Uzuni, lojtar skuadre! Broja nuk ishte në ditën e tij, ja si vlerësohen lojtarët e Shqipërisë! Notat e “Panorama Sport”

Sep 26, 2022 | 13:20
SHPËRNDAJE

Panorama Sport” ju sjell notat e lojtarëve të Kombëtares shqiptare në humbjen ku kuqezinjtë pësuan ndaj Izraelit, me rezultatin 2-1 në Tel-Aviv, e vlefshme për Grupin 2 të Ligës B në Ligën e Kombeve:

SHQIPERIA 3

STRAKOSHA 5 – Në të dy golat e pësuar nuk ka faj, por është disi apatik nën drejtimin e prapavijës dhe tërheqjes së vëmendjes së lojtarëve. Portieri e ka këtë rol.

BALLIU 5 – Me hatër… Çdo ndeshje na ka pëlqyer, por të shtunën nuk dha asgjë nga ajo që pritej. I përhumbur dhe jashtë pozicionit.

(Nga min 46’ VESELI 5,5 – I vëmendshëm dhe i sigurt në veprimet e tij. I bie barra që të nxjerrë topin e parë nga zona, por jo gjithnjë ia del. Disa tentativa për të ndihmuar sulmin).

ISMAJLI 5,5 – Mbetet një lojtar konstant dhe i kujdesshëm, i cili e ndjek mirë lojën, por ka vështirësi në nisjen e aksioneve.

AJETI 5,5 – U përpoq shumë, bëri disa ndërhyrje të mira, por ishte shumë i tensionuar dhe rrezikonte që me një veprim të shpejtë të shkaktonte penallti. Luftarak dhe me shumë dëshirë.

(Nga min 78’MIHAJ 4 – Ndërrimet në mbrojtje janë shumë të rrezikshme dhe duhet të jenë të studiuara mirë. U fut në një moment shumë të vështirë sepse ekipi ishte i çorganizuar. Gabimi i tij te goli i dytë ishte fatal).

HYSAJ 4 – Mbrëmje e errët për kapitenin. Gabon fatalisht te goli i parë dhe nuk arrin asnjëherë të shtyjë përpara. Gjysmëfajtor edhe te goli i dytë i pësuar.

ABRASHI 6 – Luftarak në çdo top, por kur skuadra nis të luajë me topa të gjatë, ai nis të xhirojë bosh në fushë dhe shpenzon shumë energji pa pasur efekt.

(Nga min 67’ 
RAMADANI 6 – Për aq sa luajti, edhe ai i zbatoi mirë detyrat. Solli freski dhe vetëm një akrobaci e portierit i mohoi golin).

LAÇI 6 – Dha maksimumin, lëvizi shumë, kishte dëshirë të madhe, por asnjëherë nuk ishte në gjendje të lidhej as me Cikalleshin dhe as me Brojën për aksione të rrezikshme.

GJASULA 5,5 – Tregoi qetësi si rrallëherë, ishte i vëmendshëm në vendosje dhe mbylljen e hapësirave, por edhe ai që e njeh tashmë lojën e Cikalleshit nuk u bë asnjëherë inspirues për ta furnizuar me topa. Ndoshta vendosja e Asllanit në atë pozicion e pengoi.

ASLLANI 5 – Është djalë i ri dhe me të ardhme, por nuk u kuptua pse nuk mori më shumë përsipër në atë ndeshje aq të rëndësishme. Ndoshta sepse ishte jashtë rolit.

(Nga min 67’ BAJRAMI 6 – Shtoi dinamizmin në lojë dhe kishte nuhatjen e duhur, sepse e kishte studiuar mirë ndeshjen, sepse kur u fut bëri veprimet e duhura dhe të shpejta. Mbështeti shumë mirë sulmin).

BROJA 5,5 – U bombardua nga media dhe nga lëvdatat, gjë që ndoshta ka krijuar një tension të brendshëm, të cilin një lojtar i ri nuk di ta administrojë mirë. Humbi dy raste të shkëlqyera që i krijoi po vetë. Por që të dalin në pah cilësitë e Brojës duhet edhe ekipi të aplikojë një mënyrë loje tjetër.

CIKALLESHI 5,5 – Është lojtar i sakrificës. Është i vetmi ndoshta që në çdo aspekt kërkon të ndihmojë ekipin e tij. Por as atë nuk e shërbyen asnjëherë si duhet.

(Nga min 78’ UZUNI 8 – I shkëlqyer me golin, me mënyrën e ekzekutimit dhe thjeshtësinë e tij për të ndihmuar ekipin. Lojtar skuadre).

REJA 4 – U duk se vetëm 10 minutat e fundit u motivua për të drejtuar ekipin, por edhe aty e rrëmbeu loja dhe zhvillimet në fushë. Ka eksperimentuar pa fund, por skuadra nuk funksionon në asnjë repart. Ndoshta tani është vonë për t’i kërkuar më shumë…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura