Ura e Zogut drejt degradimit, shoqëria civile në protestë: Të mbrojmë trashëgiminë kulturore, institucionet të marrin masa

Sep 19, 2021 | 17:51
SHPËRNDAJE

Elvis Hila/ Degradimi i Urës së Zogut mbi Lumin Mat dhe mosreagimi i institucioneve shtetërore, ka ngritur në protestë aktivistet e shoqërisë civile dhe nga grup të rinjsh nga Lezha dhe Kurbini.

ura e zogut protesta

Ata u mblodhën të dielën pranë objektit monument kulture i cili ka pësuar dëmtime të renda gjate këtij viti dhe rrezikon seriozisht shembjen totale.

Aktivistet e konsiderojnë te pafalshme mosndërhyrjen e shtetit për të mbrojtur Urën e Zogut, pavarësisht se është bërë dhe një peticion me 3 mijë firma qytetaresh.

“Organizata Sebastia, e shqetësuar nga dëmtimi i rëndë që ka pësuar në vitin e fundit ura e Milotit, njohur gjerësisht si “Ura e Zogut”, Monument i Trashëgimisë Kulturore i Kategorisë së Parë shpallur në vitin 1999 nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe e mbrojtur me ligj, dhe njëkohësisht të ndjeshëm ndaj rrezikut që po i kanoset kësaj ure me rëndësi të madhe historike dhe arkitektonike, gjithashtu të indinjuar ndaj mosreagimit të institucioneve përgjegjëse, kemi vendosur të realizojmë këtë marshim sot, së bashku me qytetarë të tjerë Kurbinas dhe jo vetem. Ky është vetëm një nga aktivitet që ne kemi ndërmarrë. Në janar të këtij viti kemi iniciuar një peticion online, për të cilin jemi të lumtur të komunikojmë që ka pasur mbi 3000 nënshkrime, por nuk jemi aq të lumtur kur komunikojmë që një numër i tillë qytetaresh nuk është marrë seriozisht nga Institucionet përgjegjëse.

Plotësisht të vetëdijshëm se mbrojtja e trashëgimisë tonë është një detyrë qytetare dhe patriotike, gjykojmë dhe besojmë se këto aktivitete duhet të nxisin reagimin e institucioneve përgjegjëse në hartimin dhe zbatimin e një plani emergjent për ndalimin e shkatërrimit të urës” thotë Elton Laska përfaqësues i organizates “Sebastia”

Aktivistët denoncuan edhe vijimin e shfrytëzimit pa kriter të shtratit të lumit, pavarësisht se ky shfrytëzim besohet si shkak i rrezikut që po i kanoset Urës së Zog

“Në mënyrë të paligjshme kompani ndërtimi me lidhje deri në strukturat më të larta qeveritare vijojnë të shfrytëzojnë pa kriter shtratin e lumit Mat për të nxjerrë inerte.

Zhavorri i lumit është përdorur për ndërtimin e rrugëve nga kompanitë e ndërtimit të lidhura me qeveritë. Inxhinierë, kurator arti, historianë e ekspertë të trashëgimisë kulturore dhe banorë të zonës duhet të bëhen pjesë e këtyre aktiviteteve për të shpëtuar Urën e Zogut, që të japin kontributin dhe ekspertizën e tyre për të shpëtuar këtë pasuri arkitekturore.

Ura e Zogut do duhej të ishte një prej atraksioneve turistike në Qarkun Lezhë, me të cilën shqiptarët kanë mundësinë të njohin një pjesë të arkitekturës së viteve 30 në veprat publike. Kjo urë është pjesë e memories së kombit, dhe përfaqëson një kohë kur orientimi i vendit ishte drejt Perëndimit, strehës natyrale të Shqipërisë. Qeveria duhet të nxjerrë një vendim për ndalimin e kompanive të ndërtimit të shfrytëzojnë lumin Mat për nxjerrje inertesh.

SPAK duhet të nisë një hetim lidhur me këto kompani që prej 3 dekadash kanë abuzuar me këtë pasuri publike. Shfrytëzimi i lumit Mat për ndërtim HEC-esh ka pasur jo pak impakt në degradimin e urës së Matit dhe veprave të tjera publike përgjatë këtij lumi.

Për gjithçka u tha më sipër, Organizata Sebastia dhe gjithë qytetarët që kanë firmosur peticionin për Mbrojtjen dhe rimëkëmbjen e saj kërkon nga Ministria e Kulturës, nga Instituti Kombëtar I Trashëgimisë Kulturore, nga Bashkia Kurbin dhe Bashkia Lezhë” thotë Emelinda Leti aktiviste e shoqërisë civile

Aktivistet kërkojnë që të merren masa të menjëhershme për shpëtimin e Urës së Zogut.

“Të merren masa emergjentë për ndaljen e rrënimit të urës. Të hartohet një projekt nga specialistët e fushës për mbrojtjen afatgjatë të kësaj vepre historike. dhe të zbatohet ky projekt. Nuk mjafton më të ngrini grupe pune për vlerësimin e dëmeve dhe kjo vetëm në letra, sipas përgjigjes së Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, por duhen aksione konkrete për Mbrojtjen e saj. Përndryshe, me këtë rënd dite shkatërrimi, do vijë një dite kur Shqiptarët dhe Shqipëria do të mbesë pa një identitet” thotë Elton Laska përfaqësues i organizates “Sebastia”

Ura e Zogut është ndërtuar në vitin 1927 dhe gëzon statusin e Monumentit të Kulturës së kategorisë së parë. Ajo është e veçantë për shkak të harqeve të saj, ndërsa në kohën e ndërtimit, ka qenë një prej rrugëve kryesore  që lidhnin Shqipërinë e Mesme me atë të Veriut.

Së fundmi të paktën një këmbë e urës u fundos dhe si shkak besohet se është shfrytëzimi pa kriter i shtratit të lumit Mat për nxjerrje inertesh. Edhe pse prej vitesh ishte e qartë që shfrytëzimi i lumit kishte krijuar pasoja të rënda në mjedis dhe në monumentin e kulturës reagimi i institucioneve ka qenë i mefshët dhe nuk ka ndaluar atë që specialistët e shohin si masakër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura