“Urrejtja, gjysma e hakmarrjes” sjell në shqip shkrimtarin qipriot

Oct 19, 2018 | 10:00
SHPËRNDAJE

“Urrejtja, gjysma e hakmarrjes”, është vepra me të cilën shkrimtari qipriot Emilios Solomou prezantohet për të dytën herë në shqip, nën shqipërimin e përkthyesit Kristo Pulla dhe Botimet Toena. Shkrimtari është nderuar me disa çmime, ku ndër më të rëndësishmit është “Çmimi Europian për Letërsinë 2013”, për romanin “Ditari i një pabesie”, botuar në shqip në vitin 2015 nga Botimet Toena.

urrejtja-gjysma-e-hakmarrjes

“Urrejtja, gjysma e hakmarrjes” është një roman policor në dukje të parë, por që mban peshën më të madhe të një romani thriller historik, që endet mes së shkuarës dhe së tashmes, midis hakmarrjes dhe detyrës, midis dashurisë dhe urrejtjes. Autori përpiqet të na japë nga fillimi në fund një histori moderne me detektivë në zbardhjen e vrasjes, duke bërë një paralelizëm midis dy ngjarjeve të rëndësishme që kanë tronditur Greqinë në një kohë të largët dhe të afërt, atë të datës 21 prilli 2013, kur u vranë dhe iu prenë kokat në mënyrë të tmerrshme dy anëtarëve të Trojkës në një hotel qendror të Athinës (ngjarje e trilluar), që sipas kalendarit Gregorian, kjo datë përputhej me datën e Masakrës së Dhilesit para 143 vjetësh, domethënë më 21 prill të vitit 1870, të Enjten e Madhe.

Kjo ngjarje mori shkas kur vëllezërit Arvanitaki, një nga bandat më famëkeqe të shekullit XIX, të kryesuara dhe drejtuara nga kryebanditi Tako Arvanitaki, përbëhej nga 21 persona, të armatosur deri në dhëmbë dhe që ndiqeshin nga ligji për disa vrasje dhe vjedhje, morën peng lord Mankasterin e Britanisë, Frederik Vainerin, si dhe një grup turistësh anglezë, teksa ishin duke vizuar qytetin e Marathonës në Greqi. Kjo ngjarje e rëndë, sipas historisë, për pak sa nuk shkaktoi luftë.

Kriza u shmang vetëm pasi Greqia ndërmori një fushatë në shtypjen e bandave që vepronin në territorin e saj. Është pikërisht kriza që preku Greqinë, por edhe Qipron vitet e fundit, ajo që ngacmoi autorin për të shkruar këtë libër dhe për të rrëfyer qartazi dhe mësuar të vërtetën përmes këtyre dy ngjarjeve të ndodhura në kohë të ndryshme se kush ishin këta përfaqësues të Trojkës që vinin në Greqi herë pas here? Prej nga ishin? Kush ishin historitë e tyre personale? Si mund të arrihej një ekzekutim i shpejtë i planit të ekzekutimit të tyre? Si pritet koka e njeriut? Po pastaj, si mund të fshehësh gjurmët? Sipas logjikës, ai që duhet të ketë kryer një krim të tillë ndaj të dërguarve të Trojkës, sigurisht që duhet të ketë pasur një motiv shumë të fortë.

Edhe pse gjetja e autorit, nganjëherë, është si të kërkosh gjilpërën në kashtë, arsyeja vetvetiu të çon te dikush që duhet të ketë qenë tejet i zhgënjyer nga gjithçka po ndodhte në Greqi dhe gjithandej, si papunësia, uria, taksat, vetëvrasjet, kriminaliteti, të pastrehët, ultimatumet e fuqive të huaja, europianët, liderët partiakë dhe korrupsioni, ofendimet kundër grekëve, kundër popullit të thjeshtë, qethja e depozitave, pa shkak dhe në mënyrë provokuese, duke përhapur një mori gënjeshtrash mbi pará të pista që qarkullonin nëpër banka etj., sigurisht që do të dilte një prej të vuajturve që t’u priste kokat… U duhej dhënë një mësim. Një formë paralajmërimi.

Dikush do të dilte, nuk mund të ndodhte ndryshe. E kjo ndodhi, pikërisht në kohën dhe vendin e duhur, duke nxjerrë në shesh korrupsionin e thellë të sistemit politik dhe lidhjet e tij me fenomenin e banditizmit. Në të njëjtën kohë, do të zbulohen patogjenezat e shtetit grek që nga krijimi i tij, interesat ekonomike që vepronin në prapaskenë, por edhe ndërhyrjen e hapur të fuqive të huaja në Greqi. Me një sy kritik ndaj ngjarjeve që shënuan themelimin e shtetit grek e deri më sot, autori përcakton vendimet dhe rebelimet e një shoqërie, duke e paraqitur urrejtjen si gjysmë hakmarrje, ku pjesa tjetër është akti. Urrejtja, sipas Emilios Solomou, është ajo që armatos dorën e vrasësit, ajo urrejtje e verbër dhe e pakufishme që zhvleftëson çdo arsye.

I ndërtuar me një strukturë origjinale dhe karakteristike, i ndarë në seksione të vogla dhe të veçanta, në mënyrë që lexuesi të mund të kuptojë narracionin në kohë dhe hapësirë, pa ngatërruar ngjarjet, pasi secili kapitull ka numërtimin e vet shënuar me shkronja të mëdha. Ky roman, i shkruar në një mënyrë jashtëzakonisht të zellshme, mbart jo vetëm një vlerë të merituar letrare, por radhitet ndër ata librat që do vëmendje në lexim, pasi ta mban shpirtin peshë, se fundi është krejt i papritur…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura