Ushtria, Nishanit i hiqen kompetencat, Majko abstenon

Jun 13, 2014 | 9:10
SHPËRNDAJE

Shumica votoi dje me 75 vota pro, 35 kundër dhe 1 abstenim të ishministrit të Mbrojtjes Pandeli Majko ligjin e ri për karrierën dhe gradat në Ushtri. Opozita e kundërshtoi draftin me argumentin se i hiqen Presidentit kompetencat për emërimin dhe lirimin e gjeneralëve me gradë madhore. Gjatë votimit, ish-ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko abstenoi, duke përsëritur të njëjtin votim si në Komisionin e Ligjeve ku u shpreh kundër heqjes së kompetencave të Presidentit.

DEBATI

“Meritë e ligjit, ndryshimi rrënjësor i strukturës së gradave. Misioni i ligjit aktual është vendosja e sistemit të karrierës mbi kritere profesionale. Trupat e oficerëve dhe nënoficerëve janë vërtet profesioniste. Ligji i ri rrit kohën e qëndrimit në FA. Projektligji i ri synon që në komisionet e karrierës të përfshihen edhe nënoficerë”- u shpreh ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Duke folur në emër të Grupit të PD-së, ishkryeministri Berisha e ka cilësuar si sulmin më të egër të 23 viteve të fundit ndryshimet që bëhen për Forcat e Armatosura. “Kjo që asistoni sot është një veprim ndër më të papërgjegjshmit, është sulmi më i egër në 23 vite që është bërë ndaj Forcave të Armatosura të vendit, është akti më i papërgjegjshëm që kryhet ndaj këtyre Forcave”, u shpreh Berisha. Ndërsa ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, theksoi: “Në cilin vend të NATO-s, gjeneralët dalin 65 vjeç? Sa vjeç dalin p.sh. në USA ? Në Slloveni, në Estoni, Kroaci dhe kështu me radhë? P.sh., vitin e kaluar Komandanti Suprem i Forcave të NATO-s doli në pension 57 vjeç, kurse në projektin në fjalë koloneli duhet të dalë 59 vjeç – ku po shkojmë? Po ju them edhe një rast tjetër, ish-shefi i Shtabit Pëllumb Qazimi, i cili kreu detyrën në kohën e reformave të thella në FA, u largua në 2006-n me bindjen e plotë se kishte mbaruar kohën e qëndrimit në gradë dhe sot shërben si ambasador”. Gjatë votimit, ministrja e Mbrojtjes propozoi disa ndryshime, por që nuk u pritën mirë nga kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj. “Amendamente që nuk janë paraqitur me shkrim nuk mund të paraqiten në seancë as nga deputetët, as nga Këshilli i Ministrave. Kjo është parimore, për shkak se nuk e lejon rregullorja. Ne nuk mund ta ndryshojmë rregulloren këtu në seancë”, tha Xhafaj.

PËRPLASJA PËR CEZ
Ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar dje atë që ai e quajti vjedhjen e parave të shqiptarëve me negociatat e fshehta që po bën qeveria “Rama” me kompaninë çeke. Sipas Berishës, negociatat për palën shqiptare për zgjidhjen e mosmarrëveshjes po i zhvillon ish-drejtoresha juridike e kompanisë “CEZ Shpërndarje”. Po ashtu, Avokatja e Shtetit që mbron Shqipërinë në Strasburg, Alma Hicka, sipas ishkryeministrit, bashkëshorti i saj punon si avokat pranë kësaj kompanie. Por, gjatë replikës, ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri kërkoi nga ish-kryeministri të mbyllë gojën pasi sipas tij Berisha është fajtori i krijimit të këtij konflikti që dëmton shqiptarët.
Adi Shkembi/PANORAMA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura