Vaksinë ruse me kontratë sekrete, pa faturë e pa sasi! Zbardhet Akti Normativ i marrëveshjes për të siguruar vaksinën “Sputnik”

Apr 14, 2021 | 17:00
SHPËRNDAJE

ADA HAZIZOLLI/ Pasi i ktheu sytë nga lindja dhe i hapi rrugë vaksinave të pacertifikuara nga rregullatorët Europianë, qeveria ka ndërmarrë hapin e radhës. Pas kontratës së firmosur në Turqi për të sjellë vaksinën kineze, e radhës është marrëveshja e paralajmëruar për vaksinën ruse, “Sputnik”.

vaksinat-780x439

KONTRATA

Në fletoren zyrtare është publikuar një ditë më parë Akti Normativ “Për miratimin e tekstit të marrëveshjes” nga e cila do të sigurohen dozat e radhës me vaksina ruse. Por njësoj si në kontratat e mëparshme, nuk ka asnjë informacion lidhur me fondin që do të përdoret, sasinë e dozave që do të sigurohen si edhe çfarë është më e rëndësishme në kushtet kur koha mbart tjetër vlerë, nuk dihet se kur do të mbërrijnë dërgesat e para.

“Marrëveshja për furnizimin ndërmjet ‘Human Vaçine LLC’ dhe Ministrisë së Shëndetësisë, ministrit të Shtetit për Rindërtimin të Shqipërisë dhe Institutit të Shëndetit Publik për shkak të sekretit tregtar dhe kërkesës së shprehur në marrëveshje nga ‘Human Vaçine LLC’ nuk do të publikohet në asnjë ‘website’ të institucioneve apo në Fletoren Zyrtare”, specifikohet në dokument, ku thuhet po ashtu se efektet financiare, që rrjedhin nga marrëveshja përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, për vitin 2021.

fletorja zyrtare

VAKSINA

Vaksina “Sputnik V” mban vulën e Institutit Kombëtar të Kërkimit “Gamaleya” për Epidemiologjinë dhe Mikrobiologjinë në Rusi, ndërsa do të sigurohet përmes kompanisë “Human Vaçine LLC”. Nga testet klinike kjo vaksinë ka rezultuar mbi 95 për qind efektive. Edhe pse nuk është certifikuar ende nga rregullatorët europianë, shumë shtete, përfshirë Gjermaninë, kanë shprehur interes për ta aplikuar në popullatë.

Në Shqipëri, përmes një donacioni nga Emiratet e Bashkuara Arabe mbërritën disa javë më parë 10 mijë doza të vaksinës ruse, por fati i tyre nuk u mësua asnjëherë. Ndërsa për mësuesit u tha që u aplikua vaksina “AstraZeneca” dhe për personelin shëndetësor “Pfizer”, për vaksinën ruse nuk pati kategori të përcaktuara. Jo zyrtarisht thuhet që është aplikuar te të moshuarit, por kjo vështirë të besohet, sa kohë që procesi masiv për këtë kategori nisi pas mbërritjes së vaksinës kineze “Sinovac”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura