Ushtarakët, qeveria kthen penalitetet e pensioneve. Do marrin 3.8 milionë USD

Apr 21, 2016 | 0:01
SHPËRNDAJE

Qeveria vendos t’u kthejë pas ish-ushtarakëve paratë që u janë mbajtur deri më tani si pasojë e rillogaritjes së pensioneve nga ligji i 2010. Gjatë diskutimit në Komisionin e Ekonomisë të projektligjit për faljen e detyrimeve që kanë ishushtarakët në skemën e pensioneve suplementare, relatorja e draftit, deputetja Antoneta Dhima, propozoi kthimin nga qeveria e parave që u janë mbajtur ish-ushtarakëve nga viti 2010 deri në shkurt 2015.

Klosi dje në Komisionin e Ekonomisë
Klosi dje në Komisionin e Ekonomisë

Edhe kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, kërkoi zgjidhje përfundimtare të situatës së krijuar për këtë shtresë, si për detyrimet e mbajtura dhe detyrimet e papaguara. Propozimi i deputetëve u pranua nga ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, pasi, sipas tij, kthimi i detyrimeve të mbajtura për efekt të rillogaritjes së pensioneve me ligjin e 2010 dhe falja e detyrimeve të papaguara zgjidh problemin e krijuar për pensionet e ish-ushtarakëve.

Përfitues të kthimit të parave të mbajtura janë 5425 ish-ushtarakë dhe shuma e ndalur që do t’u kthehet pas është 368,5 milionë lekë, apo 3,8 milionë dollarë. Deputetja e Partisë Socialiste Dhima tha se shuma u është mbajtur ishushtarakëve për 5 vjet.

“Sipas të dhënave, nga viti 2010 deri në shkurt të 2015, ish-ushtarakëve u janë mbajtur 369 milionë lekë. Propozoj faljen e detyrimeve të papaguara në shumën 985 milionë lekë dhe shumën debitore të ndalur në 368,5 milionë lekë brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit t’u kthehet të gjithë ish-ushtarakëve”, u shpreh Dhima. Ministri i Mirëqenies Sociale, Klosi, garantoi përballimin financiar për kthimin e parave, e mundësuar nga reforma e skemës së pensioneve.

“Në parim ne jemi dakord, pasi kështu ne zgjidhim përfundimisht një problem shumë të madh që është krijuar për këtë shtresë, si rezultat i funksionimit të keq të administratës politike të qeverisjes së kaluar. E themi këtë haptazi dhe me bindje se mundësitë financiare i kemi, pasi po kryejmë reformën e sistemit të pensioneve që ofron mundësi financiare për mbrojtur edhe këtë grupim shoqëror”, përfundoi Klosi.

FALJA E DETYRIMEVE TË PAPAGUARA

Por ish-ushtarakëve do t’u falen edhe detyrimet e papaguara për efekt të rillogaritjes së pensioneve, sipas aktit normativ të 2010. Deputetët e Komisionit të Ekonomisë miratuan projektligjin e qeverisë për faljen e 985 milionë lekë detyrime që kanë mbetur pa u paguar. Ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, tha se përfitues do të jenë 5425 ish-ushtarakë.

1“Akti normativ i 2010 që ndryshonte formulën e pensioneve dhe sipas rillogaritjes, rezultojnë debitorë 6838 ish-ushtarakë, afërsisht 35 për qind e ishushtarakëve në shumën prej 1,3 miliardë lekësh. Duke njohur detyrimin si shtesë, ne si qeverisja e përgjegjshme sjellin kërkesën për 5425 ish–ushtarakë debitorë me një detyrim të mbetur 984,5 milionë lekë të falet me projektligjin.

Projektligji vjen në zbatim të programit qeverisës për zgjidhjen përfundimtare të ngërçit ligjor ekonomik për shtresën e ish-ushtarakëve. Sot si qeveri kërkuam faljen e debive që ka ky grup dhe me atë që propozoi relatorja, i gjithë debiti që falet shkon 1,3 miliardë lekë”, u shpreh Klosi. Nga rillogaritja e pensioneve u evidentuan 6838 debitorë, rreth 35 për qind e ish-ushtarakëve, në shumën 1,3 miliardë lekë.

Deri në shkurt të 2016 janë evidentuar 5425 ish-ushtarakë me detyrime të papaguara me vlerë 985,5 milionë lekë. Detyrimet janë krijuar nga rillogaritja e pensioneve suplementare të ish-ushtarakëve me hyrjen në fuqi të aktit normativ të 2010.

Detyrimet janë të ndara në kategori sipas shumës së detyrimit të papaguar dhe numrit të ish-ushtarakëve. Në total ata zënë 35 për qind të ish-ushtarakëve.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura