Urdhri i Farmacistëve publikon foton e Pamela Mërtirit, e reja që u vetëvra bashkë me foshnjën 1-vjeçare

Nov 27, 2021 | 9:06
SHPËRNDAJE

Vajza që shihni në foto është Pamela Mërtiri, 34-vjeçarja me profesion farmaciste e cila ditën e premte, u vetëhodh nga kati i pestë i një pallati në qytetin e Vlorës bashkë me foshnjën e saj 1-vjeçare.


Ngjarja e rëndë u regjistrua në lagjen “Pavarësia”, ku shtetasja Pamela Mërtiri është hedhur së bashku me djalin e saj 1-vjeçar nga katet e larta, duke përfunduar në sheshpushimin e pallatit. Burimet bënë me dije se gruaja ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa foshnja ka ndërruar jetë pak momente më vonë pasi u transportua për në spital nga banorët e lagjes.

Disa orë pas ngjarjes së rëndë, në faqen në Facebook të Urdhrit të Farmacistëve Të Shqipërisë, është publikuar fotografia e të resë që i dha fund jetës tragjikisht.

Kolegët e Urdhrit të Farmacistëve kanë shprehur dhimbjen për ngjarjen e rëndë, duke shkruar “një humbje e madhe jo vetëm për familjarët por dhe për të gjithë miqtë, kolegët dhe ata që e njohën dhe patën fatin të punonin me të”.

Pamela Mërtiri, kishte në pronësi një farmaci në Tiranë. Sipas të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Mërtiri e kishte hapur farmacinë në rrugën “Vasil Shanto” në Njësinë Bashkiake numër 5 në Tiranë. Farmacia rezulton me status aktiv në QKB, ndërsa ajo ka funksionuar prej më shumë se gjashtë vitesh në kryeqytet.

POSTIMI I PLOTE

Të nderuar kolegë,

Komuniteti i farmacistëve dhe mbarë opinioni publik u trondit sot nga ndarja nga jeta në mënyrë tragjike e koleges sonë Pamela Mërtiri dhe djalit të saj.

Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjarëve, miqëve, kolegëve dhe gjithë të dashurve të tyre, për këtë ikje të parakohshme.

Kush ishte Pamela Mërtiri, për të gjithë ata që nuk patën fatin ta njihnin.

Pamela lindi më 30.03.1987 në qytetin e Vlorës. Pas përfundimit të shkollës së mesme, ndoqi studimet e larta, dega Farmaci, pranë Universitetit Kristal, ku u diplomua në vitin 2011. Pamela jetonte dhe ushtronte profesionin e farmacistes në qytetin e Tiranës. Prej vitit 2014 ajo drejtonte subjektin e saj farmaceutik, farmacinë Mela Pharma në qytetin e Tiranës.

Ndarja nga jeta e koleges tonë është një humbje e madhe jo vetëm për familjarët por dhe për të gjithë miqtë, kolegët dhe ata që e njohën dhe patën fatin të punonin me të.

Lamtumirë kolege!

Ti dhe engjëlli yt u prehshi në paqen e përjetshme!

urdhri

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura