Ushtarët

Mar 23, 2021 | 9:24
SHPËRNDAJE

Raimonda-Shundi-DervishiRAIMONDA SHUNDI

A e dini pse i veshin një soj ushtarët? Që t’u thonë se janë të tërë njësoj dhe të zëvendësueshëm. Ushtarët janë shumica. Janë ata që hidhen në sulm që përdoren për hir të misionit të caktuar nga njëshi. Janë ata që me trupat e tyre realizojnë planet e kapitenëve, komandantëve, marshallëve.

Janë pikërisht ushtarët armata e lumtë që pushton sheshet kur shtetit i bien brekët. Janë aty t’ia ngrenë atij. Ata janë lehtësisht të zëvendësueshëm kur ushtari 19 bie në llogore. Shpejt një tjetër nr. 19 do të riveshë uniformën e tij, duke rritur kësisoj edhe numrin e të “punësuarve”.

Janë të rinj, energjikë, ëndërrimtarë, të armatosur, uniformalisht në tendencë dhe… të bindur deri në vetëmohim. Nëse nuk ndodh, ka shumë të tjerë pas portës. Ata kanë bërë një pakt me shefat e tyre për çka i pret dhe varet po nga ata, se sa ushtarë të mirë do të jenë për të vijuar gjatë ose pafundësisht. Ushtarët me kolltuk dhe sekretare kanë një tjetër status dhe uniformë.

Ata janë ushtarë me eskortë, me udhëtime në klasin e parë. Madje, edhe me charter apo jahte private. Por, gjëmën e kanë të madhe nëse nuk janë të kujdesshëm, bashkëpunues dhe “kokë turku” për njëshin e njëshit.

Edhe nëse njëshi i njëshit i var mbi shpatulla çështje tejet delikate, nga ku ai është i zbuluar te të gjithë, ushtari me kollare dhe kolltuk duhet të gjejë rrugëdalje, ndonëse s’ka lidhje me krimin e radhës dhe ta vendosë me vullnetin e tij të lirë kokën në gijotinë. Ndryshe, riskun e ka edhe më të hidhur se ai i të parit.

Pa karrige, pa avion, pa bionde apo brune dhe gjyqeve pa fund me avokatë dhe sfilitje dinjiteti. Shoqëria jonë po rrit numrins e ushtarëve, duke ulur ndjeshëm atë të mendimtarëve, profesionistëve me eksperiencë, të mendjeve të mençura që ushtarin e kanë venë në rresht.

Shoqëria jonë e refuzon dhe internon brezin e dytë dhe të tretë, me gjithë arkivën mentale të artë. Ata u kanë dhënë udhë dhe rrugë shprese vetëm ushtarëve. Ata rreshtohen me dëshirë dhe zell rinor. Ata janë e ardhmja e ndritur e vendit. Prej atyre varen fatet dhe zhvillimi ushtaror.

Një ushtri e tërë, vetëm për ata. Të marrët drejtues që po e çojnë këtë vend në një dhimbje pa fund. Madje, zgjatimet e të marrëve kanë mbërritur deri në qelizë, familje, të afërm, komshinj të marrë, ku i vetmi rrezatim janë vetëm mbarëvajtja dhe vazhdimësia e atyre, gjeneralëve me grada që çdo ditë e më shumë i shohim se sa po afrohen me makinat shkatërruese.

Ushtarët po shtojnë radhët e tyre duke çuar në familje dritën e zgjatimit të njëshit. Tashmë, çdo teknikë që po aplikohet,  është sipas standardit të gjeneralëve.

Të rinj ushtarë kanë zaptuar të gjitha institucionet jetike ku mençuria nuk ka vend. Çdo gjë që kërkohet është pikërisht për ata, të rinjtë ushtarë. Cv janë të konceptuara për ta, aktivitetet, përthithjet, organizimet, politikat, bashkëpunimet, vazhdimësia…

Një vend ku eksperienca konsiderohet mallkim, mallkimin e ka nga pas. Pensionistë 40 vjeç, i pavlerë dhe i refuzuar, nga ku edhe emisionet satirike praktikojnë të rinj në role pleqsh, s’ka më vend për shpresë. Sa keq, sa e dhimbshme, sa poshtëruese qenka të jesh “i vjetër!”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura