Ushtarakët, zbardhet vendimi i ri i qeverisë për pensionet

Jul 3, 2015 | 13:24
SHPËRNDAJE

Ish-ushtarakët që nuk kanë plotësuar vitet e punës për shkak të mosgjetjes së dokumenteve, do të marrin pension. Gazeta zbardh draft-vendimin që pritet të miratohet nga qeveria, për lehtësimin e procedurave. Sipas propozimit që vjen nga Ministria e Mbrojtjes, të gjithë ata ushtarakë të cilët kanë vite me dokumente të paplotësuara, do t’u njihen vitet e vjetërsisë.


KUSH PREKET

“Propozimet lidhen me përfitimet suplementare të ushtarakëve, kryesisht kategoria nënoficerë, të cilëve u mungon dosja personale (nënoficerë në rezervë, lirim, pension që kanë ndërpresë karrierën para hyrjes në fuqi të ligjit, nr.7496, datë 03.07.1991 “Për statusin e ushtarakëve të FA”), nënoficerë të Forcave të Armatosura, që u është llogaritur përfitimi suplementar sipas ligjit nr. 8087, datë 13.03.1996 “Për sigurimin suplementar të ushtarakëve të FA”, por nuk u gjendet dosja personale, si dhe ushtarakëve që kanë punuar në strukturat e prokurorive dhe gjykatave me status “ushtarak aktiv”, por institucionet ku ata kanë mbyllur karrierën ushtarake nuk janë objekt i ligjit 10142, datë 15.5.2009″.

Këto janë kategoritë që preken nga vendimi, sipas relacionit të Ministrisë së Mbrojtjes. Pra, janë ushtarakët të dalë në rezervë para vitit 1991, të cilët nuk disponojnë dosje, si dhe ushtarakët e FA të cilët kanë qenë të punësuar në strukturat e prokurorisë dhe gjykatave.

ÇFARË PËRFITOJNË
Janë të shumtë ish-ushtarakët të cilët nuk kanë plotë- suar vitet e shërbimit, dhe për rrjedhojë marrin një pagesë më të ulët. Shkak i vendimit të qeverisë është pikërisht zgjidhja e kësaj përplasjeje. Ushtarakët, edhe pse dihet që kanë qenë në punë, për shkak të trazirave të viteve 1990, nuk arrijnë të justifikojnë me dokumente vitet e punës. Sipas draftvendimit të ri, atyre do t’u njihen këto vite, por si pagë referuese do të merret ajo e “nëntetarit”, pra kategoria më e ulët.

Sipas vendimit, “përjashtohen nga rregullat e përcaktuara në Kreun II të këtij vendimi ushtarakët nënoficerë të FA, të cilëve nuk u gjendet dosja personale. Pagë referuese për këtë kategori ushtarakësh të merret për bazë paga minimale e nënoficerit, grada ‘nëntetar’”. Një tjetër përfitim është për ata që aktualisht marrin pension të parakohshëm. Në relacion, Ministria e Mbrojtjes e mbron këtë propozim me faktin e mungesës së disa dosjeve personale, të përfituesve aktualë të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Në këto raste, “struktura ushtarake ka plotësuar dokumentacionin për këtë lloj përfitimi, të cilat kanë kaluar nga Ministria në drejtoritë e ISSH-së.

Mbi këtë bazë, përderisa është përfitues, ka dokumente origjinale në DRSSH në qarqe, si dhe në strukturat e FA, mund të vijojë procedura e rillogaritjes së pensionit të parakohshëm mbi bazën e këtij dokumentacioni”. Pra kjo kategori do të ketë një tjetër përfitim, nga rillogaritja e viteve të punës. Nga ana tjetër, Ministria propozon në vendim që mbi këtë bazë mund të plotësohet edhe dokumentacioni i nevojshëm për pension pleqërie. Në total, kostoja e këtij ndryshimi në vendim arrin deri në 336.9 milionë lekë, ose rreth 2.4 milionë euro.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura