Vaksina kundër koronavirusit/ Qeveria miraton vendimin e ri, importi i tyre do bëhet pa paguar…

Jan 13, 2021 | 14:30
SHPËRNDAJE

vaksina-rama-covid

Këshilli i Ministrave ka vendosur sot të ndryshojë një vendim të mëparshëm të tij, që i hap rrugë heqjes së tarifës doganore për vaksinat kundër koronavirusit që do të importohen në vendin tonë.

Në vendimin e firmosur nga zëvendës kryeministri Erion Braçe, me porosi të shefit të Qeverisë, Edi Rama, thuhet se ndryshimi lejon që vaksinat anti Covid do të importohen pa taksë.

Në datën 11 janar, në Shqipëri mbërritën 975 dozat e para të vaksinës Pfizer dhe prej tre ditësh ka nisur vaksinimi i mjekëve, infermierëve të spitaleve Covid, epidemiologëve në vend dhe paralelisht pritet dhe nisja e vaksinimit të moshave të rriskuara, pra të moshuarit.

V E N D I M PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.1087, DATË 24.12.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN DHE PUBLIKIMIN ZYRTAR TË NOMENKLATURËS SË KOMBINUAR TË MALLRAVE, 2021”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 1 e 12, të ligjit nr.9461, datë 21.12.2005, “Për Nomenklaturën e Kombinuar të Mallrave dhe tarifën e integruar doganore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në lidhjen nr.1, bashkëlidhur vendimit nr.1087, datë 24.12.2020, të Këshillit të Ministrave, në pjesën e dytë, seksioni VI, “Produktet e industrisë kimike apo të industrive të lidhjeve”, kapitulli 30, “Produktet farmaceutike”, kodi tarifor “3002 20 00 – Vaksinat për ilaç njerëzor, pa taksë -”, ndryshohet dhe zëvendësohet me kodet tarifore, si më poshtë vijon:

“★ 3002 20 10 – – Vaksinat kundër koronavirus të lidhur me SARS (speciet SARS-CoV), pa taksë –
★ 3002 20 90 – – Të tjera, pa taksë -”.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura