UT, Kule kundërshton ligjin për arsimin, dekanët heshtin

Jul 7, 2015 | 13:07
SHPËRNDAJE

Universiteti më i madh në vend, ai i Tiranës, ka dhënë të tjera sugjerime për hartuesit e reformës në arsimin e lartë. Në dëgjesën e një dite më parë Komisioni i Medias diskutoi propozimet e reja që ky universitet mendon se duhet të ndryshohen përpara se ligji të kalojë për miratim në Parlament. Pasi vlerësoi përmirësimet në draft, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, shprehu disa sugjerime që lidhen me krijimin e institucioneve publike të pavarura, mënyrën e funksionimit të agjencisë së financimit dhe bordit të akreditimit, si dhe ciklet e studimit. Veç këtyre, ai kërkoi kthim të këshillave të fakulteteve, sistemit part-time të shkollimit dhe bllokimin e transferimit të studimeve nga degë të ndryshme brenda një universiteti. Ndërkohë gjatë seancës dekanët pavarësisht pyetjeve të deputetëve nuk kanë preferuar të shprehen as pro, as kundër projektligjit.

PROPOZIMET

Universiteti i Tiranës vijon të kundërshtojë kapitullin XII për krijimin e institucionit publik të pavarur, model që sipas tij nuk gjendet në asnjë vend të Europës. “Nëse do të ketë institucione të tilla nga e mirë publike ato degradojnë në të mirë private dhe humbet përmbajtja e institucioneve të arsimit të lartë”. Vërejtjet e tij vijuan me Agjencinë Kombëtare të Financimit, duke kërkuar që buxheti i universiteteve të mos varej nga ky mekanizëm, por direkt nga Parlamenti. “Në ligj parashikohet që universitetet në varësi të skemës së financimit të tyre bëjnë marrëveshje 3-vjeçare me Ministrinë se si do të jetë përqindja e financimit të tyre. Si mund të dalë një agjenci të ndryshojë një marrëveshje që e kanë bërë universitetet me Ministrinë.

Do të sugjeronim që kjo të hiqet e të mbetet në kompetencë të ministrit ose Parlamentit”. Bordin e administrimit rektori Kule e cilësoi një risi pozitive duke ndarë menaxhimin nga drejtimi akademik, por problem mbetet përbërja dhe kompetencat e tij. “Në ligj parashikohet që në varësi të përqindjes së buxheteve nga të ardhurat e vetë universitetet krahasuar me të ardhurat nga buxheti i shtetit do të jetë anëtarësia në bord. Më i interesuar është ai që ka më shumë fonde nga buxheti i shtetit, pa rëndësi nëse do të ketë 3 apo 4 anëtar në bord. Ndërkohë është parashikuar pakica bllokuese nga Ministria”, vuri në dukje Kule, duke shtuar se ky bord nuk mund të ketë kompetenca akademike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura