Vaksinimi me detyrim/ Universitetet e rretheve sfidojnë urdhrin e qeverisë, cilat iu bindën dhe cilat dolën kundër

Oct 19, 2021 | 9:53
SHPËRNDAJE

Ndonëse të vogla dhe të varura nga qeveria, Universitetet e Elbasanit, Korçës, Durrësit e Gjirokastrës kanë shkelur urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë, duke hapur dyert për të gjithë, me apo pa vaksinë anti-COVID.

foto ilustruese
foto ilustruese

Shkodra e Vlora janë të vetmet IAL në rrethe që kanë vepruar ngjashëm me ato në kryeqytet, duke mos lejuar që të futen në klasa studentët që nuk kanë injektuar së paku një dozë të vetme vaksine anti-COVID apo PCR që të dëshmojë se nuk janë të infektuar.

ELBASAN

Ka nisur pa penalizime viti i ri akademik për studentët e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Pasi vuri re se vetëm një përqindje e ulët e të rinjve janë vaksinuar, rektori i Universitetit të Elbasanit vendosur të mos lërë jashtë studentët që drejtohen për mësim, duke shkelur kështu urdhrin e qeverisë. Studentët do të këshillohen të vaksinohen edhe përgjatë kësaj jave. Kjo është rruga që ka ndjekur ky universitet deri javën e ardhshme kur thuhet se do të nisë kontrolli për certifikatë vaksinimi ose tampon negativ çdo javë.

DURRËS

Të shumtë ishin studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës që u paraqitën pas kartonin e vaksinës apo testin PCR ditën e djeshme. E mbi të gjitha, pa dëshirën më të vogël për të injektuar një lëng, siç thuhet jetëshpëtues, për të cilin ata nuk janë fare të bindur. Të rinjtë janë ende të paqartë se si do të veprohet për këtë vit akademik, pasi një numër i konsiderueshëm nuk i është përgjigjur apelit për vaksinim me detyrim, si kusht për të nxënë.

Ata arrijnë deri aty sa thonë se janë të gatshëm të pezullojnë për një vit shkollën dhe nuk shprehen të gatshëm të vaksinohen. “Nuk e kam bërë vaksinën dhe as kam ndërmend. Nuk jam dakord as të bëj testin. Shumica nga ne nuk e përballojnë dot. Po qe kështu, e lë shkollën fare. Do të gjej një rrugëzgjidhje, por vaksinën nuk do e bëj”, thotë një e re e këtij Universiteti.

KORÇË

Numri 2 i Universitetit “Fan Noli” në Korçë, Artur Adili, është ai që ka dalë hapur kundër vendimmarrjes së qeverisë, duke deklaruar se edhe studentët e pavaksinuar do të lejohen në auditorë dhe do të udhëzohen në vazhdim të marrin vaksinën anti-COVID.

GJIROKASTËR

Rreth 320 studentë të Universitetit “Eqerem Çabej” në Gjirokastër janë vaksinuar dhe kanë paraqitur kartën e verdhë në hyrje në auditorëve. Ndonëse janë përpjekur të sigurohen që të mos futet në auditor asnjë student i pavaksinuar, edhe ky IAL ka sfiduar qeverinë.

Rektori Bektash Mema ka deklaruar se për ata që nuk pranojnë të vaksinohen do të punohet për ofrimin e mësimit online, duke mos i privuar studimet, pavarësisht se kjo mundësi u hoq në urdhrin e ministrisë së shëndetësisë.

Vetë studentët thonë se nuk kanë pranuar që të vaksinohen pasi nuk duhet të ishte me detyrim, por i lirë në dëshirën e tyre. Ata pranojnë se do të shkojnë në auditorë, duke bërë vazhdimisht teste pavarësisht.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura