Valbona Zeneli: Gratë në politikën shqiptare të mos jenë kopje e burrave

Dec 28, 2017 | 13:44
SHPËRNDAJE

Një grua gjithnjë në udhëtim, Valbona Zeneli, autorja e librit Në opinionin tim, vjen në një bisedë me Alda Bardhylin në një vidio të publikuar nga UET PRESS mbi qytetet që kanë lënë ndikim në jetën e saj, rolin e femrave në politikë, dhe si e sheh stabilitetin global sot. Dr. Valbona Zeneli është profesore e studimeve të sigurisë kombëtare dhe Drejtore e Programit të Detit të Zi dhe Eurazisë në Qendrën Europiane të Studimeve të Sigurisë George C. Marshall, një instrument vital i bashkëpunimit gjermano-amerikan.

valbona zeneli

E lindur në Shqipëri, ajo është një doktore në shkencat ekonomike, e cila ka studiuar në Universitetin e Bolonjës dhe Universitetin e Barit në Itali, si edhe në Universitetin Georgetoën dhe Harvard Kennedy School në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me përvojë në administratën publike, sektorin privat dhe akademik, interesat e saj kërkimore dhe mësimore përfshijnë çështjet ndërkombëtare të ekonomisë dhe sigurisë, globalizimit, reformat institucionale dhe qeverisjen e mirë. Dr. Zeneli ka botuar një numër të madh artikujsh shkencorë dhe është kontribuuese e shpeshtë në mediat ndërkombëtare. Ajo është e martuar dhe ka një djalë.

Si është bota në sytë e një gruaje që udhëton kaq shumë?

Jo vetëm në sytë e një gruaje, por besoj se bota sot është ndryshe në sytë e çdo njeriu që udhëton. Si një grua, si një nënë, jam gjithmonë me një valixhe në dorë. Shumë e bukur! Të jep një fuqi të madhe, të udhëtosh në kaq shumë vende, të njohësh njerëz të ndryshëm, por nga ana tjetër, ti kupton që ne jemi sa të vegjël, aq edhe të mëdhenj, në sensin që je i vogël në një botë kaq globale, ku të gjithë janë të ndërlidhur. Nga ana tjetër kuptohet fuqia e akteve të secilit të cilat mund të sjellin ndryshim.

Nëse ka një qytet ku do doje ta lije më gjatë valixhen?

Padyshim Italia. Aty ku kam lëvizur ende pa mbushur 18 vjeç kam qenë në Bolonja, Forli ka qenë qyteti ku kam studiuar në Universitetin e Bolonjës. Padiskutim aty do doja të kthehesha gjithmonë, e konsideroj si vendin tim të dytë, për të jetuar për të gëzuar, për të ndenjur me miqtë. Përsa i përket punës do të ishte Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është i vetmi vend në botë që ti e ndjen veten  të barabartë, dhe ti e kupton që mundësitë dhe shanset e barabarta janë kudo, e kupton parimet e sensin e demokracisë së vërtetë.

Nëse shohim një foto nga Këshilli i Lartë i Sigurisë në SHBA, ka shumë pak femra?

Nuk është vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Eshtë e këndshme po të shikonin Elle Magazinë ka bërë disa gjetje nga foto të ndryshme të parlamentit britanik, apo këshillit të sigurisë apo të UNIENIT, ku po të marrësh fotot e të heqësh burrat do të shohësh që ka shumë pak gra, megjithëse numri i grave po rritet edhe në çështjet e sigurisë, do duhej të ishin më shumë. Kjo, jo thjesht për faktin që janë gra, por për të patur një mendim shumë më të gjerë për të sjellë një perspektivë më të gjerë në vendimmarrje.

Ajo që është e rëndësishme jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, vendet Evropiane por edhe në Shqipëri, është se gratë nuk duhet të jenë thjesht për të mbushur vendin, por duhet të jenë vërtet tu dëgjohet zëri në vendimmarrje.

Cila është femra më e fortë që keni takuar?

Do të veçoja takimin me sekretaren amerikane Medlin Ollbrajt, ajo është vërtet një grua e fortë, e hekurt që ka bërë histori. Por nëse do të flisnim për femrat në Ballkan do të veçoja ish presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga , mendoj se ka qënë një nga përfaqësueset më të mira jo vetëm të Kosovës, por të gjithë Ballkanit në skenën ndërkombëtare.

Si do ti vlerësoje gratë në politikën shqiptare?

Jam shumë e gëzuar që shikoj gra në politikën shqiptare. Jam e gëzuar që familjet i suportojnë këto gra, pasi mbështetja e familjes është kryesorja, e siç thashë, do doja më tepër të dëgjoja zërin e tyre. Është shumë e rëndësishme që gratë të mos marrin tiparet e burrave, të bëhen kopje të burrave, duhet të mbajnë personalitetin e tyre e të jenë si gra në politikë, të jenë si nëna, si shoqe, si mike, jo të marrin tiparet e burrave.

Në udhëtimet e tua përgjatë botës cila është muzika që ju shoqëron?

Më pëlqen shumë muzika, zgjohem që në mëngjes me muzikë. Nuk kam një muzikë të preferuar, më pëlqejnë të gjitha zhanret e muzikës. Varet nga mënyra sesi ndjehem, ashtu si ndjehem zgjedh edhe llojin e muzikës. Udhëtimet e mia vitet e fundit, sidomos në vendet e Evropës Lindore më kanë dhënë shumë, më kanë hapur diapazonin. Por ajo që kam kuptuar është se sa të ndryshëm jemi, aq edhe të ngjashëm jemi. Problemet e sfidat e njerëzve kudo në botë janë të njëjta dhe rëndësia e institucioneve, dhe e mirëqeverisjes dhe e prosperitetit ekonomik është e njëjtë për të gjithë.

Nëse do doje të qaje në cilin qytet do të ndaloje?

Shpresoj që të mos ketë qytet ku të qajë, pasi dua të qesh më shumë, por besoj se qytetet aty ku ke qeshur aty edhe qan më shumë sepse janë vendet ku ke kaluar më tepër kohë, e gëzimet e hidhërimet janë të pandashme nga njëra tjetra. Unë do të kthehesha sërish në Itali, pasi aty kanë qenë dhe qytetet ku kam qarë më shumë kur kam humbur gjyshërit e mi. Ato kanë qenë momente të cilat i mbaj mënd si më të trishtueshmet, por shpresoj të ketë qytete e vende ku vetëm dua të qesh.

A është bota një vend më i sigurt sot?

Është një pyetje interesante. Ne kur hapim gazetat në mëngjes, të gjithë mendojmë se bota është një vend me shumë probleme e shumë sfida, duke u nisur nga terrorizmi, ekstremizmi, problemet me vendet e ndryshme. Megjithatë mendoj se ne jetojmë në një botë më të mirë. E jam optimiste që fëmijët tanë do të jetojnë në një botë më të mirë. Jemi në një botë që është më shumë e ndërlidhur, e çdo lajm kalon shumë shpjet nga një vend në një tjetër, e jemi të bombarduar nga lajmet që na vijnë nga të gjitha anët, por në perspektivën time mendoj se jetojmë në një botë më të mirë . Bota e globalizuar e lidhjet midis vendeve e njerëzve janë sigurisht diçka që e kanë bërë botën më të mirë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura