Vajzat që lanë Firencen për të hapur farmaci në Tiranë

Jul 9, 2015 | 10:00
SHPËRNDAJE

Shumicën e herëve, planet e ëndrrat që bëjnë dy mikesha në kafene ngelen aty, nuk realizohen thuajse kurrë (përveç planeve për pushime). Biseda të gjata, strategji, burimin fillestar të të ardhurave… i marrin pikat një e nga një, madje shkojnë deri te procedurat e kredisë. Pastaj, ndodh gjithnjë diçka që i përmbys të tëra. Në mos ju ka ndodhur ndonjëherë, me siguri keni dëgjuar nga shoqja juaj që kishte një projekt biznesi me një mikeshën e saj derisa kjo e fundit vendosi të martohej në Mongoli!

Alda Hasani

E gjithë kjo, nuk ka pse shpjegohet me faktin se, për shembull, kur bëmë bisedën, ishte e premte e zezë, prandaj edhe gjërat nuk funksionuan. Mundet të jetë e lidhur me përtacinë tonë organike që, nga ana tjetër, nuk qëndron fare me fantazitë tona sqimatare. Vlen të përmendet kjo e fundit, sepse kur Alda Hasani dhe Ana Hysenllari po vinin piketat e para për të punuar në Tiranë, gjendeshin në Firence. E anasjellta mund të mos kishte funksionuar.

Të dyja, sapo ishin diplomuar në Universitetin e Sienës. Alda, në Fakultetin e Shkencave dhe Teknologjisë së produkteve kozmetike e bimore, ndërsa Ana në Fakultetin e Farmacisë. Pra, duke qenë secila përgjegjëse për dy dyer të shtëpisë së madhe, farmacisë, menduan që bashkë, do të mund të bënin atë që donin dhe ashtu siç duhet. Alda ka qenë gjithnjë e magjepsur pas parfumeve e aromave. I mjafton të shohë një trëndafil për ta shndërruar menjëherë, në imagjinatë, në esencë.

Ana Hysenllari

Pas diplomimit, arriti që ta realizojë pasionin e saj e të përgatisë produkte në mënyrë krejt natyrale. Në Firence ka punuar shumë vite si përgjegjëse në kërkim, zhvillimin e ideimin e formulave të reja të produkteve kozmetike, kremra të ndryshme, shampo e parfume. Në këtë një vit që është transferuar në Tiranë, nuk zgjohet gjithnjë me “karikimin” e duhur për të nisur punën me atë pasion e energji që bënte në Itali, por po përpiqet t’ia dalë.

Ajri nuk e lehtëson as atë e as të gjithë ne. Nga ana tjetër, Ana Hysenllari mbulon pjesën e medikamenteve. Pas studimeve universitare ajo ka ndjekur Masterin për Fitoterapi (Mjekësi bimore dhe galenike) ku ka perfeksionuar metodat e ekstraktimit, përpunimit dhe përdorimit të bimëve medicinale në terapi. Të dy mikeshat e kanë ndarë punën me orare. Njëra paradite e tjetra pasdite, megjithëse, tani që Ana është në pritje, me ditë, për të sjellë në jetë një bebe, Aldës i duhet të punojë ca orë më tepër. Ana, njësoj si Alda, ka fituar përvojë duke e ushtruar profesionin në Firence.

Ka punuar në laboratorin galenik të farmacisë spitalore “Policlinico le Scotte” të Sienës në Itali. Pas universitetit gjithashtu ka punuar për shumë vjet si farmaciste dhe përgjegjëse për përgatitjet galenike në farmaci dhe parafarmaci në Siena dhe Milano. Të dyja janë një model për të na bërë të ngrihemi nga kafenetë, e të bëjmë ndonjëherë diçka konkrete.

Alda Hasani: Përgatitja e një kremi nuk është njësoj si të përgatisësh një tiramisu

Që të bësh një formulë, qoftë ky një krem apo shampo, nuk është se mund ta bëni në shtëpi, vetëm sepse ju shkrepet në kokë. Duhen respektuar disa standarde. Në radhë të parë nevojitet një laborator i vogël për të kontrolluar cilësinë e produktit. Kushtet e higjienës, të cilat janë themelore, që nga përdorimi i një backer e deri te mirëmbajtja e lëndëve të para në kushtet e caktuara, kjo sipas certifikatës, e cila duhet të jetë brenda standardeve të kontrollit.

Emulsioni, përpara se të tregtohet, ka nevojë për disa prova paraprake në kushte të ndryshme temperaturash për të parë stabilitetin, prova për të gjetur pH ideal për atë formulim që bëhet dhe teste të tjera që mund t’i bëjnë vetëm personat e specializuar. Përgatitja e një kremi nuk është e njëjta gjë si bërja e një ëmbëlsire në kushtet e shtëpisë dhe mbi të gjitha, janë shumë të rëndësishme njohuritë kimike. Dëgjojmë çdo ditë që në Shqipëri kjo ndodh në mënyrë të rëndomtë nga persona që janë vetëm të apasionuar, por kaq nuk mjafton! Edhe sepse, është e pamundur të bëhet nga formula të kopjuara nga interneti apo nga bloger që shkruajnë.

Nuk jemi duke bërë maskarponen për një tiramisu, bëhet fjalë për lëkurën tonë apo njollat, të cilat mund të shfaqen pikërisht pas përdorimit të këtyre kremrave. Kujdesi është gjithçka ju rekomandojmë! Sigurohuni përpara se të aplikoni diçka në lëkurën tuaj. 

Çfarë fytyre kam dhe çfarë t’i bëj?
Mes produkteve, në farmacinë e tyre, vajzat kanë menduar edhe për një hapësirë kushtuar të gjithë fytyrës. Me anën e një aparature analizohen të gjitha parametrat e lëkurës për t’u dhënë mundësi klientëve të njohin në detaje karakteristikat e fytyrës dhe flokëve të tyre, duke përcaktuar tipologjinë e lëkurës dhe flokëve.

Me analizimin e këtyre parametrave (hidratim, elasticitet, yndyrë, qeliza të vdekura, pore, pH. etj.), arrijmë të njohim edhe nevojat e saj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura