i mjafton koha për të ndenjur me fëmijët aq sa do donte.

Valentina Leskaj në shtëpinë e saj, dy ditë pas Krishtlindjeve me nipin, Artin dhe mbesën, Elonën. Dy fëmijët e djalit të saj të madh

Festat gjithmonë kanë qenë të veçanta në shtëpinë e Valentina Lesakajt. Jo vetëm sepse asaj i pëlqen atmosfera e ngrohtë e ditëve të fundvitit, por mbi të gjitha sepse i shijojnë aq shumë ato momentet e gëzueshme, kur në pragun e derës ia behin nipërit e saj, Elona, Arti, e më i vogli, Matiasi. Që të vegjël ata janë mësuar që ditët para se festat të trokasin t’i shijojnë së bashku me gjyshin dhe gjyshen e tyre. Ka qenë gjithmonë kështu. Ata i kanë kthyer në rit përgatitjet për Krishtlindjen dhe Vitin e Ri, sado që këtë vit planet ndryshuan pak. Djali i madh i Valentinës, bashkë me familjen, gjatë Krishtlindjeve shkoi për ski, siç i pëlqen shumë Artit. Kështu që, darka e datës 24 ishte vetëm me djalin e vogël e familjen e tij në shtëpi. Kjo ishte edhe arsyeja pse këtë vit Arti me Elonën nuk i morën dhuratat në kohë. U kthyen nga pushimi më datë 26, kështu që mundën t’i hapin të nesërmen pasdite, kur ne shkuam në shtëpinë e Valentinës për të bërë fotografitë. Arti nuk mund të kishte dashur gjë më shumë sesa atletet e futbollit që i kishte marrë gjyshja, të nesërmen do t’i inauguronte menjëherë në stërvitje. Por atletet ishin dhurata suplementare, sepse gjithnjë, qoftë për Artin, qoftë për Elonën (Matiasi është endi i vogël), dhurata e parë është libri. Çdo vit është kështu. Gjyshja i di shijet e të dyve dhe përpiqet të zgjedhë atë që u pëlqen. “Ooo përrallat indiane!”, thotë Arti, ndërsa nuk ishte hapur ende kutia e atleteve. Po kaq entuziazmohet edhe Elona që nuk i ngre sytë nga përmbajtja e librit, sado që bluza, tjetër dhuratë, ishte krejtësisht në shijet e saj. Matiasin e vogël, vetëm 2 vjeç e pak muaj, nuk mundëm ta takojmë, sepse nuk ishte edhe aq mirë këto ditë e prindërit nuk e nxirrnin nga shtëpia se mos ftohej. Duhet të kujdesen tani që kur të nisen edhe ata për ski, bashkë me gjyshe Valin, të jetë mirë. Këtë Vit të Ri, ndryshe nga më parë, Valentina Leskaj nuk do jetë në shtëpinë e saj me dy djemtë, nipërit e mbesën, siç ndodh çdo vit. Djali i madh i festoi Krishtlindjet në borë, ndërsa i vogli do të shkojë për ndërrimin e viteve. Por që është jashtë shtëpisë nuk do të thotë që Valentina shpëtoi nga gatimi, në fakt as e ka fare me bezdi këtë gjë. Gatoi për darkën e Krishtlindjeve lakrorin me mish që i pëlqen shumë nuses së vogël. Ajo vetë nuk është e dhënë pas brumërave, madje thuajse nuk i përdor fare, por meqenëse prej tyre ajo pret sërish një bebe, që është fare e vogël, s’ka se si të mos ia plotësojë të gjitha qejfet. Nuk ka mbaruar me kaq. Pasi të kthehen nga jashtë, të gjithë do të mblidhen ashtu si gjithmonë, siç është bërë zakon. Meqenëse në përditshmëri nuk takohen dhe aq shpesh, sado që i kanë të tria familjet shtëpitë afër, kanë nevojë për kohën e tyre. Qoftë për darkat e festave, qoftë për një çaj fundjavave. Të dalin të pinë një çaj jashtë, të gjithë bashkë, për Valentinën është më mirë sesa t’i ketë fëmijët nëpër shtëpi. “Njëri do të shkojë pas kompjuterit, tjetri pas televizorit, kështu që nuk mundem t’i shijoj ashtu siç dua”. Arti qesh sepse e di që gjyshja ka të drejtë, ndërsa sytë nuk i heq nga ndeshja e futbollit, ku ka ndalur pulti i televizorit.
Zakonet e përvitshme
Në fillim dalin me gjyshen nëpër dyqane për të bërë pazaret, blejnë të gjitha sendet që u duhen dhe pastaj zbarkojnë në shtëpinë e gjyshërve, ku fillojnë të vendosin të gjitha zbukurimet. I pari e ka radhën bredhi, i cili vishet me ngjyrat e kuqe e të arta, globet e mëdha e të shndritshme, llambushkat që fiken e ndizen, fjongot me xixa e në majë ylli, si qershiza mbi tortë. Pastaj kujdesen që edhe cepat e tjerë të sallonit të marrin aromën e festave. Nëpër xhamat e dritareve ngjisin figura me plak të bardhë prej bore. Tek oxhaku vendosin një bredh prej porcelani, mbi tavolinë zbukurime të kuqe dhe te dera e jashtme një kurorë me degëza pishe. E kanë kthyer në zakonin e tyre të përvitshëm: zbukurojnë në fillim shtëpinë e

Valentina Leskaj në të njëjtën periudhë festash, dy vite më parë, kur Martini, nipi më i vogël, sapo kishte ardhur në jetë

gjyshërve e pastaj bredhin e tyre. E nëse shtëpia kthehet përmbys, s’ka gjë. Sepse gjyshja e toleron rrëmujën e dy nipërve të saj. Ajo nuk mërzitet me ta, nuk e ngre zërin e as i qorton edhe sikur ta kthejnë shtëpinë përmbys. “Është vlerë e gjysheve kjo, që tregohen shumë të ëmbla me nipërit. Vetëm se këto kohët e fundit unë kam filluar të bëhem pak xheloze, sepse ka filluar të m’i marrë kompjuteri. Tani sapo vij në shtëpi, e mbajnë frymën në studion time, në tavolinën e kompjuterit. Unë dua t’i kem vetëm për vete”, thotë Valentina. Si të gjitha gjyshet, kur vjen puna te nipërit e vegjël, edhe ajo e ka zemrën shumë të butë dhe i sheh me sy të qeshur teksa ata vijnë vërdallë nëpër shtëpi, herë duke varur globe nëpër degët e bredhit e herë duke nxjerrë nga skutat e shtëpisë dekorimet e vitit të kaluar. “Edhe pse nuk jetojmë në një shtëpi, festat i bëjmë gjithmonë bashkë. Edhe më parë i kam festuar me shumë dëshirë. Por kanë qenë pak më të ftohta. Kurse tani që janë fëmijët e vegjël, janë bërë vërtet shumë të bukura”. Por ata nuk presin vetëm rastet e festave që të kalojnë kohë bashkë. Gjyshe Valentina mezi pret që të vijë e shtuna, dita kur edhe Elona me Artin nuk kanë shkollë, edhe gjyshe Valentina është pak më e lirë nga impenjimet e saj, që në ditët e tjera të javës nuk i lënë shumë kohë për t’u marrë me nipërit. Është takimi i tyre i përjavshëm. “Ne japim secili mendimet se ku do shkojmë për të drekuar. Zgjedhim gjithmonë një lokal të këndshëm, që të mund të bisedojmë të qetë pa u shqetësuar nga zhurmat, por edhe një vend ku ushqimi të plotësojë shijet e të gjithëve. Elona për shembull pëlqen ushqimin kinez, kurse Arti nuk e do. Kështu që gjejmë një rrugë të mesme dhe e kalojmë pasditen bashkë”. Valentinës i ka pëlqyer gjithmonë që fundjavat t’i kalojë me familjet e dy djemve të saj. Dalin të gjithë për kafe në paraditet e ngrohta e me diell, udhëtojnë jashtë Tirane, ose mblidhen të gjithë në shtëpinë e Valentinës dhe shijojnë të gjithë bashkë drekën që ajo ka përgatitur. “Mua më pëlqen shumë të gatuaj. Sidomos në raste festash. Edhe pse në ditët e tjera, për shkak të impenjimeve nuk kam shumë kohë për të kaluar në kuzhinë, për Krishtlindje dhe Vit të Ri gatuaj me shumë dëshirë për familjen time”. Një tryezë tradicionale është ajo që shijojnë çdo vit. Ku nuk mungon as gjeli i detit, as bakllavaja e as ushqimet e tjera, të përgatitura nga duart e Valentinës. Por nëse ka një traditë që ndiqet pikë për pikë në familjen e tyre, është vendosja e dhuratave poshtë bredhit. Paketuar me letra të shndritshme e shirita shumëngjyrësh, të gjitha dhuratat vendosen nën degëzat e gjelbra të bredhit dhe presin aty, derisa secili të grisë mbështjellësen e të zbulojë surprizën. “Nuk mungojnë kurrë dhuratat poshtë bredhit. Mund të jenë modeste, por ne nuk harrojmë kurrë që ta gëzojmë njëri-tjetrin me një dhuratë për festa”, tregon Valentina. Kështu festat bëhen çdo vit të gëzuara.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura