Urrejtja nis gjithmonë nga fjalët

Jan 23, 2021 | 15:45
SHPËRNDAJE

ELIF SHAFAK
elif shafak

Viti 2020 nuk është përcaktuar vetëm prej pandemisë, rritjes së nivelit të papunësisë, pabarazisë ekonomike, periudhës kritike përsa i përket ndryshimit klimatik. Por ka qenë një periudhë alarmante në rritjen e numrit të krimeve në të githë botën.
Në Poloni, komuniteti LGBTQ u shëndrrua në armikun numër një. Në Hungari turmat neonaziste organizojnë protesta për të përjashtuar komunitetin rom. Më shumë se pesëdhjetë përqind e krimeve në New York janë krime që kryhen për shkak të urrejtjes ndaj hebrenjve.

Në Gjermani, ka pësuar një shtim të rrezikshëm numri i sulmeve ndaj minoriteteve dhe refugjatëve. Në Mbretërinë e Bashkuar vihet re gjithashtu një rritje në krimet si pasojë e urrejtjes, sidomos krime seksuale me viktima njerëz që u përkasin minoriteteve ose transeksualët. Një lloj tjetër dogme e rrezikshme po zhvillohet në Turqi, Brazil dhe Indi. Të gjitha këto ngjarje kanë një emërues të përbashkët: urrejtje sistematike dhe një shpërfillje ndaj atyre që konsiderohen si njerëz ndryshe, një formë çnjerëzimi i tjetrit.

Historia ka treguar se urrejtja nuk fillon as me kampet e përqëndrimit as me vrasje masive as me luftë civile dhe as me gjenocid. Gjithmonë urrejtja nis nga fjalët: steriotipet, klishetë, banalitetet.
Lufta ndaj çnjerëzimit gjithashtu duhet të nisë nga fjalët.
Nëse historitë e dikujt janë një abstraksion për ne, e kemi më të lehtë të përgjithësojmë, por nëse duam të zhvillohemi, duhet të ndalojmë së përgjithësuari e të fillojmë t’i trajtojmë si njerëzorë dhe ata që janë çnjerëzuar prej përgjithësuesve. Për këtë na duhet arti i rrëfimit të ngjarjeve.

Të dhënat dhe informacionet janë shumë të rëndësishme por jo të mjaftueshme për të thyer muret e mpirjes dhe indiferencës, për të na ndihmuar të jemi më empatikë me njerëzit që nuk i përkasin tribusë tonë. Kemi nevojë për lidhje emocionale. Përtej kësaj, njësoj siç kemi nevojë për vëllazërinë, jo patriarkalizmin, kemi nevojë për historinë e jo për fanatizmin. Edhe larg sa lindja me perëndimin ne lidhemi me të tjerët përmes historive tona. Letërsia mund të jetë një forcë universale bashkimi e mbi të gjitha një formë shëruese.

Doris Lessing kishte të drejtë kur thoshte se letërsia ishte analiza pas ngjarjes. Shkrimtarët kanë nevojë për kohë që të procesojnë, të përtypin, të analizojnë. Por në botën post covid, kur çdo gjë po ndryshon me një shpejtësi marramendëse, kur ka aq shumë lëndim, padrejtësi, dhimbje gjithandej, letërsia duhet të jetë një analizë që zhvillohet përgjatë ngjarjes. Libraritë janë mbyllur përpara syve tanë, qendrat e kulturës janë neglizhuar. Koronavirus-i ka vënë në rrëzik dhe artin e kulturën përpos rreziqeve të tjera që i njohim të gjithë. Në këtë kohë kur pabarazitë dhe paragjykimet po pësojnë një rritje të frikshme, krijimtaria ka nevojë për mbështetje nga fonde publike e private, veçanërisht në komunitetet e lëna pas dore. Ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes demokracisë në një shoqëri me sa mbështetje ka industria e krijimtarisë në këtë shoqëri. Nuk është një luks, por diçka aq jetësore dhe e nevojshme sa ajri që thithim.
Arti i rrëfimit të ngjarjeve është hapësira e mbramë e mbetur, demokratike. Ky art duhet të jetë tanimë, rezistenca jonë kundër çnjerëzimit.

* Elif Shafak është shkrimtare me origjinë turko-angleze. Ajo shkruan në turqisht dhe në anglisht, ka të botuar 11 romane që janë përkthyer në 54 gjuhë të ndryshme. Libri i saj ¨Dyzet rregullat e dashurisë¨ u përzgjodh nga BBC si një ndër 100 librat i kanë dhënë formë botës. Ajo jep mësim në disa universitete në Turqi, Shtetet e Bashkuara dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo ka fituar disa çmime prestigjioze dhe është një aktiviste e dalluar.

Shkrimi u shqipërua nga Albana Murra.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura