Vaçe Zela kthehet në shtëpi, pritja në Prishtinë e Tiranë

Feb 8, 2014 | 12:44
SHPËRNDAJE

Nga ceremonia në qytetin e Lushnjës
Pas homazheve në aeroport, sot lamtumira në TKOB

Familjarët tregojnë ditët e saj të fundit, përkeqësimi dhe shtrimi në spital.

Siç edhe ishte amaneti, dje në mbrëmje, trupi i pajetë i këngëtares së madhe Vaçe Zela mbërriti në shtëpinë e saj në Tiranë. Pasi ka ndaluar së pari në Prishtinë, ku personalitete të kulturës kosovare e njerëz të thjeshtë kanë bërë homazhe rreth arkëmortit, kortezhi mortor u nis drejt Shqipërisë. Kudo që ndaloi, këngëtares iu dha lamtumira e fundit me dinjitet. Trupi i pajetë i këngëtares mbërriti në Tiranë rreth orës 18:00 dhe ndaloi pranë shtëpisë së saj, pranë sheshit “Avni Rustemi”, ku tashmë e prisnin miq e të afërm. Eskorta e makinave të familjarëve, në shoqërinë edhe të disa forcave të Policisë, të cilat drejtonin qarkullimin e automjeteve, që u bllokua për disa minuta në zonën në hyrje të sheshit “Avni Rustemi”, ishin sinjali që të drejtonte për nga shtëpia e këngëtares. Banesa e saj në katin e dytë, me kushte dhe hapësirë modeste, kishte hapur dyert për të pritur të zonjën e shtëpisë, e cila ndërroi jetë para dy ditësh në Bazel të Zvicrës, aty ku edhe jetonte prej vitesh. Të afërmit u kujdesën që të ruanin privatësinë e tyre të paktën brenda ambienteve të apartamentit, ku nuk u lejua prania e mediave. Këto momente të fundit të saj në shtëpi kanë preferuar t’i ndajnë mes tyre.
Ditët e fundit

Dje në shtëpinë e këngëtares pas mbërritjes së trupit
Një nga mbesat e këngëtares, e pikëlluar nga dhimbja, u shpreh se vdekja e Vaçes i ka dërrmuar jo vetëm familjarët, por edhe dashamirësit e muzikës së saj. “Deri natën e ndërrimit të viteve, ajo ishte në gjendje të mirë shëndetësore, fliste dhe komunikonte me të gjithë. Menjëherë, në datën 1 të këtij fillimviti, ajo u përkeqësua, derisa u shtrua në spital. Personeli i spitalit, ku Vaçja u shtrua, habiteshin nga mirësjellja e saj, dhe sa herë e pyesnin se si ndihej, ajo thoshte vetëm mirë, edhe pse kishte dhimbje trupi”, thotë një nga të afërmet e këngëtares. Dera e komshinjve përballë, madje dhe një kat sipër banesës së këngëtares, ishin çelur për të pritur vizitat e rastit, ku përveç familjarëve të ngushtë, dy vëllezërve, motrave, kushërinjve të ardhur nga Lushnja, e disa nipërve e mbesave të Vaçes, binte në sy edhe prania e këngëtares Ema Qazimi, bashkë me të shoqin, muzikologun Ramazan Bogdani, të cilët e shoqëruan arkëmortin që në çastet e para të mbërritjes në Tiranë. E bija, Irma, ishte gati e dërrmuar nga dhimbja, dhe herë pas here i duhej të dilte për pak ajër në sheshpushimin e pallatit. Disa kushërira të saj thanë se “Irma ishte tejet e lidhur me të ëmën, jo vetëm se ishte vajza e vetme, por ajo e tyrja ishte një marrëdhënie që i kalonte kufijtë nënë e bijë”.
Rrugëtimi
Një prej artistëve që e shoqëroi trupin e ndjerë të këngëtares, që nga mbërritja në Aeroportin e Prishtinës, ishte edhe poeti Agim Doçi. Mes të tjerash, ai shpjegoi edhe faktin se mbërritja fillimisht në Kosovë ishte për efekt të mungesës së një linje direkte avioni Zvicër-Shqipëri. “Trupi i Vaçes u transportua fillimisht nga Bazeli për në Aeroportin e Zvicrës, dhe më pas për efekt linje direkte, pasi me traget natyrisht që nuk mund të sillej, sepse ishte distancë e largët, u vendos në Aeroportin e Prishtinës. Aty u bë një pritje madhështore, ku personalitete të politikës e kulturës, mes tyre Nexhmije Pagarusha, ishin aty për të pritur arkëmortin e këngëtares. Pati edhe disa duartrokitje të lehta, që me sa duket do të jenë të fundit për të…”, u shpreh poeti. Ajo që ra në sy gjatë pritjes në shtëpinë e këngëtares, ishte mungesa e artistëve e kolegëve, me të cilët ajo ka ndarë jetën skenike, por me gjasë ata e kanë rezervuar “lamtumirën” e fundit për të ditën e sotme, kohë kur edhe do të zhvillohen homazhet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Pritja në Kosovë
Prishtina, homazhe në aeroportin “Adem Jashari”

Nga homazhet e kryera në aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë
Një lamtumirë e fundit edhe nga kolegët e Kosovës dhe të gjithë ata njerëz që adhurojnë artin e saj. E nisur nga Bazeli i Zvicrës, ku jetonte prej vitesh me familjen e saj, trupi i pajetë i këngëtares Vaçe Zela mbërriti së pari në Prishtinë, në orën 14:00. Siç raportojnë mediat kosovare, drejtues të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të institucioneve të kulturës në Kosovë, qindra artistë, drejtues të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, dolën dje në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” për t’i bërë nderimet e fundit këngëtares, që u nda nga jeta në prag të 75-ave. Ndonëse ishte njoftuar, mediat kosovare bëjnë me dije se ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, nuk ishte i pranishëm në këtë ceremoni. Një ditë më parë, ai ngushëlloi familjen përmes një telegrami, ku ndër të tjera shprehej se “vdekja e saj është një humbje shumë e madhe për kulturën e kombit tonë, të cilën ajo më së miri e ka transmetuar përmes zërit magjik. Ka qenë dhe mbetet zëri më origjinal dhe artistja më kuptimplotë në skenën kulturore shqiptare. Vaçe Zela ka rrezatuar shumë pozitivitet dhe i ka dhënë shpirt çdo teksti dhe melodie”. Ngushëllime iu drejtuan familjes edhe nga Kryeministri Hashim Thaçi.
Vaçe Zela, me krijimtarinë dhe personalitetin e saj i ka thyer kufijtë dhe ka pasuruar jetët tona në çdo moment. E pranishme në homazhe ishte edhe një prej kolegeve të saj më të mira, që bënë epokë, njëra në Tiranë e tjetra në Prishtinë, Nexhmije Pagarusha. Të pranishëm kanë qenë edhe familjarë të këngëtares, mes të cilëve vëllai i saj, këngëtari Hysni Zela dhe artistë nga Shqipëria, që i paraprinë ardhjes së trupit të saj në Tiranë. Në ambientet e aeroportit u vendos arkivoli i mbuluar me flamurin shqiptar dhe me tufa lulesh, rreth të cilit u bënë homazhe dhe më pas kortezhi u nis drejt kryeqytetit shqiptar, me përcjellje shtetërore të Republikës së Kosovës. Ceremonia u organizua nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës.

Homazhet në Tiranë
Homazhet në Tiranë nderim të artistes Vaçe Zela do të zhvillohen sot në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, nga ora 10:00 deri në orën 12:00. Do të jetë kjo ngjitja e fundit në skenë për të madhen e këngës shqiptare. Prej Teatrit të Operës dhe Baletit, në orën 13:00 do të zhvillohet ceremonia mortore në Varrezat e Sharrës, ku ajo do të prehet. Ceremonia në nderim të artistes organizohet nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë nën kujdesin e Kryeministrit Edi Rama. Gjatë homazheve, Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Lushnjës në nderim të veprës së artistes së madhe, Vaçe Zela, do të ulin flamurin në gjysmështizë.

Bashkia lushnje, autobusë drejt Tiranës për Vaçen
Bashkia e Lushnjës do të organizojë udhëtime falas drejt Tiranës për të gjithë adhuruesit e Vaçe Zelës, që duan t’i japin lamtumirën e fundit asaj. Ky fakt u bë i ditur dje nga drejtuesit e këtij institucioni të qytetit, ku lindi dhe shfaqi talentin këngëtarja e madhe. Gjatë ditës së sotme, në orët e mëngjesit u planifikua nisja e disa mjeteve në drejtim të kryeqytetit, ku do të mbahen homazhe në nderim të Vaçe Zelës. Bashkia pritet që të nisë punën dhe për kthimin në muze të shtëpisë ku lindi Vaçja dhe emërtimin e lagjes ku ndodhet banesa me emrin e saj.

ERMIRA ISUFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura