Vajza gjermane e rrëmbyer: Ish-i dashuri nuk pranon lidhjen time të re

Mar 3, 2015 | 11:00
SHPËRNDAJE

Pengmarrja 50- minutëshe e 27-vjeçares gjermane nga ish-i dashuri i saj nga Kosova, mbrëmjen e së dielës në Tiranë, është një ngjarje e përsëritur. Një episod i njëjtë sipas dëshmisë së vajzës ka ndodhur edhe vitin e kaluar.

27-vjeçarja gjermane

Shtetasja gjermane, Katerina Erekter, edhe në tetorin e 2014-s ishte marrë forcërisht në makinë. I dyshuari për heqje të paligjshme lirie, Hamdi Berisha, që u arrestua mbrëmjen e së dielës, është shprehur në Polici se e dashura e tij i ka vjedhur para dhe bizhuteri.

Për këtë arsye, ai pretendon se e ka mbajtur peng, në mënyrë që ajo t’i tregonte se ku i kishte fshehur stolitë dhe paratë e vjedhura. Sipas tij, vajza e ka vjedhur në kohën kur ata jetonin bashkë në një hotel në Durrës, nga muaji tetor i vitit të kaluar deri në janar të këtij viti.

Por, vetë e dëmtuara i hedh poshtë pretendimet e shtetasit nga Kosova, të cilin tashmë e quan ish-të dashur, duke u shprehur se nuk i ka vjedhur kurrë asgjë, por ai çdo veprim e bën nga xhelozia, pasi ajo ka krijuar një lidhje të re me një djalë nga Tirana. Shtetasja e huaj, e cila jeton në Shqipëri që prej mesit të vitit të kaluar, ka treguar se ajo ka pasur një lidhje 7-vjeçare me 44-vjeçarin Hamdi Berisha, me të cilin ishte njohur në Gjermani, por ishte ndarë me të që prej fillimit të këtij viti.

Burime nga Policia e Tiranës thanë se në periudhën kur gjermania ka nisur të jetojë në hotelin në Durrës me të dashurin e saj, përkon me një denoncim të mëparshëm po për pengmarrje, që është bërë nga disa miq të saj. Madje, sipas Policisë, në kallëzimin e bërë në tetor të 2014-s, thuhej se shtetasja gjermane ishte hipur me forcë në makinë në afërsi të Rrugës së Elbasanit dhe makina u ndalua në pikën kufitare të Morinit, duke tentuar të largohej drejt Kosovës, ku u bë shoqërimi i saj dhe i shtetasit Hamdi Berisha.

Por në atë kohë, vajza u shpreh se personi që ishte me të në makinë, ishte i dashuri i saj dhe nuk e kishte rrëmbyer, por po largohej me dëshirë me të. Ndërsa, për ngjarjen e ndodhur ditën e diel në afërsi të Unazës së Re, e dëmtuara ka pranuar se është marrë me forcë nga ish-i dashuri, i cili është ndihmuar edhe nga dy miqtë e tij, një shtetas tjetër nga Kosova dhe një djalë nga Tirana. Edhe për këtë ngjarje, ajo ka rrëfyer se Hamdi Berisha ishte nisur në drejtim të Kosovës, por nuk arriti dot të shkonte shumë larg, për shkak se u përplas makina.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura