“Ushtari” i Lul Berishës tregon për armën: S’më mjaftoi koha, sepse…

Oct 9, 2017 | 11:12
SHPËRNDAJE

“Pistoletën e gjeta te disa depozita e uji dhe isha nisur ta dorëzoja në Polici, por më kapën”. Kështu e ka justifikuar armën që forcat e rendit i gjetën gjatë kontrollit Marjel Fierzës, i cili dyshohet të jetë pjesë e “Bandës së Durrësit”.

ushtari-i-lul-berishes

Ai u arrestua pesë ditë më parë në kuadër të operacionit të koduar “Vjeshtë 2017” bashkë me Genti Nderjakun, i cili gjithashtu u kap me pistoletë.

Në deklaratën e tij para gjykatës, 30- vjeçari Fierza ka pohuar se armën që policia ia bllokoi gjatë kontrollit në makinën e tij, ai e ka gjetur te disa depozita uji pranë restorantit ku po hante drekë pak minuta para ndalimit. Sipas tij, nuk i ka mjaftuar koha për të bërë dorëzimin e armës në Polici.

“Isha duke drekuar në restorant me tre shokë. Pasi mbaruam drekën, shkova te makina dhe aty pranë ku ishte parkuar makina janë disa depozita. Atje konstatova një pistoletë. E mora me idenë që ta dorëzoja në Polici, por gjatë rrugës për në Komisariat, na ndaloi policia dhe gjatë kontrollit e gjeti pistoletën. U thashë që po shkoj për në Komisariat për ta dorëzuar, por efektivët nuk e morën parasysh dhe më shoqëruan së bashku me shokët në Komisariat”, është shprehur Fierza.

Kjo deklaratë nuk është marrë në konsideratë nga trupi gjykues dhe ndaj tij u dha masa e sigurisë burg pa afat, duke e konsideruar të ligjshëm arrestimin e tij në flagrancë.

Marjel Fierza nuk është një emër i panjohur për Policinë, pasi ai mësohet të këtë qenë pjesë “Bandës së Durrësit”, që drejtohej për 10 vjet nga Lulzim Berisha. Emri i tij figuron edhe në dokumentet sekrete të Ministrisë së Brendshme, nga ku citohet se Lul Berisha e drejtonte bandën e tij nga burgu dhe i delegonte urdhrat te njerëz të besuar, si Julian Meçaj, Marjel Fierza, Mond Çekiçi e Plarent Dervishaj.

Ndërsa për të arrestuarin tjetër, Genti Nderjakun, gjykata dha masë detyrim paraqitjeje. Nderjaku, i njohur me nofkën “Kili”, posedon një leje për mbajtjen e armës në banesë, gjë e cila ia ka lehtësuar akuzën deri në verifikimin e plotë nga ekspertët e çështjes. 34- vjeçari kishte leje që prej vitit 2015 për të mbajtur armë për qitje, por sipas shkresës nuk i lejohet që të lëvizë me armë me vete.

LEONIDHA MUSAJ-PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura