Universiteti, si çelësi i suksesit të së ardhmes

May 13, 2020 | 10:27
SHPËRNDAJE

 

KLODIAN MUÇO Klodian Muco

Sot të gjitha vendet, jo vetëm ato të pasura, investojnë një kuotë të konsiderueshme të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në arsim. Sipas disa përllogaritjeve të UNESCO-s, mesatarja e shpenzimeve për arsim në nivel botëror është rreth 5% e PBB-së, ndërsa në vendet e OECD-së shkojnë nga 5-8%, ku një pjesë e mirë e kësaj kuote shkon për financimin e universiteteve (1.55% e PBB-së).

Në vendet e Bashkimit Europian, mesatarisht rreth 12% e buxhetit total shkon për arsimin. Kjo, pasi arsimimi konsiderohet si leva e zhvillimit ekonomik të një vendi, i cili mund të kontribuojë në parandalimin e varfërisë, në garantimin e vlerave humane dhe civile, si dhe mund të shërbejë në luftën ndaj çdo forme diskriminimi.

Sipas nobelistes Montalcini, arsimimi dhe i gjithë procesi edukativ është faktori primar i forcimit dhe rritjes së familjes, komunitetit dhe ekonomisë në kompleks.

Kontributi në arsimim dhe në rivlerësimin e kapitalit human është baza e misionit të çdo universiteti sot në botë, ku sipas Schumpeter, ata bëjnë transformimin e njohurive teorike në vlerë të shtuar për ndërmarrjet dhe shoqërinë.

Universitetet sot konsiderohen si një vend tërheqës për gjeneratat e reja, të cilat falë tij përfitojnë instrumentet intelektuale dhe motivacionale për të mbështetur shoqërinë drejt horizonteve të reja.

Kontributi i tyre në zhvillimin social, ekonomik dhe kulturor të një territori bëhet edhe më i rëndësishëm nëse universiteti konsiderohet eficient, pasi stimulon zhvillimin e ideve dhe mundësive të reja. Ky afirmim mbështetet gjerësisht nga komuniteti shkencor dhe institucional ndërkombëtar, ku disa prej tyre kanë arritur ta konsiderojnë universitetin si një “zhvillues urban”, duke influencuar pozitivisht shoqërinë dhe ekonominë e një territori të caktuar. Kjo, falë përmirësimit të nivelit të kapitalit human në territor, fillimisht duke tërhequr studentët më cilësorë e në vijim duke prodhuar të diplomuar të kualifikuar, të cilët, nga universiteti spostohen te ndërmarrjet duke rritur produktivitetin e tyre e duke gjeneruar rritje ekonomike në territorin përreth tyre

Nisur nga këto fakte, le të shohim në vijim realitetin shqiptar. Për sa i përket financimit në Shqipëri, për 2020 do të harxhohet për arsimimin rreth 8% e buxhetit total, apo sa 2D 3 e mesatares së BE-së.

Në 10 vitet e fundit, përqindja e buxhetit që shkon për arsimin është reduktuar me rreth 1.5% në vendin tonë.

Në raport me PBB-në, kjo vlerë shkon rreth 3.1%. Apo sa 2D 3 e mesatares se vendeve të OECD-së.

Ndërsa për universitetin në vendin tonë harxhohet rreth 0.5% e PBB-së, sa 1D 3 e mesatares së vendeve të OECD-së (te ne harxhohet më shumë për burgjet se për universitetet).

Përsa i përket kërkimit shkencor, në Shqipëri harxhohet përafërsisht 27 herë më pak se mesatarja e BE-së. Duke reduktuar kështu ndjeshëm cilësinë në disa IAL në Shqipëri.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, gati 1D 5 e të papunëve në Shqipëri janë të diplomuar, por këta të diplomuar nuk kanë përfituar kompetencat e nevojshme që kërkon tregu i punës.

Pra, një pjesë e sistemit tonë edukativ është i “paaftë” për t’i transmetuar kompetencat e duhura ekonomisë, që çdo ditë e më tepër bazohet te capability (aftësi).

Nisur nga këto fakte, mund të themi se maturantët për të pasur një të ardhme më të sigurt, tashmë nuk duhet të mendojnë vetëm për kartonin, por për rëndësinë e universitetit dhe kurrikulës që diploma të njihet nga tregu i punës si në nivel kombëtar, ashtu edhe në nivel ndërkombëtar.

Sot nuk mjafton një diplomë çfarëdo, kjo e fundit duhet të jetë nga një institucion serioz dhe prestigjioz që të certifikojë cilësinë, të afirmojë kompetencat që mbart një i diplomuar në një kurrikul të caktuar.

Po ashtu, sot sugjerohet që të rinjtë të studiojnë në një gjuhë të huaj, pasi kjo është një mënyrë për të perfeksionuar një gjuhë të dytë.

Gjithashtu, kompanitë ndërkombëtare vlerësojnë shumë studentët e universiteteve të huaja, pasi kjo ndihmon në formimin e kontakteve profesionale dhe në zgjerimin e network-ut të njohjeve dhe u jep mundësinë të ndërveprojnë me njerëzit qe vijnë nga vende të tjera, të cilët kanë një kulturë tjetër. Tashmë universitetet që disponojnë karakteristikat e mësipërme janë edhe në Shqipëri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura