Valbona/ Deputeti i PS thumbon Ramën: Shpresoj të mos na urrejnë për të këqijat që s’i ndaluam dot

Jul 20, 2018 | 14:57
SHPËRNDAJE

Deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Bare i ka kërkuar kolegëve të tij të PD-së që të reagojnë ndaj masakrës që po bëhet në Valbonë me ndërtimin e hidrocentraleve.

bare

Në një fjalim të mbajtur në Kuvend ai bën përgjegjës edhe ish kryeministrin Berisha, ndërkohë që thumbon edhe kryeministrin Rama kur thotë “le ta duam pak këtë vend, në mënyrë që në mos na kujtofshin për mire, të paktën të mos urrehemi për të këqiat që i bëmë apo si ndaluam dot, sikurse është rasti i Valbonës”.

FJALA

Dua te sjell në këtë parlament një shqetësim që herë herë është shfaqur, por që pak reflektim ka gjetur nga opinion publik.

Këtë fund jave për arsye familjare isha në Bajram Curri. Pak vite më parë kur shkoja në Bajram Curri, ndjeja një trishtim të thellë. Qyteti ishte i mbuluar me një hije vdekjeje. Rrugët e shqyera në mes të qytetit, vende vënde të çara, e me zgavra të krijonin përshtypjen se nga thellësia e tokës vinin rënkimet e qindra të rinjëve të vdekur, vrarë për arsye nga më të ndryshmet, ku shpesh edhe për motive politike. Si është e mundur, thoja me vete, ky qytet është katandisur në këtë gjëndje? Si është e mundur që vendlindja e presidentit dhe kryeministrit të Shqipërisë, për 14 vjet me rradhë, të katandiset në këtë mënyrë? Kontrasti midis bukurisë së natyrës dhe trishtimit dhe braktisjes së qytetit ishin tragjike.

Sot ka një pamje komplet tjetër, falë ndërhyrjes dhe planifikimit të rehabilitimit të qytetit. Vlersimin dhe ndryshimin e atmosferës e vije re dhe nga numri jo i vogël i turistëve, që ishin të pranishëm në qytet.

Morëm rrugën për në Valbonë. Në këtë pjesë me bukuri të rralla, ndoshta unikale në rajon, të kapte ai trishtimi i viteve më parë. Faqe mali të çjerra, sikur ndonjë përbindësh kishte dashur të gërmonte për të shtrirë vrapin mbi perlën natyrore, Valbonën.

Valbona fundjavën e kaluar i ngjante lumit të Lanës për nga turbullira, por më e keqja ishte se përbindëshi kishte bllokuar lumin, me diga betoni. Betoni gjarpëronte si gojë stërmadhe për të thithur ujin, që do e orientojë në tuba të stërmëdhenj, duke e zhdukur lumin, në segmente të caktuara, në masën 90%. Katastrofa mjedisore ishte ulëritëse! Asnjë ligj i republikës së Shqipërisë dhe jo më i Bashkimit Evropian nuk është respektuar aty. Këto punime janë sa 1/12 e atyre që kishte parashikuar Sali Berisha, “superpatrioti i Shqipërisë”, që e do natyrën, që ka dashuri të udhëtojë në natyre.

Ku janë zërat e kolegëve deputet të PD që kanë kaq muaj që flasin për teatrin dhe nuk thonë një fjalë për Valbonën? Teatri do prishet për tu bërë një më i bukur, më i përshtatshëm për artistët dhe publikun. Po në Valbonë, ajo bukuri miliona vjecare po shkatërrohet falë projekteve famë keqe të qeverisë Berisha. Në Valbonë po ndërtohet shëmtimi. Pse nuk flisni? Apo sepse Ju me Berishën, jeni  autorë të 12 masakrave të projektuara vetëm në Valbonë. Pa folur për zona të tjera të mbrojtura e me vlere mjedisore.

Për fat të keq në këtë vend jo rrallë kanë dominuar interesat personale. Është kjo arësya, që shpesh biznesi i bie me shqelma dyerve të ministrave përkundrejt një përfitimi financiar. Shteti e blen energjinë e prodhuar prej HEC-ve me çmim shumë të favorshëm për biznesin, në raport me koston. Biznesi (apo politika që i nisi) ka fitim të garantuar. Por, a ka rëndësi ekonomike për vendin në tërësi? Për ekonominë shqiptare është i papërfillshme roli i një HEC-i të tillë në një perlë turistike. Ajo që mbetet është  shkatërrimi. Çjanë 5 apo 10 megavat energji të prodhuara në  Valbonë përballë atij dëmi monstruoz?

Imagjinoni çdo të ndodhte nëse këto hidrocentrale do inicioheshin nga qeveria socialiste. Flisni kolegë deputet të PD, ju që e doni gjoja këtë vend, ju që ´përgjëroheni për teatrin dhe hallet e këtij populli´.

Nga ana tjetër me gjithë reduktimin drastik të numrit të hidrocentraleve në Valbonë nga qeveria aktuale, mendoj se dy ministritë, ajo e energjitikës dhe e mjedisit, nuk kanë qënë koshient dhe në nivelin e legjislacionit Shqiptar për të ngritur alarmin tek kryeministri, që asnjë HEC të mos lejohesh në Valbonë. Janë këto ministri që alertojnë dhe informojnë kreun e qeverisë.

Edhe pse lejet u nisën dhe u dhanë nga qeveria Berisha, në çdo fazë të ndërtimit të tyre ka patur dhe ka mundësi që të ndalohen.

Fare mire, një ligj i ngjashëm si ai i teatrit mund të vijë në parlament për të pezulluar vazhdimin e ndërtimit. Le të jetë një test, edhe për kolegët e PD, të provojnë sa e duan këtë vend.

Mendoj se asnjë sakrificë e politikës nuk do të ishte e tepërt për të shpëtuar Valbonën.

Ne duhet të japim atë mesazh që Fan Noli e ka dhënë 100 vjet më parë. Tu mësojmë brezave se ka vetëm një perëndi që duhet ti shërbejmë, perëndia e njerzimit , i njejtë për të gjitha tributë përfshirë dhe tributë politike. E thënë ndryshe le ta duam pak këtë vend, në mënyrë që në mos na kujtofshin për mire, të paktën të mos urrehemi për të këqiat që i bëmë apo si ndaluam dot, sikurse është rasti i Valbonës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura