“Ushqimi ynë, historia jonë…” Shqipëria në Expo Milano 2015

May 6, 2015 | 11:27
SHPËRNDAJE

Me filozofinë “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”, fton të gjithë vizitorët jo vetëm të shijojnë ushqime tradicionale të shoqëruara nga një gotë verë e mirë, por edhe të njohin nga afër historinë e bukuritë natyrore, artin e kulturën shqiptare.
 “Ushqimi ynë, historia jonë, misteri ynë”. Me këtë temë, Shqipëria merr pjesë në “Expo Milano 2015” me pavijonin e saj në brendësi të Cluster Bio-Mediterraneo.
Me pjesëmarrjen e saj në panairin më të rëndësishëm ndërkombëtar të këtij viti, Shqipëria në radhë të parë dëshiron t’i përgjigjet temës kryesore të panairit “Ne ushqejmë planetin, energji për jetën”, me debate mbi çështje të përdorimit të gjerë të shkencës dhe teknologjisë në bujqësi, të sigurisë ushqimore apo mbi dieta të shëndetshme. Por, sigurisht që “Expo Milano 2015” është dhe rasti e vendi i përkryer për të krijuar partneritete me investitorët ndërkombëtarë me shkëmbime idesh dhe njohurish, që kanë për qëllim zhvillimin e bujqësisë tradicionale e bio, dhe, më në përgjithësi, promovimin e identitetit kulturor shqiptar.

Pikërisht dhe për këtë arsye konceptimi i pavijonit shqiptar është menduar që të prekë disa fusha: Ekspozimi i një ushqimi të mirë, të cilin mund ta shoqërosh me një gotë verë të mirë, ndërsa shijon një pjesë nga historia e bukuritë natyrore, arti e kultura shqiptare.
Në “Expo Milano 2015”, Shqipëria ka në fokus prezantimin e disa prej produkteve të saj më përfaqësuese, si vaji i ullirit, një shumëllojshmëri djathërash nga i gjithë vendi dhe pa dyshim degustimi i verës sonë më të mirë. Shefat shqiptarë gjithashtu do të prezantojnë disa gatime karakteristike, receta e të cilave për momentin mbetet sekret, por një gjë është e sigurt se gatimi ynë do të habisë të ftuarit me shijen e veçantë dhe teknikat e ndryshme të gatimit.
Kultura dhe arti janë një tjetër pikë e fortë e prezantimit të Shqipërisë në Expo. Pasi sigurisht që edhe syri do pjesën e tij.
Deri më 30 tetor, nuk të mungojnë forumet akademike, tavolina të rrumbullakëta të nivelit politik dhe të biznesit, të cilat do të shërbejnë edhe si një pikë kontakti shumë e rëndësishme për investitorë të mundshëm, që do të dëshirojnë të dinë më shumë rreth mundësive që vendi ynë ofron në aspektin e investimit dhe të zhvillimit në një sektor kaq të rëndësishëm për ekonominë.
Pas hapjes zyrtare të pavijonit të premten që shkoi, do të ketë një sërë veprimtarish të tjera që do të vazhdojnë deri më 30 tetor. Por dy nga datat që nuk duhen humbur janë pa dyshim
2 qershori: Dita Kombëtare e Italisë do ta gjejë pavijonin shqiptar në një festë të vërtetë. Ka qenë ftesa e Kryeministrit italian Mateo Renzi për Shqipërinë që të ketë një prezantim të saj në këtë ditë, duke u nisur dhe nga marrëdhëniet e ngushta mes të dy vendeve. Shqipëria do të prezantohet me produktet e saj më të mira, si e ftuar speciale e Italisë ku shefat më të mirë shqiptarë, të kryesuar nga Fundim Gjepali, shef ekzekutiv i restorantit “Antico Arco” në Romë, do të gatuajnë pjata tradicionale të kombinuara me teknikat më të reja të kuzhinës moderne.
Po ashtu edhe 19 tetori: Për të gjithë shqiptarët kjo ditë është një festë kombëtare, e që jo rastësisht korrespondon me ditën e Lumnimit të Nënë Terezës. Për këtë arsye kjo ditë e veçantë është zgjedhur të jetë “Dita e Shqipërisë” në “Expo Milano 2015”. Pikërisht atë ditë do të çelet edhe ekspozita “Harmonia Fetare” që do të qëndrojë e hapur deri më 27 tetor.

[email protected]
Dërgoni recetat tuaja!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura