Vala e vjeshtës, 50% më pak shtrime se vjet në spitalet Covid! Mjekët: Rol, vaksinimi dhe një përqindje e vogël që…

Nov 10, 2021 | 7:46
SHPËRNDAJE

Nga qindra të infektuar që zbulohen çdo ditë me Covid-19, gati tridhjetë prej tyre paraqesin nevojën për trajtim spitalor.

spitali infektiv-covid-te-burgosur-ambulance (17)

Një tendencë kjo në rritje javëve të fundit, çka tregon se vala e paralajmëruar e vjeshtës zyrtarisht ka mbërritur në vendin tonë. Por me gjithë shqetësimin e hospitalizimeve në rritje, nëse kthehemi një vit pas, shifra është sa gjysma e totalit të shtrimeve në katër spitalet Covid në 2020-ën. Mjekët e shpjegojnë këtë me imunitetin natyror të individëve që e kanë kaluar tashmë virusin, si dhe ecurinë e procesit të vaksinimit. “Krahasuar me një vit më parë, natyrisht kemi një trend më të ulët të numrit të shtrimeve që paraqiten në Infektiv, por jemi një vit pas. Çka do të thotë ka filluar procesi i vaksinimit ose një pjesë e popullatës ka rënë në kontakt, por që është një përqindje e vogël”, thotë mjekja infeksioniste Esmeralda Meta.

Një vit më parë ishin 370 pacientë, ndërsa aktualisht në spitalet Covid numërohen 182 të shtruar, 19 prej të cilëve ndodhen në gjendje më të rënduar. Ata që po marrin shërbim të specializuar nisin nga moshat e reja 25 vjeç e deri te të moshuarit, kryesisht të pavaksinuar. “Nëse do t’u referohemi javëve dhe muajve të fundit, mund të themi se jemi në një trend të njëjtë madje me një tendencë të lehtë në rritje në Spitalin Infektiv Covid 1 për hospitalizim dhe kryesisht rastet që paraqiten në urgjencën tonë janë rastet mbi format e moderuara dhe kryesisht të rënda. Kemi 25 raste në ditë, ditët e fundit ka trend në rritje në 30 raste në ditë të hospitalizimeve”, thotë mjekja e Infektivit teksa shton se deri më tani asnjë person i infektuar nuk është paraqitur për herë të dytë në spital përgjatë dy viteve të pandemisë.

Problemi më madhor, sipas mjekes Meta, vijon të mbetet paraqitja e pacientëve në gjendje të rënduar me vështirësi të mëdha respiratore, çka vështirëson e zgjat në kohë mjekimin. Në këtë periudhë një vit më parë ishin në kapacitete maksimale 4 spitalet Covid, si dhe spitalet rajonale në rrethe. Aktualisht, fluksi i shtrimeve po përballohet nga dy struktura, Spitali Infektiv dhe Covid 3 në QSUT. Megjithatë, mjekët pohojnë se nëse do të kishim mbulesë të lartë vaksinale, shtrimet në spital dhe vdekjet nga koronavirusi do të ishin më të ulëta.

Sa u takon fataliteteve, ditën e shkuar u regjistruan katër humbje jete, një përqindje e ulët në raport me numrin e shtrimeve dhe infektimeve që dje prekën shifrën rekord për nëntorin. 770 raste ditore u zbuluan thuajse në çdo qytet të vendit, por Tirana mban peshën më të lartë. Krahas saj, edhe numri i të shëruarve ishte me qindra. Mbi tetë mijë raste aktive figurojnë në statistikat zyrtare, 50% e të cilave qendërzohet në kryeqytet.

KUR DO VENDOSET “GREEN PASS”

Disa ditë pas paralajmërimit se për të hyrë në lokal çdokush do të duhet të jetë i vaksinuar, pikëpyetja e radhës shtohet mbi datën se kur do të hyjë në fuqi. Numri 2 i shëndetësisë, Eugena Tomini, ka deklaruar se gjithçka varet nga situata epidemiologjike. Një rëndim i saj si dhe rënia e interesit për vaksinim do të sjellë hyrjen në fuqi të “Green Pass”. “Jemi në stinën e vjeshtës dhe po afron stina e dimrit ku prezenca e virozave të tjera respiratore, afrimiteti, prishja e distancës fizike, përdorimi i maskës në ambiente të mbyllura, janë disa elemente që stina e dimrit na e favorizon që të prishen dhe të ndërthuren këto elemente, prandaj është shumë e rëndësishme zbatimi i tyre. Ndërkohë, situata epidemiologjike, monitorimi i të gjithë parametrave duke filluar nga niveli i pozitivitetit, numri i rasteve në 24 orë, incidenca javore apo dyjavore janë indikatorët matës që do të monitorohen dhe gjykohen për të vendosur “Green Pass” në ambiente të bar-restoranteve”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura