“Ushtari nga Kruja që vrau shokun tonë tropojan, u shpërblye me pesë ditë leje dhe…”/ Ja dëshmia e ish-të burgosurit të Spaçit

Nov 2, 2020 | 16:04
SHPËRNDAJE

Publikohen disa nga historitë e panjohura të Sajmir Malokut, ish-inxhinier ushtarak që ishte diplomuar me ‘Medalje Ari” në Universitetin e Tiranës, i cili u arrestua nga Sigurimi i Shtetit më datë 13 maj të vitit 1976, në prani të 600 vetave në një sallë të madhe kinemaje në qytetin Burrelit, me akuzën si “agjent i mundshëm i Zbulimit Britanik dhe për agjitacion e propaganda kundër pushtetit popullor si dhe ndaj regjimit komunist”.

dosier

Lidhur me shkakun e vërtetë të arrestimit të tij, Sajmir Maloku dëshmon: “Për arsye se Televizioni Publik Shqiptar transmetonte vetëm 4 orë emission televiziv në ditë, unë në vitin 1970 duke lexuar mjaft literaturë të huaj shkencore arrita të ndërtoja një pajisje të thjeshtë elektronike televizive (shndërrues të sinjaleve televizive të Bandës UHF në VHF). Kjo shpikja ime bëri të mundur që populli shqiptar në të ardhmen të shikonte lirisht emisionet e stacioneve televizive italiane dhe jugosllave të Bandës UHF sidomos në zonat malore dhe bregdetare të vendit tonë.

Pyetja e parë që më bëri mua hetuesi në seancën e parë hetuesore ishte: “Ti je spiun i famshëm i Perëndimit, ashtu si Mata Hari. Na trego ore armik i poshtër veprimtarinë tënde agjenturore me Agjenturat e Fshehta të 17 Vendeve të Huaja Perëndimore dhe të Botës”. Kjo për arsye se Sigurimi i Shtetit kishte dyshime të mëdha për takimet e mia me turistët e huaj gjatë 8 viteve dhe të korespodencave të shumta postare me filatelista të vendeve të mësipërme. Sot ky hetues është i gjallë.

Gjatë kontrollit të shtëpisë tonë në Tiranë dhe të dollapit tim të hotelit në Qytetin e Burrelit, Sigurimi i Shtetit gjeti dhe mori Librat e Shenjtë të Biblës dhe të Kuranit në gjuhën angleze; shumë libra dhe revista të vjetra angleze; disa fjalorë dhe blloqe me skica antenash moderne televizive; pajisjen time elektronike televizive me dy tranzistorë dhe përforcuesin e sinjaleve televizive; etj”.

Të gjitha këto e të tjera ngjarje të jetës së tij, që nga: fëmijria, shkollimi, periudha e rinisë me jetën në Tiranën e fillimviteve ’70-të, ndjekjen dhe survejimin nga Sigurimi i Shtetit, diplomimi, emërimi si inxhinier ushtarak i Ndërlkidhjes në një repart të Burrelit, arrestimin, gjyqin e demaskimin publik, hetuesinë, burgun etj, Sajmir Maloku i ka përmbledhur në një libër me titull “SI MBIJETOVA NE FERRIN KOMUNIST” (Botim i EMAL në shqip dhe anglisht), pjesë prej të cilave ai i ka dhënë për botim ekskluzivisht për Memorie.al

Pas dhjetë minutash ky polic tepër i irrituar dhe i informuar për veprimin human timin dhe të shokut tim të punës, kërkonte të na ndëshkonte ne të dyve. Të dy së bashku i thamë policit: “Ti duhet të na falënderosh neve për veprimin tone, se në rast se i dënuari do të kishte vdekur nga i ftohti, do të të arrestonin si pasojë e shkeljes së rregullores së punës dhe do të të shkarkonin nga puna. A mendon ti se do të kishe lënë familjen dhe fëmijët e tu pa bukë?”

“Puna cfilitëse në galeritë e Spaçit, i kishte shpërfyturuar të burgosurit”

Ishte tmerr i vërtetë, sepse avujt e acidit sulfurik dhe temperatura e lartë e frontit të punës në galeritë e piritit dhe papastërtitë e trupit, e vështirësonin dhe dëmtonin rëndë shëndetin e të burgosurve. Ujë për t’u larë në frontin e punës nuk kishte, por vetëm në banjat e burgut. Ishte një tmerr i vërtetë kur shikoje të burgosurit teksa ktheheshin nga puna me ato fytyra të nxira dhe gjithë pluhur e me rrobe të vjetra të palara. Vetëm pasi laheshin, mund të dalloje fytyrën e tyre të vërtetë. Puna tepër e lodhshme dhe prej shumë vitesh në galeritë e minierave, ushqimi i keq dhe tronditja psikike, i kishte shpërfytyruar fytyrat të burgosurve që dukeshin më të moshuar. Pluhuri i galerive dhe mosajrosja mirë e tyre si dhe avujt e acidit kishin shkatërruar rëndë mushkëritë e të burgosurve dhe duke i shkaktuar edhe shpeshherë sëmundjen e silikozës (pluhur kuarci në mushkëri).

Të burgosurit politikë si gjatë kohës kur shkonin në punë edhe kur ktheheshin nga puna, formonin kolonat e gjata nga dy veta dhe të kapur prej dore kalonin te porta e hekurt që ndante burgun dhe minierën. Gjithashtu aty bëhej edhe numërimi i të burgosurve me dyshimin se mos ishte arratisur apo ndonjëri prej tyre edhe mund të kishte vdekur në minierë. Burgu i Spaçit ishte i rrethuar me shumë gardhe me tela me gjemba. Dhe sipër kishte tela të elektrizuara. Kjo gjë e bënte të pamundur tentativën për arratisje të ndonjë të burgosuri. Kam parë me sytë e mi se si një i burgosur nga dëshpërimi dhe nga vuajtjet e tmerrshme u hodh përmbi gardhin e telave me gjemba të burgut. Dhe përfundimi ishte tepër fatal për këtë bashkëvuajtës, i cili kishte aspiratë jetën, por komunizmi i’a mori në kulmin e moshës. Aty ishin rreth 1200 të burgosur politikë. Vlen për t’u theksuar se në të gjitha burgjet të burgosurit politikë e ndihmonin shumë njëri-tjetrin. Ato ishin burgje të qeta. Sjellja e të burgosurve ndaj njëri-tjetrit ishte shembullore dhe tepër miqësore. Sapo hynim në Burgun – kamp të Spaçit dhe punonim nëpër galeritë e minierës, disa punonjës policie na thoshin ne të burgosurve politikë: “Ju keni ardhur në një vend kur duhet të zgjoheni prej gjumit atëherë kur nuk keni dëshirë të zgjoheni; të hani ushqim kur nuk ju hahet; të punoni kur nuk keni dëshirë të punoni, të flini kur ju nuk keni dëshirë të flini”. Gjithashtu, ata na thoshin: “Punoni sa më shumë, sepse kështu ju riedukoheni nëpërmjet punës, që të jeni njerëz të denjë për shoqërinë kur të liroheni nga burgu”.

“Në Burgun e Spaçit të burgosurit politikë ishin ‘skllevër të shtetit komunist”

Në Burgun e Spaçit të burgosurit politikë ishin “skllevër të shtetit komunist”, të cilët detyroheshin të punonin me pagesë tepër të ulët dhe me tre turne. Pagesa që merrte për punën e bërë në minierë një i burgosur politik ishte sa një e dhjeta e pagesës së një punëtori të lirë të minierës. Ky ishte një diskriminim i madh që i bënte regjimi komunist të burgosurve politikë dhe i detyronte me dhunë të punonin aty në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare. Po të kundërshtoje, të priste dajaku dhe qelia. Ky burg dhe miniera ishin në lartësinë afro 1000 metra mbi nivelin e detit. Dimri atje ishte shumë i ftohtë dhe temperaturat arrinin deri në -17 grad C. Shpesh binte dëborë dhe shi. Burgu – kamp pune i Spaçit, të kujtonte gulagët rusë ose kampet e punës së detyruar në Siberi gjatë kohës së diktatorit komunist Stalin. Pra, eksperienca komuniste ruse u zbatua nga diktatori Hoxha edhe në Shqipëri, në Burgun e Spaçit.

Të burgosurit politikë dhe mediat perëndimore e quanin Burgun – kamp të Spaçit, si “Aushvici dhe Gulagu shqiptar”, sepse ai na kujtonte Kampin e Përqëndrimit të Aushvicit në Poloni dhe Kampet e tmerrshme të Internimit e të punës së detyrueshme, që ngriti diktatori Stalini në Siberinë e Rusisë. Galeritë e minierës së bakrit dhe ajo e piritit ishin primitive dhe të vjetra. Të burgosurit politikë punonin në kushte tepër të vështira dhe ku temperatura brenda në galerinë e piritit arrinte deri në 40 grad C. Avujt e acidit sulfurik dhe pluhuri i galerive dëmtonin rëndë mushkëritë tona. Në qoftë se tre punëtorë të lirë e kishin normën ditore të nxirrnin 2 ose 3 vagonë me mineral bakri ose piriti, të burgosurit politikë të Spaçit ishin të detyruar nga policia të nxirrnin 12 deri në 20 vagonë të mbushur me mineral.

Disa nga të burgosurit politikë, që ishin tepër të tmerruar nga gjendja e keqe e galerive të minierës dhe norma ditore mjaft e lartë e punës, thyenin apo dëmtonin rëndë qëllimisht këmbët, duart apo gishtërinjtë e tyre, për të evituar punën në minierë. Në rast se nuk realizoje normën ditore, dënoheshe me masë ndëshkimore ku policia e burgut të fuste në njërën nga dhjetë qelitë e ftohta deri në një muaj dënim. Kishte shumë raste kur policët, që ishin drejtues të brigadave të punës ku secila kishte gati 50 të burgosur politikë në hyrje të tunelit të galerive të minierave të bakrit apo të piritit ndëshkonin mjaft të burgosur duke i vendosur prangat metalike në duar. Arsyeja gjoja nuk e kishin realizuar normën e punës, ata e mbanin të burgosurin të torturohej nga i ftohti, të sëmurej dhe të veshur me një xhaketë të hollë për katër apo pesë orë në mes të dimrit edhe të natës ku temperatura ishte minus 10 gradë dhe binte dëborë apo shi.

Kishte raste kur mbi 1000 të burgosur politikë, policia e burgut i ndëshkonte ata për ndonjë shkak qoftë edhe të vogël, duke i mbajtur në tarracën e madhe prej betoni të banjave, të kuzhinës private, për më tepër se një orë gjatë kohës së apelit. Të gjithë të burgosurit rrinin aty në mes të shiut dhe të dëborës apo vapës së madhe, sepse ishte një formë riedukimi komunist që përdorte Policia, pra si masë ndëshkimore ndaj tyre. Ndërsa 1200 të burgosurit politikë banonin në një pallat të madh katërkatësh. Në çdo dhomë me dimensione 6 x 5 metra banonin 54 veta të sistemuar në krevate të përbashkëta me tre kate. Gjerësia e dyshekut prej kashte ishte e vogël. Ditë e natë dera dhe dritaret e dhomës qëndronin të hapura. Insektet, si çimkat, tartabiqet dhe pleshtat, ishin të shumtë dhe burim infeksioni nëpër dhomat e fjetjes.

“Revolta e Spaçit që filloj në 21 maqj 1973”

Transferimi i të burgosurve nga njëri burg te tjetri bëhej me anë të një makine tepër famëkeqe, që quhej autoburg. Ajo ishte një makinë e vjetër, tepër e izoluar dhe pa dritare. Sipër tavanit ishte një vrimë e madhe sa për të futur pak ajrin dhe dritën natyrale. Ajo transferonte deri në 20 të burgosur. Të shkoje me autoburg në Burgun e Spaçit, ishte ferr i vërtetë nga rruga e gjatë dhe e keqe malore si dhe përmes një zagushie të madhe nga mungesa e madhe e ajrit. Mjaft të burgosurve u binte të fikët ose asfiksoheshin ndërkohë që duart i kishin të lidhura me pranga metalike të kyçura me dry. Ne, kur hipnim, e quanim këtë si “makina e vdekjes”. Burgu i Spaçit ka një ditë të lavdishme, atë të 21 majit të vitit 1973, kur 700 të burgosurit politikë organizuan revoltën e parë politike kundër regjimit komunist në Shqipëri. Aty ata ngritën flamurin kombëtar pa yll. Kjo sepse ylli ishte simboli i komunizmit. Revolta, që zgjati tre ditë, u shtyp me dhunë nga Policia. Katër të burgosur politikë u dënuan me vdekje, ndërsa 78 veta të tjerë u ridënuan nga 10 deri 25 vite burg të tjera shtesë.

Kjo revoltë ngriti lart autoritetin dhe dinjitetin e të burgosurve dhe të shtresës së persekutuar politike në vendin tonë dhe në botë. Me urdhër të Komandës së Burgut të Spaçit të gjithë të burgosurit politikë çdo ditë ishin të detyruar të dëgjonin gjatë një ore leximin e librave të diktatorit dhe Kodin Penal të Shqipërisë. Kjo bëhej që ne të riedukoheshim me ideologjinë komuniste, ku shumë parulla të kësaj kategorie kishin mbushur muret e godinave të burgut. Edhe sot e kësaj dite ka shumë parulla. Mjaft të burgosur politikë vdisnin çdo vit nga shembjet e galerive tepër primitive të minierës, ku fronti i punës ishte 500 deri 1000 metra larg nga fillimi i hyrjes së galerisë.

“Fenomeni i ridënimit në burgjet shqiptare dhe Sami Dangëllia që vuajti 43 vjet”!

Personat që vdisnin, Policia i varroste në një livadh afër një përroi dhe nuk vendoste as ndonjë emër apo shenjë mbi varr, por vetëm fuste një kavanoz qelqi me një pllakë plumbi dhe me një numër brenda saj. Këtë kavanoz Policia bashkë me kufomën e vendosnin brenda një arkivoli të thjeshtë. Familja mund të merrte eshtrat e të afërmve të vdekur vetëm pasi ata të kishin mbaruar vitet për të cilat ishte dënuar. Pra të burgosurit politikë duhet të kryenin dënimin e tyre edhe kur ishin të vdekur. Ky veprim varrimi tregonte se sa mizor, arrogant dhe antihuman ishte regjimi komunist, i cili frikësohej edhe nga kundërshtarët e tij politikë të vdekur si dhe për t’i futur frikën popullit. Poshtërsitë e regjimit komunist ndaj të burgosurve politikë nëpër burgje ishin të panumërta.

Vlen për t’u përmendur fenomeni i ridënimit të dytë politik që ka ndodhur me dhjetëra të dënuar politikë të Burgut të Spaçit, të Burrelit, të Qafë Barit, të Ballshit e tjerë kur ditën e lirimit ata sapo kanë dalë nga dera e burgut, u kanë vënë përsëri prangat metalike në duar dhe janë arrestuar dhe ridënuar për së dyti nga gjykatat e rretheve përkatëse apo në Tiranë. Ka patur edhe raste kur të burgosur politikë janë ridënuar edhe për së treti brenda burgut. Për këtë gjë Sigurimi i Shtetit nëpërmjet operativit të burgut kishte rekrutuar disa të burgosur politikë me vese të ulëta si bashkëpunëtorë të tyre. Ata në çdo rast dilnin si dëshmitarë të rremë në këto gjyqe ridënimi të sajuara prej tyre. Ata dënoheshin gjoja për agjitacion e propagandë ose për ndonjë plan imagjinar për arratisje. Disa janë ridënuar edhe për të tretën here me nga 10 vjet burg. Disa shifra tronditëse të viteve të burgut kishte për të burgosurit e Spaçit siç ishte rasti i Sami Dangëllia i lindur në vitin 1926. Në datën 8 tetor të vitit 1944 ai, në moshën 18-vjeçare, u fut në burg nga Partia Komuniste pa u çliruar vendi. Ai vuajti dënimin derisa vdiq më 23 prill të vitit 1987, në Burgun e Spaçit pas 43 vitesh burg. Sami Dangëllia është heroi i vuajtjeve dhe njeriu që vuajti më shumë në burgjet politike gjatë regjimit komunist.

“Klerikët dhe intelektualët e njohur që vuajtën në burgjet komuniste”

Ky është një rast i paprecedent në vendet ish-komuniste të Evropës Lindore dhe të Ballkanit. Gjithashtu, në burgjet e egra komuniste, bashkë me mua vuanin dënimin edhe shumë priftërinj të nderuar katolikë si: Dom Mikel Koliqi (Kardinal), Atë Zef Pllumi, Dom Ernest Troshani (Kardinal), Dom Frano Ilia, Dom Ndoc Sahatçia, Dom Simon Jubani, Dom Nikollë Mazreku, Hoxhë Sabri Koçi etj. Të gjithë këta klerikë fetarë ishin njerëz të nderuar dhe viktima të pafajshme, të cilët regjimi komunist i dënoi dhe i syrgjynosi nëpër burgje me 20 e kusur vite. Të gjithë të burgosurit politikë i respektonin këta klerikë të nderuar sikur të ishin prindërit apo mësuesit shpirtërorë të tyre.

Në Burgun e Spaçit unë kisha njohur dhe u miqësova shumë me njerëz të mrekullueshëm si: Eqerem Kavaja, Ylli Komti, Fatos Lubonja, Eduart Ypi, Maksim Velo, Perikli Gusho, Shpëtim Stërmasi, Aleksandër Isaia, Spartak Ngjela, Seit Vorpsi, Hafiz Sabri Koçi, Burhan Kalaja, Zyhdi Morava, Gëzim Vojka, Zyber Naçi, Roland Koçaj, Apollon Zenuni, Ludovik Vuka, Hysen Xhani, Estref Kërçiku, Kujtim Xhaja, Xhevat Alibali, Maksim Rama, Zenel Drangu, Gëzim Çela, Myslim Gjinia, Vladimir Balluku, Fejzi Alizoti, Lulzim Shala, Sulejman Osmani, Agim Kodra, Agim Dika, Abdurrahman Pilkati, Fatbardh Frashëri, Frederik Shestani, Simo Jorgji, Maksim Rakipi, Hiqmet Myzyri, Lulzim Beqiri, Fadil Lami etj.

Rruga automobilistike për në Burgun – Minierë të Spaçit ishte tepër e rrezikshme, e ngushtë dhe mjaft e keqe. Familjet tona që vinin një herë në dy muaj nga Tirana, për të na takuar ne të burgosurit politikë vetëm për 30 minuta, duhet të udhëtonin me orë të tëra duke hipur sipër kamionëve që transportonin mineralin e minierës së Spaçit ose vinin me makinë – taksi me çmime të larta. Vlen të përmendet një ngjarje tepër tragjike dhe e dhimbshme që na tregonte një shok i yni i Burgut të Spaçit, i cili punonte në minierë bashkë me ne. Ai dhe vëllai i tij u dënuan pa kurrfarë arsyeje nga regjimi komunist edhe me akuzën si përhapës dhe dëgjues të muzikës dekadente perëndimore me qëllim përmbysjen e pushtetit të popullit. Sigurimi i Shtetit për hakmarrje, se babai i këtyre dy vëllezërve ishte arratisur jashtë shtetit, i akuzoi të dy djemtë e me dy akuza të rreme të mësipërme si akuzë shtesë. Të dy vëllezërit me mbiemër P. nga dhuna dhe tortura e tmerrshme, u detyruan ta pranonin në hetuesi një akuzë të tillë. Kur ata dolën në gjyq para trupit gjykues, deklaruan se nuk kishin dëgjuar apo parë koncerte muzikore perëndimore, sepse ata në fshatin e largët ku ishin internuar prej shumë vitesh, nuk kishte energji elektrike, as radio, as televizor, as gramafon dhe as radio dore. Por trupi gjykues pavarësisht deklaratave të tyre në gjyq, këtë shokun tonë e dënoi 20 vjet, ndërsa vëllain e tij me vdekje. Këto janë çudirat më të mëdha në botë të krimeve të gjykatave komuniste shqiptare.

“Shpikjet’ e mia në kampin – burg të Spaçit, me paisjet elektro-teknike”

Në minierën e Spaçit unë punova në sektorin më të vështirë dhe më të largët e realizoja çdo ditë dy apo tri norma ditore të punës. Këtë sakrificë unë e bëja që të ndihmoja financiarisht prindërit e mi të moshuar dhe të sëmurë në Tiranë. Gjatë kohës që punoja në minierën e Spaçit, unë, me materiale elektrike të aparaturave radiofonike të dala jashtë përdorimit, ndërtova dhe instalova një qendër zëri e një përforcues elektrik të fuqishëm zanor si edhe një radio. Këto materiale elektrike të dala jashtë përdorimit, ishin në magazinën e burgut dhe në atë të minierës së Spaçit. Krahas punës time në minierë unë në një dhomë mjaft të vogël të një depoje të vjetër, e bëra si një laborator radioteknik. Për këtë qëllim familja ime në takimin e radhës solli shumë vegla pune profesionale të blera në Tiranë si instrument matjeje, saldatriçe të vogël, kallaj, pinca, kaçavida, llamba televizori etj.

Këto materiale elektrike dhe vegla pune m’u lejuan nga Komanda e Burgut të Spaçit. Pra, dijet e mia shkencore i vura për të ndihmuar dhe për të gjallëruar shpirtërisht të burgosurit politikë të Spaçit. Duke vendosur 10 altoparlantë të fuqishëm, unë realizova dëshirën e të gjithë të burgosurve politikë të Spaçit, pra të dëgjonin muzikë apo edicion lajmesh në radio, gjatë kohës që ata shkonin në vendin e tyre të punës, gati 1.5 kilometra larg zonës së minierës, apo kur ktheheshin në burg. Unë mirëmbaja në kohën e lirë dy aparatet televizive për të parë të burgosurit politikë të Spaçit. Për arsye se natën tensioni i rrjetit elektrik ishte 140-160 volt, pra tepër i ulët, unë ndërtova dy autotransformatorë, që rregullonin tensionin e rrjetit në 220 volt. Këta televizorë ishin gjëja më e dashur për 1200 të burgosur politikë, prandaj unë kujdesesha për ato sa më shumë. Unë, si inxhinier elektronik, edhe për Radiondërlidhjen, për të shfrytëzuar fenomenin e fedingut, i kisha vënë radios së burgut një antenë të madhe në drejtim të Italisë. Kjo bëri që në mbrëmje valët e fuqishme të stacionit të Radio – Italia, të ndërhynin në stacionin e Radio Tiranës.

Pra, unë arrita që të burgosurit të dëgjonin mjaftueshëm këngë dhe lajme në gjuhën italiane, shpeshherë derisa radio mbyllej në ora 22.00. Më të kënaqurit për këtë gjë ishin priftërinjtë e nderuar, që zotëronin mjaft mirë gjuhën italiane dhe informoheshin nga emisioni i lajmeve për situatën politike në botë dhe kryesisht në vendet Perëndimore. Për arsye të terrenit të thyer malor, valët televizive të Radio Televizionit Shqiptar ishin të dobëta. Prandaj unë ndërtova dy antena të fuqishme televizive tek ofiçina e Minierës. Kjo gjë përmirësoi pamjen e figurës dhe të zërit në të dy aparatet televizive të Burgut të Spaçit. Gjithashtu unë mirëmbaja edhe tri aparatet televizive për të burgosurit. Kjo iniciativë e imja bëri që unë të gëzoja respektin e të burgosurve, e pse jo edhe atë të personelit të Policisë. Unë, duke shndërruar një altoparlant të vogël si mikrofon, bëra të mundur që Komanda e Burgut të lajmëronte të burgosurit për takime me familjarët e tyre edhe kur ishin në vendin e tyre të punës pranë minierës apo për njoftime të tjera. Kjo gjë ndihmoi mjaft nga familjet tona që të mos prisnin me orë të tëra derisa të takoheshim me njerëzit tanë që ishin në Burgun e Spaçit.

“Si arrita t’i shpëtoja jetën bashkëvuajtësit që piu alkol metelik”!

Në minierën e Spaçit, arrita t’i shpëtoja jetën të burgosurit P. S. Ai gabimisht në vend të shishes së ujit, piu afro 400 gram alkool metilik në sy të gardianëve të Policisë në ofiçinën e minierës. (Alkooli metilik është një helm tepër i fuqishëm. Vetëm 50 ml ose gram të konsumohet nga kjo substancë dhe shanset për të vdekur janë 95 %). Me të shpejtë i bëra gati 12 transfuzione dhe shpëlarje nga goja me ujë të ngrohtë dhe me sapun, duke përdorur hinkën e madhe metalike të furnizimit me karburant të makinave. Pas kësaj, duke hapur çantën e ndihmës së shpejtë mjekësore të minierës, i bëra të aksidentuarit një shiringë me dy doza adrenalinë në zemër. Po me të shpejtë i vendosa dy shishe serumi në damarët e dorës dhe tubin e gomës së bombolës së oksigjenit në qafë dhe në gojë (kjo bombol përdorej për saldim). Pastaj, vetë i teti transportuam të aksidentuarin me barelë për afro dy kilometra në një terren malor deri në Burgun e Spaçit. Unë mbaja shishen e serumit të lidhur me damarët e dorës së tij, ndërsa tre të tjerë mbanin bombolën e rëndë të oksigjenit të ofiçinës, ndërsa katër veta transportonim me barelë të burgosurin e aksidentuar.

Kjo ishte një ide e imja e shkëlqyer dhe e pabesueshme e ndihmës së shpejtë mjekësore që dha rezultat dhe çuditi mjekët e spitalit të Tiranës e të Shqipërisë. Kështu arritëm ta dërgonim të gjallë në spitalin e kryeqytetit. Mbas transfuzionit të gjakut edhe mjekët reaguan shpejt duke i shpëtuar jetën dhe shëndeti i tij u normalizua. Pas një muaj qëndrimi në spitalin e Tiranës ai, i shëruar, u rikthye në Burgun e Spaçit. Ky veprim që unë ndërmora ishte një rast i rrallë për mjekësinë botërore dhe kjo gjë detyroi të vinin në Burgun e Spaçit disa nga mjekët më të mirë të Shqipërisë. Ata më cilësuan si një njeri që kisha bërë një mrekulli të rrallë të ndihmës mjekësore, e cila është vlerësuar nga mjekësia botërore.

Në Burgun e Spaçit ishte një infermieri me disa shtretër ku shërbente një mjek i burgosur politik. Për sa i përket ndarjeve të punës në Minierë brenda burgut ishte Zyra Teknike me drejtues dy të burgosur politikë. Në vitin 1982, për herë të parë pas viteve të amnistisë të fundit të vitit 1961, Qeveria komuniste bëri Amnistinë e pjesshme ku nga Burgu i Spaçit u liruan rreth 500 të burgosur politikë. 700 të burgosur që kishin ngelur, dhe unë, u transferuam në një burg – kamp të ri, që ishte gati 300 metra larg nga burgu i mëparshëm. Aty ne banonim në disa baraka të mëdha prej druri dhe me krevate me dy kate. Puna e të burgosurve në minierë vazhdoi përsëri si më parë.

“Si na vdiq në duar, bashkëvuajtësi nga Tropoja”!

Vlen për t’u përmendur se ditën kur u liruan me qindra të burgosur politikë në Burgun e Spaçit, unë dhe një grup prej 40 bashkëvuajtësish kur po ktheheshim nga puna roja i rrethimit të Minierës qëllon pa paralajmërim një shokun tonë duke e plagosur shumë rëndë dhe pastaj ai vdes në duart tona. Ai ishte babai i tetë fëmijëve dhe familja e tij banonte në Tropojë. Atij i kishte mbetur edhe një vit burg. Nga nevoja të ngutshme personale, ai shkon pranë një stive të madhe trarësh prej druri që ishte 15 metra larg nga gardhi me tela me gjemba i rrethimit të minierës. Ushtari nga Kruja u shpërblye me 5 ditë leje pranë familjes, ndërsa të gjithë të burgosurit u tmerruan nga ky veprim kriminal ku dy plumba goditën trupin e tij. /Memorie.al

  Vijon nga numri i kaluar

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura