Ushtarakët, kthim parave të mbajtura nga pensionet brenda vitit

Apr 26, 2016 | 19:00
SHPËRNDAJE

Ish-ushtarakëve debitorë do t’u kthehen pas detyrimet e mbajtura që nga viti 2010 deri tani si pasojë e rillogaritjes së pensioneve nga hyrja në fuqi e aktit normativ të 2010-s.

Komisioni i Ekonomise
Komisioni i Ekonomise

Deputetët e Komisionit të Ekonomisë miratuan nenin e ri të draftit që i hap rrugë kthimit të parave, sipas propozimit të relatores së projektligjit, Antoneta Dhima, për kthimin e 369 milionë lekëve, të mbajtura për 5 vjet ish-ushtarakëve.

Gjatë diskutimit të neneve të projektligjit për faljen e detyrimeve të papaguara nga ish-ushtarakët, deputetja Dhima nëpërmjet formulimit të nenit të ri konkretizoi propozimin që kësaj shtrese t’u kthehen detyrimet e mbajtura deri tani nga rillogaritja e pensioneve.

“Shuma e detyrimeve të krijuara nga rillogaritja e pensioneve të paguara nga personat përfitues në harkun kohor dhjetor 2010 deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji, t’u kthehet pensionistëve që u janë mbajtur brenda 1 viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji”, u shpreh relatorja e draftit. Nëndrejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Ali Emini, kërkoi që zbatimi i ndryshimeve të miratuara të shoqërohet me vendim qeverie për shkak të efektit financiar.

“Jemi dakord me ndryshimet. Këshilli i Ministrave të ngarkohet për të nxjerrë vendim për zbatimin e ndryshimeve, duke qenë se kanë efekt financiar”, u shpreh Emini në Komisionin e Ekonomisë. Propozimi i zëvendësdrejtorit të ISSH-së u pranua nga deputetët, ku kryetari i Komisionit, Erjon Braçe, pohoi se ndryshimet e draftit do të kalojnë për miratim në seancën e së enjtes. Përfitues të kthimit pas të parave të ndaluara do të jenë 5425 ishushtarakë me vlerë 368,5 milionë lekë.

FALJA E DETYRIMEVE TË PAPAGUARA

Ish-ushtarakëve do t’u falen edhe shumat e papaguara për efekt të rillogaritjes së pensioneve. Në Komision nga deputetët u miratua që kjo shtresë të mos paguajë detyrimet e prapambetura në vlerën e 984,5 milionë lekëve. Deri në shkurt të 2016-s janë evidentuar 5425 ish-ushtarakë me detyrime të papaguara me vlerë 984,5 milionë lekë.

Detyrimet janë krijuar nga rillogaritja e pensioneve suplementare të ishushtarakëve me hyrjen në fuqi të aktit normativ të 2010- s. Akti normativ i 2010-s që ndryshonte formulën e pensioneve dhe sipas rillogaritjeve rezultonin debitorë 6838 ish-ushtarakë, afërsisht 35 për qind e ish-ushtarakëve në shumën prej 1.3 miliardë lekë.

Nga qeveria u kërkua t’u falen detyrimet e papaguara 5425 ish–ushtarakëve debitorë, ku detyrimi i mbetur kap vlerën 984,5 milionë lekë.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura