Urime për zgjedhje të lira dhe të drejta më 25 prill 2021

Apr 23, 2021 | 9:40
SHPËRNDAJE

sami_repishti

SAMI REPISHTI

Nji muej ma parë, në nji ese mbi votimet e ardhme, përfundova me këtë pyetje: “Ashtë vendi ynë i përgatitun për nji rigjenerim mendor e shpirtënor mbas kaq vuejtjesh? Unë shpresoj!”.

Edhe sot, përsëris: “Unë shpresoj”, megjithëse informacioni publik- gurra e vetme që më mban në dijeni për zhvillimet e vendit- nuk më këshillon me shpresue në ditë ma premtuese.

Shpresoj sepse e due Shqipërinë me forcë të madhe! E due Shqipërinë e ndjehem krenar me qenë shqiptar, pjesëtar i nji kombi që përballoi përmbysjet dhe termeqet që fati i verbët për tre mijë vjet i solli vendit tonë dhe mbijetoi në këtë botë të turbullt, ndërsa qindra “kombe” të tjera u shuen e u harruen mbi dhe, edhe këtu në kontinentin tonë europian identiteti kolektiv i kombit shqiptar i formnuem nga kjo qëndresë e jashtëzakonshme, me jep nderin me deklarue identitetin tim individual shqiptar. E due fort Shqipërinë, sepse vitaliteti i saj mijëvjeçar frymëzon për nji rilindje të plotë në të ardhmen. E dua fort Shqipërinë, sepse më premton… dhe kërkon pjesëmarrjen time në rilindjen e në forcimin e saj shpirtënor, mendor e fizik!

Megjithatë, e tashmja e saj anemike më frikëson.

Pak ditë ma parë, në nji intervistë të dhanun për gazetarin Lutfi Dervishi, ambasadorja amerikane, Yuri Kim, deklaroi: “…Unë mendoj se zgjedhjet e ardhme janë të nji randësie të veçantë. Mbas 30 viteve në demokraci jemi sot në nji pikë kthese dhe mendoj që populli shqiptar ka sot mundësinë, ashtu siç e ka në çdo zgjedhje, me vendosë ku don të shkojë. Kështu, kjo ashtë arsyeja që unë i them votuesit shqiptar ashtë zgjedhje e vërtetë. Ju duhet të vendosni të ardhmen tuej…!”.

Ajo shprehu shqetësimin për disa aspekte negative që manifestohen gjatë fushatës elektorale. SPAK ka ba publike raportin e tyne vjetor dhe aty shihet se SPAK, deri tashti, ka ba 588 denoncime; konfiskue përmbi 75 milionë euro vlerë posedimesh ilegale. Ata kanë krye hetime për 746 persona dhe kanë dergue shumë prej tyne para gjyqit; 114 persona nga ky grup janë denue me ndëshkime. (VoA 17.IV.’21)

Në Shqipërinë e sotme, njeriu ka përshtypjen sikur e gjithë përvoja e jonë, e së kaluemes dhe e së tashmes, ashtë përqendrue në nji kandveshtrim me karakter thellësisht partiak. Ngushtësia e madhe e horizontit tonë politik anashkalon “interesin kombëtar”, atdheun. Nji e metë e madhe fatale. E ashtuquejtuna “politikë” në Shqipëri vazhdon të zhvillohet në nji atmosferë vranësie që nuk premton dritën e diellit në qiellin e vendit tonë. Dhe kjo ashtë nji tragjedi shqiptare në zhvillim që inkurajon dhunën në vendin tonë.

“Ne do të marrim masat e duhuna në përgjigje të atyne që pranojnë ose nxisin dhunën, pranojnë e nxisin shkeljet e ligjeve zgjedhore, të standardeve ndërkombëtare, apo përpiqen të minojnë integritetin dhe besimin në procesin zgjedhor dhe rezultatet e tij. Ne do të mbajmë përgjegjës udhëheqësit që janë në poste drejtuese dhe kanë përgjegjësinë e parë dhe më të rëndë për të vepruar në interes të vendit”. (Amb. Yuri Kim, 29.III.’21)

Nji qortim i këtillë nga “aleati ynë strategjik” pakëson dinjitetin tonë kombëtar dhe bie në veshët e shurdhër të klasës politike të vendit. Fatkeqësisht , sot gjejmë veten “të dënuar” si rezultat i nji klase politike që nuk ka idenë e nji interesi kombëtar, që nuk ashtë njikohësisht edhe interesi i tyne personal. Mbas nji katastrofe 45-vjeçare të terrorit komunist dhe nji “tranzicioni anemik” 30-vjeçar, logjika elementare imponon katarsin moral dhe detyrimin e paevitueshëm me ndertue ma mirë shtetin tonë, ekonominë tonë, shërbimet tona mjekësore, arsimin tonë të përgjumun, dhe institucionet tona demokratike, me shpresën se do të na përgatitë me kurue smundjet dhe rranjët e shkaqeve të këtyne smundjeve tona kolektive, si dhe të inkurajojë nji popullsi të tanë me u mobilizue për nji bashkim kombëtar, jetë me dinjitet dhe respekt për demokracinë dhe të drejtat e njeriut të lirë. Dhe ky zhvillim, si hap të parë, kërkon zgjedhje të lira e të drejta më 25 prill.

Simbas studjuesit të mirënjohun, dr.Elez Biberaj, “…vitet e fundit, Shqipëria ka përjetuar një rrëshqitje të konsiderueshme prapa në rrugën e demokracisë dhe një autoritarizëm në rritje, duke e bërë atë një nga vendet më jofunksionale dhe më të korruptuara në Europë. Sistemi politik i Shqipërisë në thelb është i prishur dhe vendi është shndërruar në një shtet njipartiak, autoritar, me Partinë Socialiste në fuqi, që kontrollon pushtetin në të gjitha nivelet… Politikanët me influencë dhe afaristë kanë kapë “shtetin” për gryke; si rrjedhim, pasuria dhe porta e pushtetit kanë renë në duart e një grupi të vogël. Efekti shkatërrues i një Shqipërie me model kleptokratik tregon që qeverisja nuk mund të anashkalohet…”.

Historikisht, ngritja në pushtet e nji “udhëheqësi të fortë” e bën shumë të vështirë kthimin në nji gjendje normale. Shembujt janë të shumtë: Musolini, Hitleri, Franko, Lenini e tjerë; sot ngritja e V.Orban, R.T.Erdogan, vëllaznit Kazinski, Vuçiq e tjerë…

Ndërkohë, në vendin tonë na kemi humbë ndërlidhjet qytetare të nevojshme që mundësojnë luftën tonë kundër këtyne “elementëve” së bashku. Na jemi të ndamë ndërsa këta “elementë” janë në pozita ekzekutive. Ky degradim prodhon humbjen e besimit të qytetarit në qeveri, për arsyen e thjeshtë se “qeveritarët” nuk janë në gjendje me plotësue nevojat e popullsisë për siguri personale, fizike dhe ekonomike, kryesisht me punësim të lirë e frytdhanës. Përfundimi logjik ashtë jeta në nji vend që humbë karakterin e tij civil çdo ditë e ma shumë.

Në Shqipëri, fushata zgjedhore e vitit 2021 po vazhdon me shkelje të shumta kundërligjore nga partitë politike. Vëzhguesit raportojnë se partitë politike shqiptare ndjekin traditën e hershme tue abuzue burimet shtetnore, dhe tue ba presion administratës si dhe tue ndryshue komisionerët deri në momentin e fundit, simbas “Zërit të Amerikës” (16.IV.’21)

Ka ende zane inkurajuese. Zonja Belina Budini këshillon: “…Me gjithë pikëpamjen e ndeshur shpesh se zgjedhjet nuk arinj të bëjnë ndryshime për shkak të avantazhit të atyne që janë në pushtet, sa i përket aksesit të burimeve publike dhe rolit të mediave, zgjedhjet e fundit në rajonet e Ballkanit Perëndimor kanë treguar se ndryshimi është i mundur edhe në rrethana të pabarabarta dhe të padrejta.

Gjithsesi, ajo që del nga analiza është se qytetarët mund të jenë të angazhuar në procesin demokratik më shumë se është menduar”, shkruen ajo në “Panorama”. Nji perspektivë ma të zymtë jep prof. Paskal Milo, ish-ministër i Jashtëm dhe njohës i kualifikuem i gjendjes në Shqipëri.

Ai përsëriti thanien lapidare të nji gazetari shqiptar nga Shkupi: “Nuk ndërtohet parrizi me muratorët e ferrit”.

Prof. Milo shkruen: “Demokracinë as mund ta sjellnin, as mund ta ndërtonin persekutuesët e djeshëm.

Ås dje, as sot!”. Ai. me të drejtë. ban pyetjen: “A ka fituar PD-ja përvojën e duhur e kulturën e shtetformimit demokratik mbas tridhjetë vjet ekzistence në skenën politike të Shqipërisë? Zgjedhjet do na tregojnë”. Ndërtimi i nji shteti demokratik ashtë sot, tue huazue frazen e prof. Milos “…një sfidë e madhe, kritike, më e madhe se varfëria e skajshme që ka kapluar vendin, si papunësia, gjymtim fizik e shpirtënor i një mase të madhe shqiptarësh që shpëtimin filluan ta kërkojnë përmes arratisjes kacavjerrëse drejt Perëndimit…

Në këtë kapërcyell epokal, shqiptarëve u erdhën në ndihmë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian… Shqipëria kishte shumë nevojë për shkak të mbrapambetjes saj, por edhe të regjimit stalinist të saj!”. Sot, Shqipëria nuk ashtë e izolueme si në regjimin e çmendur komunist! Ajo jeton në bashkësi me fatin e botës së lirë. Në nji Report të pergatitun nga analistët e zbulimeve amerikane thuhet: “…vendet e varfra dhe ato në zhvillim do të jenë kandidatë që kanë gjasa ma të mëdha të vuejnë edhe për paaftësinë e qeverive të tyne për t’u përshtatë dhe përgjegj (ekzigjencave të kohës, SR) dhe mund të rezultojnë në raste të reja emigrimi”, njoftonte “Zëri i Amerikës”.

Sot, situata ekonomike në Shqipëri ashtë shumë shqetësuese. Simbas EUROSTAT, Veriu i Shqipërisë dhe popullsia janë rajonet ma të vorfna në Europë. Ndërsa Bashkimi Europian ka nji të ardhun vjetore mesatare prej 31.000 euro, Veriu i Shqipërisë ka nji mesatare vjetore prej 3.600 euros; Jugu i Shqipërisë 4.000 euros. Shqipëria si vend 4.500 euros për hir të investimeve në Tiranë e rrethe. (Maqedonia e V. 5.200; Serbia 6.100; Mali Zi 7.500 euro). Cili do të ishte fati i Shqipërisë së vorfnueme në nji rast emergjence?

Në nji studim që mban datën 17 prill 2021, Instituti Ndërkombëtar për Lindjen e Mesme e Ballkanin, (Ljubjana, Slloveni), analizohen zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021 në Shqipëri: “Qytetarët kundër mafies”, që nënkupton klasën sunduese të vendit. Report-i ashtë i studjuem mirë dhe gjykimet e dhanuna janë dëshpëruese për të gjithë ata që e lexojnë me kujdes. Këtu japim nji pasqyrë përmbledhëse: Votuesit shqiptarë janë të gatshëm me dergue në pension udhëheqësin Edi Rama.

Radhitja e Shqipërisë në listën e “spastrimit” të parave të pista ashtë përkeqsue që nga viti 2013 dhe në mars 2020. Shqipëria u vue nën mbikëqyrjen e OECD-së. Në Shqipëri, në periudhën nga 2017 deri 2019, ma shumë se 1.6 miliardë euro u “spastruen” me sektorin e pasurive të patundshme.

Rezervat e devizave të hueja u rritën 3.2 miliardë euro (nga 6.6 në 9.9). PPP ka arrijtë vlerën 1 miliard euro, nji kërcenim serioz për stabilitetin financiar të vendit. Ndërtimi i rrugës Milot-Balldren konsumon 256 milionë euro, dyfish nga vlerësimi i Bankës Botënore. “Heshtja e forcueme” e mediave, blerja e votës, shteti kriminal dhe hajdut, korrupsion i gjithanshëm. Tetë vjetët e sundimit të Edi Ramës janë tetë vjet të humbuna për Shqipërinë.

Me Edi Ramën, e ardhmja e Shqipërisë europiane nuk ashtë e sigurt. Rama ashtë simbol i kanabizimit në Shqipëri, krimit të organizuem dhe afarizmit narkotik. Rama rrezikon interesin kombëtar me luejtjen e kartës së panshqiptarizmit. Shumë marrëdhënie pronësie nuk janë zgjidh, sundimi i ligjit ashtë në nivel elementar, krimi e korrupsioni janë të përhapun dhe infrastruktura e të gjithë vendit ashtë e pazhvillueme.

Përqindja e papunësisë ashtë e naltë, inflacioni ashtë rritë, të ardhunat janë të vogla dhe pensionet nuk mjaftojnë për nji jetë me dinjitet. Sot, Shqipëria “shërben si nji element esencial” për shpërndamjen e heroinës në tregun e gjthë Europës. Spastrimi i parave të pista përfundon në ngritjen e gratacieleve luksoze në Tiranë. DASH -Shqipëria shërben si bazë veprimesh për organizatat regjionale të krimit të organizuem.

Ajo ashtë sot nji qendër investimi, shpërndamje dhe rekrutimi. Shqipëria ashtë vendorigjina dhe tranziti për tregtimin e qenieve njerëzore. Korrupsioni, sidomos në degën ekzekutive, ashtë dhe mbetet nji problem serioz. Shqipëria ashtë njeni nga vendet ma të korruptuem në Europë. Shteti ashtë ba rob i interesave kriminale private.

Shpresohet se zgjedhjet e ardhme do të jenë nji oportunitet për nji udhëheqje të re e të pastër. Edi Rama ka humbë vazhdimisht përkrahjen e qytetarëve. Qytetarët duhet të përballen me “mafian” dhe të sigurojnë për vete nji të ardhme ma të mirë.

Sondazhet e opinionit publik tregojnë se shumica e qytetarëve shqiptarë janë kundër klasës sunduese të tanishme. (© 2004x IFIMES-Lubjana, Slloveni) Cili vëlla e motër shqiptare mund të qëndrojë indiferent para nji gjendje të këtillë? Kur do të vijë edhe për ty pranvera, o Shqipëria e ime?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura