Ushtarakët, zbardhet shtesa e pensionit

May 27, 2015 | 14:46
SHPËRNDAJE

Gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, nëndrejtori i ISSH-së, Hasan Hoxha, deklaroi se me ndryshimin e skemës dhe heqjen e tavanit të pensionit, ish-ushtarakët po përfitojnë më shumë, pasi pensioni i tyre po arrin gati dyfish. Nga 245 mijë lekë të vjetër që ishte pensioni maksimal, sipas Hoxhës, bashkë me suplementin, pensioni i ish-ushtarakut po shkon deri në 400 mijë lekë të vjetër.

Komisioni i Ligjeve

“Duke u hequr tavani i pensioneve dhe duke pasur trajtim prej shumë vitesh, 28 vite punë si ish-ushtarak, dhe 15 vjet apo 18 vjet pagesë para kohe, këto të gjitha mblidhen në vite pune dhe shkojnë deri në 40-43-44 vjet. Dhe, kur dalin në pension pleqërie, kjo kategori është goxha e favorizuar, sepse tashmë me heqjen e tavanit edhe formula i favorizon, sepse shumëzohet numri i viteve me bazën e vlerësuar.

Ish-ushtarakët, atë që u penalizuan në Gjykatën Kushtetuese me aktin normativ, ato po dalin tani me një pension që, nëse deri dje, më 31 dhjetor të vitit 2014, do merrnin vetëm maksimalen, 245 mijë, tani po marrin edhe 320 mijë lekë, shto edhe suplementin dhe po vërtitet rreth 400 mijë lekë të vjetër pensioni i ish-ushtarakut”, tha dje nëndrejtori i ISSH.

PROBLEMATIKA

Gjatë mbledhjes, ish-kryeministri i PS, Pandeli Majko, ka deklaruar dje se për shkak të gabimeve të Institutit të Sigurimeve Shoqërore në përllogaritjen e pensioneve të ish- ushtarakëve, një pjesë e tyre penalizohet në masën e 1/3 të pensionit. Majko ka kërkuar llogari nga drejtuesit e ISSH-së për korrigjimin e këtij gabimi, që ka penalizuar ish-ushtarakët.

“Para 2013-s Instituti i Sigurimeve ka bërë një gabim në pagesat e ish-ushtarakëve dhe, sot që flasim, në Institutin e Sigurimeve Shoqërore nuk ka mbajtur askush përgjegjësi, as para KLSH, as nuk është pushuar kush nga puna. Të gjithë ish-ushtarakët, kur marrin pensionin e tyre, i mbahet minimalisht 1/3 e pensionit. Tani zotëri dhe ju na vini këtu dhe na thoni që do flasim kompanitë për gabimet që keni bërë ju me ish-ushtarakët, a keni ndërmend të bëni ndonjë gjë?!”, tha dje Majko.

Në përgjigje të shqetësimit, nëndrejtori i ISSH-së tha se nga projektligji i vitit 2009 janë prekur rreth 15 mijë ish-ushtarakë, të cilëve u është bërë përllogaritja e re e pensionit në masën e 20%.

“Hyrja në fuqi e këtij ligji dhe llogaritja ka qenë në vitin 2009. Ky proces, duke qenë se kishte të bënte me një numër të konsiderueshëm, rreth 15 mijë ish-ushtarakë, ky proces për shkaqe të ndryshme, të mungesës së dokumentacionit, të vonesave në gjetjen nëpër arkivat e ushtrisë kryesisht, pati vonesa në kohë. Dhe këto vonesa penalizuan këto kategori, meqenëse kishte ulje të pensionit të parakohshëm, pra jo më 18 apo 20 mijë lekë të rinj, por 15 apo 14 të tilla fillonte llogaria në 2009 dhe dokumentet janë paraqitur. Deri 3 vjet me vonesë. Edhe sot që flasim, janë rreth 500 ish-ushtarakë, që nuk i kanë sjellë dokumentet për t’iu bërë rillogaritja e përfitimit”, tha Hoxha. 

 Pensionet, kush përfiton nga falja e kamatave

 Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje projektligjin, që mundëson “për faljen e gjobave për mospagimin në afate të kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për subjekte juridike dhe fizike” masën 80% të gjobave për bizneset. Opozita ka abstenuar gjatë votimit, për shkak se e ka quajtur nismën ligjore si elektorale dhe tentativë për të blerë votat më 21 qershor.

Përfaqësuesi i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Vullnet Subashi, deklaroi se detyrimi total nga mospagesa apo mosdeklarimi i punonjësve në total arrin shifrën e 21.5 miliardë lekëve, ndërkohë që shuma e mbetur pa paguar është 11.2 miliardë lekë. “Kanë mbetur pa u paguar 11.2 miliardë lekë dhe në shumën 11.2 miliardë lekë kemi detyrime të subjekteve. Të vetëpunësuarit zënë si numër subjektesh 70% ose rreth 40 mijë. Të vetëpunësuarit kanë një kategori të veçantë, që një i vetëpunësuar ka dhe një person të punësuar. Nuk është i vetëpunësuar vetëm, por ka dhe punëmarrës. Në këto kushte, kjo shifër del akoma më e lartë, por te kjo kategori është biznesi i vogël. Biznesi i madh është 30%”, tha përfaqësuesi i ISSH, Vullnet Subashi.

Nga ana tjetër, nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Oerd Bylykbashi, deklaroi se falja për bizneset duhet të bëhet në masën 100%. “Kujt ia kemi marrë lekët, i kemi vënë në thes dhe kujt s’ia kemi marrë, ia falim. Kjo nuk bën shtet. Kush e përcakton nivelin e 80% dhe jo të faljes së gjobës?!”, tha Bylykbashi. Sipas përfaqësuesve të ISSH, vendimi ka qenë që bizneseve t’i mbetej diçka nga gjoba dhe jo të falej totalisht. “Në këtë projektligj nuk falen kamatëvonesat. Ndërsa për masën 80%, diçka duhet t’i mbetet biznesit nga gjoba që ka marrë”, tha Subashi.

Por për Bylykbashin qëndrimi i maxhorancës është tërësisht elektoral. “Maxhoranca po u kërkon votën të gjithë atyre që shkelën ligjin për mosdeklarimin në kohë apo mosderdhjen në kohë të kontributeve, duke i thënë unë ta fal gjobën në masën 80%, por kujt ia kam marrë gjobën atij nuk ia kthej më mbrapsht. Në qoftë se do e falim, ta falim gjithë gjobën për të gjithë. Por jepet falje për të mbledhur votat dhe këtë e bën në mënyrën më të shëmtuar”, tha Bylykbashi. 

FATION BINJAKU 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura